Pasagjeri i kroçerës i sëmurë, si iu dha ndihma në Vlorë

Vlora

Pasagjeri i kroçerës i sëmurë, si iu dha ndihma në Vlorë

Më: 30 maj 2019 Në ora: 09:41
Ilustrim

Një pasagjer i një kroçere me emrin “Costa Victoria”, e cila po lundronte në afërsi të gadishullit të Karaburunit, ka kërkuar asistencë mjekësore pasi kishte një të sëmurë në bord.

Kapiteneria e Vlorës bën me dije se menjëherë pas thirrjes për ndihmë rreth orës 21:15 të mbrëmjes së të mërkurës, 29 maj, ka njoftuar ambulancën e qytetit dhe policinë kufitare.

Kroçera mori udhëzim të afrohej në radën e portit të Vlorës dhe të merrte asistencën e kërkuar, pasi personi duhej të zbarkohej në tokë dhe të shkonte drejt Spitalit Rajonal Vlorë.

Pas 30 minutash nga njoftimi, kroçera “Costa Victoria” mbërriti në radën e Vlorës sipas udhëzimeve të Kapitenerisë së Portit të Vlorës në një distancë rreth 1 milje nga porti detar Vlorë.

Kapiteni i Portit së bashku me personelin e ndihmës së shpejtë me anë të një rimorkiatori RM Aulona shkuan në bord të kroçerës ‘Costa Victoria” për të marrë të sëmurin me barrelë.

Rreth orës 23:00, personi i sëmurë u vendos me kujdes tek ambulanca e urgjencës dhe u transportua drejt spitalit rajonal të Vlorës për procedurat e mëtejshme mjekësore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat