Tomorri prezanton Partizanin e ri

Volejboll

Tomorri prezanton Partizanin e ri

Më: 11 shtator 2020 Në ora: 11:37
Tomorri prezanton Partizanin e ri

Ndonëse ende nuk ka një datë për rifillimin e sezonit, për shkak se lojërat me dorë vijojnë të jenë të ndaluara prej pandemisë, Partizani në volejboll për meshkuj është gati për edicionin e ri.

“Demat” prej gati një muaji kanë nisur përgatitjet dhe ndryshe nga sezonet e kaluara kur merkaton e bënin në dimër, këtë herë duket se e kanë kolauduar ekipin që në fillim. Ylli Tomorri, në një intervistë për “Panorama Sport”, prezanton Partizanin e sezonit të ri. Trajneri, i cili riktheu titullin kampion pas disa dekadash në klubin kryeqytetas, komenton gjithashtu situatën me virusin “COVID-19” në sportin e rrjetës, ndërsa shpreson që të vijë sa më parë leja nga qeveria për volejbollin.

Çfarë po ndodh me Partizanin, keni nisur përgatitjet për sezonin e ri?

Ekipi ka nisur përgatitjet për kampionatin kombëtar që më 15 gusht, duke startuar fillimisht me përgatitje atletikofizike në natyrë dhe në det e më pas në palestër ku është punuar me topin.

Partizani është aty ku duhet të jetë, një skuadër e plotë, e fortë dhe natyrisht pretendente për titullin kampion, si dhe për Kupën e Shqipërisë. Stërvitjet janë të plota si në frekuentim, e po ashtu dhe në ngarkesë. Periudha 5-mujore e ndërprerjes si pasojë e pandemisë na ka dëmtuar mjaft në këtë aspekt, prandaj po përpiqemi ta rikuperojmë sa më shpejt dhe më lehë që të jetë e mundur.

Si do të jenë “demat” në edicionin 2020-2021?

Në edicionin 2020-2021, Partizani do të paraqitet me një skuadër shumë të mirë, me djem të rinj me shumë perspektivë si dhe anëtarë të ekipit kombëtar. Ndryshe nga vitet e tjera kur në fillim të kampionatit, për hir të së vërtetës kemi vuajtur shumë nga largimet e lojtareve, sivjet kemi lojtarë shumë cilësorë vendës, të cilët kanë luajtur në kampionate jashtë Shqipërisë. Këta lojtarë duke u bashkuar me lojtarët e rinj vendës do të krijojnë një ansambël kompakt, të fortë, konkurrues dhe me një mentalitet fituesi.

Më konkretisht, kush janë lojtarët që keni afruar dhe të larguarit gjatë kësaj merkatoje verore?

Afrimet që kemi bërë sivjet krahas grupit, të cilin jemi munduar ta ruajmë, janë dy sportistë shumë të mirë Ildi Deliu dhe Osman Qepa, të cilët në sezonin që lamë pas janë aktivizuar në kampionatin hungarez, dhe siç dihet janë anëtarë të ekipit kombëtar.

Po ashtu kemi afruar Bledi Ramën, i cili vjen nga ekipi Studenti, edhe ky një lojtar i ri me mjaft perspektivë. Shumë premtues për të ardhmen është edhe Andi Garunja nga Elbasani, që tashmë është pjesë e ekipit tonë. Për sa u përket largimeve, ata janë Dashi, Qerraxhija dhe Vora.

Volejbolli vijon të jetë i ndaluar nga qeveria, cili është mesazhi juaj për organet kompetente?

Mendoj se po të ketë një vëmendje si nga qeveria, po ashtu dhe nga federata e klubet për të bashkërenduar hapat për kujdes të mospërhapjes së virusit, aktivitetet mund të zhvillohen fare mirë dhe me siguri të plotë shëndetësore. Në këtë moment që ne flasim e gjithë Europa ka filluar e po i zhvillon kampionatet e volejbollit, natyrisht me masa shumë të rrepta mbrojtëse dhe me spektatorë (40% të kapacitetit). Te ne, që frikësohemi kaq shumë, ndeshjet zakonisht janë zhvilluar me një minimum spektatorësh, përjashto këtu publikun shijakas.

Në lojën e volejbollit nuk ka kontakt fizik mes lojtarëve, e kësisoj kjo bën të mundur që ky sport duhet lejuar të zhvillohet. Të gjitha shtetet që u hapën, ashtu si dhe Shqipëria, ishte si prioritet zgjidhja e problemit të ekonomisë. Por edhe volejbolli është një ekonomi në vetvete, e cila po nuk u zhvillua, do të falimentojë dhe do të nxjerrë në rrugë mijëra sportistë. Prandaj mendoj që pa panik, duhet të fillojmë, sigurisht duke respektuar të gjitha rregullat.

Edicionin e kaluar arritët të fitonit Kupën. A ndieni keqardhje që sezoni u ndërpre në momentin tuaj më të mirë?

Kjo është e vërtetë. Ne fituam në sezonin që lamë pas trofeun e parë, Kupën e Shqipërisë, duke realizuar një nga objektivat tanë. Ishim në rrugë të mbarë për arritjen e objektivit tjetër për trofeun e dytë, atë të përfundimit me sukses të kampionatit kombëtar. E them këtë plotësisht i bindur, sepse që në fillim të fazës së dytë u ndeshëm me rivalin tonë Erzenin, ku dolëm fitues si në ndeshje kampionati, ashtu edhe në finalen e Kupës.

Besimi dhe fryma e sigurisë u rritën. Në pesë ndeshjet e para të fazës së dytë, deri në momentin që u ndërpre kampionati, ne i kishim fituar të gjitha ndeshjet dhe me padurim prisnim të shpalosnim këto vlera në takimet e “play off”-it. Megjithatë, kjo tashmë i përket të shkuarës. Tani duhet të shikojmë me besim përpara, të pretendojmë dhe të zhvillojmë ndeshje të bukura dhe t’i kënaqim sa më shumë sportdashësit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat