Hoxha: Një ditë synoj të luaj jashtë vendit

Volejboll

Hoxha: Një ditë synoj të luaj jashtë vendit

Nga: Kemajl Goca Më: 24 prill 2019 Në ora: 16:52
Hoxha: Një ditë synoj të luaj jashtë vendit

Në vendin tonë kemi disa volejbolliste të talentuara dhe që premtojnë shumë. Në disa klube po investohet në talente, duke i përgatitur ato që në të ardhmen të jenë bazë e fuqishme e përbërjes së parë të skuadrës.

Gentiana Hoxha është një emër që premton shumë dhe nuk është më shumë se 14 vjeç, por luan për ekipin e seniorëve të Skenderajt, fitueses së Kupës së Kosovës. Gentiana punon me zell të shtuar dhe ju është mirënjohëse edhe trajnerit Ylli Kadriut, nga ai cili ka mësuar njohuri të reja të sportit skofiar. Volejbollistja me gjatësi 172 centimetra dhe luan në pozitën e qendrës, tregon se si u dashurua në këtë lojë atraktive.

“Unë si e vogël isha sportdashëse ku sporti me i pëlqyer ishte volejbolli, gjithmonë dëshiroja të bëhesha sportiste e shkëlqyer, kjo ëndërr po vazhdon ende duke e realizuar atë në ekipin ku luaj KV Skenderaj!”, thotë Gentiana. Volejbollistja e talentuar nuk e vlerëson si punë e vështirë të luash në një konkurrencë të fortë, pra për seniore. “Nuk është edhe aq e vështirë të luash me seniore por duhet të punosh shumë, nuk ka rëndësi mosha por interesimi për këtë sport!”, theksoi ajo. Skenderaj fitoi Kupën, a ishit shumë e emocionuar? “Ishte emocioni më i mirë që mora gjatë këtyre viteve që luaj!”, përgjigjet talentja nga Skenderaj.

Synimet e saja janë që arrijë sa më lart në sportin skofiar: “Synimet e mija janë që të arrijë lart e më lart dhe pse jo një ditë të luaj për një ekip jashtë vendit!”. Gentiana ka fjalë të mëdha edhe për trajnerin e saj: “Trajneri Ylli Kadriu çdo herë është i drejtë dhe lufton të na bëj lojtare me shumë cilësi!”. Si shumë sportiste edhe Gentiana ka dëshirën e saj. “Dëshira ime më e madhe është që unë ta realizojë ëndrrën time, që të bëhem një volejbolliste e shkëlqyer, e disiplinuar dhe me sukses të lartë!”, nënvizoi ajo.

Volejbollistja është e motivuar për punë dhe për të arritur edhe më shumë në edicionin e ri, por në anën tjetër iu është mirënjohëse edhe drejtuesve të klubit që e kanë përkrahur! “Falënderoj familjen, shoqërinë, qytetarët e komunës për përkrahjen që bënë ndaj meje! Gjithashtu edhe trajnerin Ylli Kadriu, drejtorin Agron Istogu dhe vajzat e klubit që janë të mrekullueshme!”, përfundon Gentiana.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat