Krasniqi: 40 vite me sport po më duken sikur të ishin 40 ditë - Bota Sot
Krasniqi: 40 vite me sport po më duken sikur të ishin 40 ditë

Volejboll

Krasniqi: 40 vite me sport po më duken sikur të ishin 40 ditë

Nga: Kemajl Goca Më: 12 shkurt 2019 Në ora: 10:14
Naser Krasniqi

Volejbolli i fle në shpirt Naser Krasniqit. Ai pjesën më të madhe të jetës e ka kaluar dhe po e kalon me sportin skofiar. Plot 40 vite apo katër dekada me volejbollin, sport që i ka sjellë gëzime por ndonjëherë edhe dëshpërime. Aktualisht është kryetrajner dhe menaxher i klubit të volejbollit M-Technologie Prishtina (femrat) dhe me synime që të fitojë njërën nga trofetë, titullin ose Kupën e Kosovës. Krasniqi shprehet se volejbolli i sotëm me të periudhës së viteve të 80-ta dallon shumë. Krasniqi gjithmonë ka pasur përkrahjen e familjes dhe sebep që është përfshirë në këtë sport, ka qenë vëllai i madh i tij, Arifi.  Kryetrajneri prishtinas flet për të gjitha ngapak dhe çka e brengos edhe më shumë gjatë kësaj periudhe.

“Bota sot”: Ka kohë që jeni të përfshirë në sportin skofiar,  lojtar aktiv e tani trajner, si i sheh këto sfida?

Naser Krasniqi: E vërtet se në këtë sport jam shumë gjatë, gati po bëhen 40 vite që kur kam filluar të merrem me volejboll. Për mua këto 40 vite po me duken sikurse të ishin 40 ditë e jo më shumë. Sa i përket sfidave që janë krijuar këtë sezon sportive tek volejbolli femëror lirisht mund të them se janë shume motivuese dhe shumë inkurajuese për të gjithë akterët e volejbollit. Kjo do ta bëjë një kampionat shumë më interesant dhe shumë më të popullarizuar, gjë që do të tërheq interesim edhe tek sponsorët që gjithnjë e më shumë po janë me të munguar. Klubet në konkurrencën e femrave, këtë sezon e kanë dhënë provimin qysh në start të tij me investimet që i kanë bërë në klube, kurse tani i mbetet federatës që të jetë me syçelë, më e avancuar në organizimin më të mirë të garave kampionale.

“Bota sot”: A më shumë fituat apo shpenzuat për 40 vite?

Naser Krasniqi: Sa i përket kësaj pyetje mundem lirisht të them, jetën time ia kam kushtuar këtij sporti, volejbolli me ka dhënë kënaqësi shpirtërore dhe këtë jetë nuk do ta imagjinoja pa volejboll. Për sa kam fituar materialisht ju them se rezultati është zero e sa kam shpenzuar nuk kam mbajt evidencë, sepse do të dëshpërohesha shumë po ta bëja këtë.

“Bota sot”: Sa e keni përkrahjen e familjes që të merreni me volejboll?

Naser Krasniqi: Të them të drejtën, familja është përkrahësi im më i madhi dhe motivin për t’u marr me volejboll buron pikërisht tek mbështetja e familjes. Së pari këtë mbështetje e kam pas nga vëllau im më i madh Arifi, qysh në moshën time të re kur vëllai im ishte kryetar i klubit “Elektroekonomia” dhe me meritori për kualifikimin e këtij klubi në ligën e parë B federative të ish Jugosllavisë po edhe kryetar i klubit edhe pas lufte. Pastaj gruaja ime e cila ka qenë hendbolliste si dhe djemtë e mi që janë marr aktivisht me volejboll, basketboll dhe çuni im më i ri i cili merret me kick-boks. Domethënë që këtu e kam burimin e inspirimit tim, që të merrem me volejboll. Një e veçantë gjatë karrierës sime është ajo se në mbështetjen time për klubin e volejbollit, që unë drejtoj që 18 vite, janë miqtë e mi të shumtë që me dalin në ndihme për ta mbështet financiarisht klubin.

“Bota sot”: Si e sheh volejbollin në vitet e 80-ta, 90-ta dhe të pasluftës, a ka dallim të madh?

Naser Krasniqi: Po, natyrisht se ka dallime shumë të mëdha. Në aspektin organizativ çalojmë nga ajo kohë sepse atëherë ka pas njerëz shumë me profesional dhe të specializuar për volejboll, si dhe ka pas rregull dhe disiplinë.

Sot në këtë aspekt çalojmë, jemi shumë me pak profesional, veprojmë për interesa të ngushta personale, si dhe kemi shumë pengesa dhe barriera shumë banale nga vetë njerëzit e volejbollit. Sa i përket cilësisë, kjo përcillet edhe me kushte, si ato materiale edhe ato infrastruktuarale. Cilësia vitet e fundit po ngritët dhe po na jep shtytje për punë më të madhe, krahasuar me vitet e 80-ta dhe të 90-ta, dallimi është në kuantitet më shumë se në kualitet.

“Bota sot”: Çka mund të veçoni sot në volejbollin tonë, sidomos te femrat, ka shtatlartësi?

Naser Krasniqi: Tek volejbolli femëror na mungon shtatlartësia edhe pse si popull kemi një mesatare të mirë të lartësisë, por duhet hulumtuar qysh në moshë të re fëmijët që e kanë këtë veçori dhe ti shtyjmë prindërit e tyre që fëmijët e tyre të merren me volejboll. Shumë më tepër ka perspektiv volejbolli femëror se çdo sport tjetër në Kosovë.

“Bota sot”: Si e sheh kombëtaren e Kosovës te femrat, a  kemi garniturë të mirë?

Naser Krasniqi: Tek femrat mundemi të jemi konkurrent më të tjerët vetëm me grupmosha të reja. Njëherë përnjëherë nuk kemi gjeneratë për gara ndërkombëtare me seniore, këtë e pamë disa vite më parë se sa larg jemi nga ekipet e senioreve të shteteve të tjera. Duhet të presim edhe një kohë që të del një gjeneratë me kualitative sesa kjo që kemi tani. Prapëseprapë jemi optimist.

“Bota sot”: Tani drejtoni klubin e M-Technologie Prishtina, a besoni se do të fitoni trofe dhe cilin ekip e sheh më të papërshtatshëm?

Naser Krasniqi: Ne sikurse çdo ekip tjetër e Superligës A e kemi një synim, që të jemi në finale të play-offi-t dhe të Kupës, po pse jo edhe të jemi fitues të njërës garë. Klubi ynë nga viti 2015 nuk ka fituar titull edhe jemi pak sa të etur për një sukses të tillë me gjithë vështirësitë që i kemi pas deri sot pas tërheqjes së sponsorit Kolegjit AAB. Tani klubi ka një mbështetës të fuqishëm pas vetes dhe nga tash e tutje do të jemi faktor në volejbollin e Kosovës ashtu siç ishim 10 vite me rend, pra nga viti 2004 e deri me 2015. Mbështetësi i klubit M – Technologie në krye me Rrustem Pacollin tani edhe president i klubit e që është pjesë e Mabetex grup ka dhënë një premtim shumë të fuqishëm se do ta mbështes klubin edhe shumë vite të tjera. Andaj neve na mbetet të punojmë më shumë dhe të krijojmë strukturë shumë më të mirë organizative përbrenda klubit në mënyrë që ta kthejmë suksesin e klubit ashtu siç i ka hije kryeqytetit.

“Bota sot”: Çka i duhet më shumë volejbollit?

Naser Krasniqi: Volejbollit i duhet përkrahje më e madhe institucionale si dhe përmirësimin e infrastrukturës sportive. Organizimin më të mirë të federatës së volejbollit, në nivel më të mirë profesional duke ju dhanë mundësi gjeneratave të reja të dëshmohen në udhëheqje dhe avancim në shumë struktura tjera të po kësaaj federate.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...