Kur do të mbahet Kupa e Federatës?

Volejboll

Kur do të mbahet Kupa e Federatës?

Më: 26 korrik 2020 Në ora: 12:42
Kur do të mbahet Kupa e Federatës?

Ndryshe nga basketbolli, Federata Shqiptare e Volejbollit i ka marrë të gjitha vendimet. Në fillim të vitit zhvilloi asamblenë zgjedhore teksa u konfirmua sërish në krye të FSHV-së presidenti Erlind Pëllumbi. Më pas, me shpërthimin e pandemisë u thirr asambleja në të cilën u përcaktuan fatet e sezonit, si dhe u morën vendime të rëndësishme për edicionin e ardhshëm.

Kështu, FSHV vendosi që të mos shpallë skuadra kampione, ndërkohë Mirdita për femra dhe Erzeni për meshkuj do të kenë të drejtën e pjesëmarrjes në Kupat e Europës si ekipe kryesuese deri në momentin e ndërprerjes. Gjithashtu u votua edhe për bashkimin në një kategori të vetme në sezonin e ardhshëm të Grupeve A1 dhe A2 për femra.

Përveç këtyre, sporti i rrjetës nuk ka humbur kohë, teksa ka përcaktuar edhe datat e sezonit sportiv 2020-2021 (gjithnjë nëse do të jepet leja nga qeveria për zhvillimin e aktiviteteve sportive në salla të mbyllura). Kështu FSHV ka njoftuar klubet se sezoni i ri do të ngrejë siparin në datat 4-6 shtator, me zhvillimin e Kupës së Federatës.

Event në të cilin do të marrin pjesë 4 skuadrat e renditura të para deri në momentin e ndërprerjes. Ndërkohë, klubet duhet të konfirmojnë pjesëmarrjen e tyre në kampionat deri në datën 7 gusht, ndërsa shorti i kampionatit që mendohet të nisë në fund të shtatorit, parashikohet të hidhet më 28 gusht. FSHV ka bërë të ditur se edicioni i ardhshëm duhet të mbyllet brenda datës 15 prill 2021.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat