Në Zvicrës u bënë dy promovime: Ekspozita historike me titull: “Kontributi i Rugovës në Shtetformimin e Kosovës” dhe promovimi i dy librave të Kolonel Ahmet Krasniqit - Bota Sot
Në Zvicrës u bënë dy promovime: Ekspozita historike me titull: “Kontributi i Rugovës në Shtetformimin e Kosovës” dhe promovimi i dy librave të Kolonel Ahmet Krasniqit

Zvicra

Në Zvicrës u bënë dy promovime: Ekspozita historike me titull: “Kontributi i Rugovës në Shtetformimin e Kosovës” dhe promovimi i dy librave të Kolonel Ahmet Krasniqit

Nga: Haki Latifi Më: 28 maj 2019 Në ora: 00:14
Pamje nga vendi i ngjarjes

Të dielen, më 26 maj 2019, në sallën e Hotel-Restaurant „Landhus Burgdorf“ në Burgdorf nën organizimin e Nëndegës së LDK-së në Burgdorf, për nder të ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, u bënë dy aktivitete të rëndësisë së veçant kulturore dhe letrare.
Hapja e ekspozitës historike me titull: “Kontributi i Presidentit Historik Dr. Ibrahim Rugova në Shtetformimin e Kosovës”, me bashkautor: Dr.Sadik Krasniqi e Mr. Besnik Rraci dhe promovimi i dy librave të Ish-Ministrit të Mbrojtjës të Republikës së Kosovës, Kolonel Ahmet Krasniqit, në përgatitje e redaktim të shkrimtarit e publicistit Skender Zogaj me titull: Të ditarit "Shtatëmbëdhjetë shtatori" dhe të librit me analiza ushtarake "Shqiptarët në luftën kroate".

Në sallën e Hotel-Restaurant „ Landhus Burgdorf„ në Bugdorf të kantonit të Bernit, nën organizimin dhe përkujdesjen e Nëndegës së LDK-së në Burgdorf, për nder të ditës së Presidentit të Republikës së Kosovës, u bënë dy aktivitete të rëndësisë së veçant kulturore dhe letrare.

Ftesës, për të marrë pjesë në këtë aktivitet ditor kulturo-historik dhe letrar të organizuar nga Nëndega e LDK-së Në Burgdorf, ju ishin përgjigjur: bashkautorët Dr. Sadik Krasniqi dhe Mr. Besnik Rraci, montuesi profesional i ekspozitës shëtitëse z. Izet Brajshori, pastaj Shkrimtari, publicisti , ish- kryetari i Degës së LDK-së dhe të komunës së Fushë Kosovës (për 8 vjet) dhe diplomati z. Skender Zogaj, eksperti i sigurisë dhe njëri prej recenzentëve të librave z.Fadil Kajtazi, Ushtaraku i karierës dhe bashkëpunëtori i Kolonelit z. Jahir Marleta, Zonja Sabine Sutter-Suter, këshilltare në Kantonin Aargau, Presidente e Forumit të Gruas të CVP-së në Aargau dhe anëtare e kryesisë së Forumit të gruas të CVP në Zvicër, TV Syri Blue në Zvicër dhe gazetar.

Ky aktivitet një ditor që në hapjen e saj kishte tërheq mërgimtarë të shumtë, personalitete nga të gjitha fushat e jetës nga kantone të ndryshme të Konfederatës Zvicerane. 

Hapjen dhe përshëndetjen e promovimit të ekspozitës (e cila hapët për të tretën herë me radh në Zvicër, pas asaj në Schlieren, Zofingen) e bëri kryetari i Nëndegës së LDK-së në Burgdorf z. Refki Kryeziu, ndërsa fjalën hyrëse e ka mbajtur z. Haki Latifi. 
Pas mbajtjës së nderimit me një minutë heshtje në nderim të Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe të Kolonel Ahmet Krasniqi, z. Haki Latifi, në fjalën e tij hyrëse duke iu referuar ekspozitës, foli gjerësisht për shembëlltyrën dhe rolin e presidentit të ndjerë, Dr. Ibrahim Rugova në shtetndërtimin e Kosovës si në planin kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar, duke theksuar: „ E them me gjithë zemër se pjesëmarrja juaj në këto promovime e rritë tej mase nderimin për kryesinë e Nëndegës. 

Është kënaqësi e veçantë të jemi sot pjesë e këtyre dy veprimtarive që i kushtohet veprës së dy personaliteteve të shquara të botës shqiptare, siq janë Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova dhe Kolonel Ahmet Krasniqi.

Rrallëherë e kam ndier veten më të përmbushur me dashuri e nderim njerëzor se sot, i rrethuar me kaq miq të sinqertë e të shtrenjtë, pa të cilët do të ishim shumëherë më të varfër shpirtërisht. Kjo ekspozitë me titull “Kontributi i Dr. Ibrahim Rugovës për shteformimin e Kosovës”, me autor : Dr.Sadik Krasniqi dhe Mr.Besnik Besnik Rraci, tregon më së miri se ai ishte fuqishëm i përkrahur nga populli pa dallim moshash, gjinishë, profesionesh apo prejardhjesh, duke u bërë prijësi i një rezistence të paparë paqësore, dhe duke u bërë zëri ynë liridashës.

Kjo ekspozitë tregon qartë se forca e tij ishte forca e popullit që i besonte dhe e mbështeste me të gjitha vuajtjet dhe sakrificat që përballej.

Rrugëtimi ynë me Presidentin Rugova për shtetformim, është fakti më i fuqishëm se çdo gjë arrihet me përkushtim dhe dashuri për njëri-tjetrin. Por, kujtoj se barra e brezit tonë, sot është ndërtimi i një shteti shembull ashtu siç ka aspiruar Presidenti historik, Dr. Ibrahim Rugova.

Njëherit, më lejoni të përshëndes dhe në emrin tuaj, veprimtarin, gazetarin, shkrimtarin, publicistin, z. Skender Zogaj dhe t'i uroj që t'u japë lexuesve libra të tjerë si dhe vëllime të tjera me krijimtari letrare.

DY LIBRAT E KOLONELIT AHMET KRASNIQI ; të ditarit "Shtatëmbëdhjetë shtatori" dhe të librit me analiza ushtarake "Shqiptarët në luftën kroate".

Shkrimtari dhe publicisti Skender Zogaj për punën madhështore dhe përkushtimin e pa lodhur që ka bërë, e që për mendimin tim është dhe do të jetë në shërbim të qytetarëve shqiptar kudo ne botë. Njëherit hedhja dritë e aktivitetit kombëtar të strategut të luftës Kolonel Ahmet Krasniqi, i anatemuar nga fundërrinat e errëta të grupeve majtiste që ishin kundër tij, dhe përgaditja e këtyre librave e bënë Z. Skender dhe të gjithë neve krenar ndërsa të ndjerin Kolonelin e bënë të pavdekshëm. Në Ditarin nga burgu, lexuesi e gjen një pjesë të jetës së Kolonelit, që është shumë i veçantë, sikurse është urtësia, sinqeriteti, humaniteti, guximi, ashpërsia, atdhedashuria dhe profesionalizimi i oficierit madhor Ahmet Krasniqi, që me miratimin e Presidentit Ibrahim Rugova , emërohet Ministër i Mbrojtjës i Republikës së Kosovës. Dhe për herë të parë në historinë 100 vjeçare të konfliktit serbo-shqiptar, Ushtria e Serbisë u ndesh me formacion të rregullt ushtarak shqiptar.
Të nderuar miq!

Njëherit , do t‘i theksoj lidhjet e ngushta që kanë ekzistuar gjatë luftës me Ministrinë e Mbrojtjës së Republikës së Kosovës, ku Nëndega e LDK-së në Burgdorf dhe nëndegë si motra në kuadër të Degës së LDK-së në Zvicër, ku përveç obligimeve dhe kontributeve financiare ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, kanë mbështetur me ndihma plotësuese materiale dhe logjistike FARK-un dhe UÇK- në.

Për këto aktivitete dëshmojnë Falenderimet dhe Mirënjohja e dërguar nga vet ish Ministri , 3 javë para se të vritet Koloneli nga dora tradhtare më 21 shtator të vitit 1998 në Tiranë. Në të cilën, kjo vrasje, pati dhe ende do të ketë pasoja të rënda për Kosovën dhe për shqiptarinë. Me këtë vrasje armiqët tanë shekullor dhe forcat kundrainstiticionale të Kosovës, që me vetëdije dhe pavetëdije u bënë vegla në duar të kriminelve të Beogradit.

Fatkeqësisht edhe sot jetojmë një kohë jo të lulëzimit të idealizmit. Disa prej atyre që u radhiten në luftërat për liri e drejtësi janë shndërruar në përbindësha, që vetëm për vete, për familjen e tyre dhe klanin e tyre mendojnë e punojnë. Ndërsa Kolonel Ahmet Krasniqi me këtë libër e jo vetëm me këtë libër, dëshmon se i përket një brezi idealistësh, të cilët e deshtën dhe e duan vendin, lirinë dhe atdheun.
Për ne është nder i madh sot që promovojmë dhe t'i kemi këto libra dhe të njihemi me veprimtarin e një atdhetari të denjë siq ishte Kolonel Ahmet Krasniqi. Ku merita e veçant i takon z. Zogaj , në të cilën ka aktivizuar dhe jetësuar veprimtarin e një atdhetari , që ka mbetë në mëshirën e kohës, njerëzve ziliqar, dhe jo mirëdashës.

Në këto dy libra të Kolonelit, është një rrëfim për veten dhe të tjerët. Më shumë se një libër, janë një aktakuzë e hapur për një kohë të egër ku gjakimi për liri, ndalohej dhe vritej nga politika e egër antishqiptare!

Kjo është një fillim i mbarë i borgjit për Kolonelin dhe përmbushje e një boshllëku nga mungesa e librave të kësaj natyre.
Këso realitete mendoj se, duhet pasqyruar vazhdimisht sepse jo vetëm nuk duhet harruar por duhet kombinuar me aktiven e ditëve të sotme. E duke qenë se politika është njëdomosdoshmëri në kohët tona, pikërisht ajo historia e luftës për liri dhe luftëtarëve duhet të jetë e fiksuar në celuloidin e trurit të çdo njerit shqiptar dhe më gjerë.

Emri dhe vepra e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova dhe e kolonel Ahmet Kransiqit do të jenë të shkruar me shkronja të arta në historinë e popullit shqiptar. 

Lavdi jetës dhe vepres së Presidentit Ibrahim Rugova Kolonel Ahmet Krasniqit!

Dhe në fund, unë ju falënderoj nga zemra për kohën që keni gjetur për të marrë pjesë në këto dy aktivitete kulturore të organizuar nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf“. Përfundoj z. Latifi.

Këto aktivitete u mbajtën në dy pjesë. 

Në pjesën e parë me fjalë rasti mbajtën: bashkautorët e Ekspozitës: Dr. Sadik Krasniqi dhe Mr. Besnik Racaj, që kanë vu në lëvizje këtë ekspozitë shëtitëse nëpër disa shtetet të Evropës. Z. Krasniqi, foli kryesisht për punën që ka bërë dhe po e bënë Muzeu i Kosovës për grumbullimin dhe mbarështimin e materialit, tejet voluminoz, filluar nga trungu i familjes Rugova dhe rruga e gjatë e përplot sfida deri tek finalja e pavarësisë së Kosovës. 

Në vazhdim bashkautori i ekspozitës z. Besnik Rraci, pasi falenderoi Nëndegën e LDK-së në Burgdorf, foli për rëndësinë historike të ekspozitës si dhe sfidat që kanë hasur në grumbullimin e materialeve autentike. Ai, gjithashtu theksoj se pjesë e ekspozitës janë: koleksione të ndryshme: Shalli, kravata e kuqe dhe jeleku me të njëjtën ngjyrë, së bashku me kostumin që ish-presidenti Ibrahim Rugova kishte përdorur gjatë vizitave me personalitete të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare janë pjesë e ekspozitës. Nuk mungonte as koleksioni i gurëve, që Rugova ia dhuronte miqve të tij. E as dhurata që ai i kishte marrë nga ish-presidenti amerikan.
Në vazhdim të pranishmit i përshendeti mysafirja zvicerane nga partia e CVP-së, Zonja Sabine Sutter-Suter, këshilltare në Kantonin Aargau, Presidente e Forumit të Gruas të CVP në Aargau dhe anëtare e kryesisë së Forumit të gruas të CVP në Zvicër.

Në pjesën e dytë të programit: DY LIBRAT E KOLONELIT AHMET KRASNIQI ; të ditarit "Shtatëmbëdhjetë shtatori" dhe të librit me analiza ushtarake "Shqiptarët në luftën kroate", me nga një fjalë rasti mbajtën

Shkrimtari dhe publicisti Skender Zogaj, në të cilën përgatiti dhe redaktoi të dy librat, dhe z. Fadil Kajtazi, ekspert i sigurisë dhe njëri nga katër recenzentët e librave.

Pastaj të pranishmit që ishin në një numër të madh shikuan ekspozitën dhe ndoqën me vëmendje promovimin e këtyre dy librave dhe në fund të programit zhvilluan një bashkëbisedim me sinqeritetin më të madh duke marrë edhe përgjigjie të sinqerta dhe korrekte nga panelistët për temat e promovimit.

Sepse, çdo mendim, libër, ditar dhe histori e shkruar nga njerzit meritor për veprat e veta dhe të njerzve që kontribuan për lirinë e Kosovës, është thesar dhe terapi e shëndetshëme për kombin. 

Andaj një minutë e kaluar në këtë atmosferë me ju së bashku të dashtun pjesmarrës dhe më ato rrëfime legjendash të gjalla që i përjetuam, është më e vlefshme se „njëmijë e një vjet në pallate e në kolltuqe" ...

Në fund në shenj falenderimi dhe nderimi, ju dhuruan mysafirëve nga një egzemplar të Monografisë së Degës së LDK-së në Zvicër: z. Skender Zogaj , z, Fadil Kajtazi, z. Sadik Krasniqi dhe z. Besnik Rraci, në të cilën u falenderuan me nderim të veçant.
Ndërsa librat e Kolonel Ahmet Krasniqit u dhuruan falas pjesmarrësve.

Haki Latifi

Fjala e Skender Zogaj :

„Me rastin e promovimit të dy librave të kolonelit Ahmrt Krasniqi, në qyetetet Zofingen dhe Burgdolf të Zvicrës.
(Ahmet Krasniqi: “Shtatëmbëdhjetë shtatori” (ditar burgu) dhe “Shqiptaret ne luftën kroate” (analiza ushtarake), botoi “Faik Konica” Prishtinë, 2019)

Të nderuar miq, Zonja dhe zotërinj,
Pjesëmarrës të respektuar –

Më lejoni ta shpreh kënaqësinë time të madhe, për këtë tubim solemn dedikuar dy librave të burrit të madh - kolonelit Ahmet Krasniqi, ish ministrit të Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe komandantit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i cili për meritat e larta ushtarake dhe atdhetare është dekoruar me titullin Hero i Kosovës. Po e theksoj këtë fakt sepse, në meritat e kolonlit Ahmet Krasniqi, bëjnë pjesë edhe të gjithë shqiptarët e Kosovës që kanë investuar djersën dhe frymën e shpirtit të tyre, për ta nxjerrë vendin nga robëria serbe dhe për ta realizuar ëndrrën shekullore për liri dhe pavarësi, që ishte qëllimi jetik edhe i kolonelit Ahmat Krasniqi.

Historia shqiptare që nga zanafilla e saj, është përplot me ngjarje e personalitete të përmasës botërore, që kanë sajuar epoka, sic është Hyjnesha me emrin e pastër shqip Afërdita, dhe pas saj emrat mitik, frymëzues të mbarë njerëzimit si: Pirroja, Aleksandri i Madh, Mbretëresha Teuta, Agroni e Bardhyli, Papa Klementi, Niketë Dardani e deri te Skënderbeu, që edhe sot, 500 vjet pas vdekjes, qëndron hijerëndë ndër 200 kryetrimat më të spikatur të botës.

Kësaj tradite i përket edhe trinomi historik i Kosovës, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova, komandanti legjendar Adem Jashari dhe koloneli Ahmet Krasniqi, i pari në historinë e Kosovës që iu rrek krijimit të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës, i vetëdijshëm se kjo ishte mënyra më e mirë dhe më efikase e mposhtjes së robërisë dhe e krijimit të shtetit të mirefilltë, të lirë dhe të pavarur.

Janë të freskëta faktet që flasin se kolonel Krasniqi simbolizonte shpresën e fitores, sepse ishte ushtaraku me përgatitjet më të larta shkollore dhe me përvojën ekselente në artin luftarak. Këtë e kanë theksuar oficerët e karrierës, kolegët, bashkëpunëtorët dhe bashkëveprimtarët, shokët dhe miqtë e Kolonelit, të cilët në filmin dokumentar të Shoqatës Sali Cekaj, kanë dhënë dëshmi të rëndësishme që pasqyrojnë figurën madhore intelektuale, atdhetare, profesionale dhe të gjithmbarshme kulturore e historike të Ahmet Krasniqit. Po e theksoj filmin dokumentar sepse është dokumenti i parë serioz, që pa glorifikime i qaset përmasës reale të kolonelit, pinjollit të familjes së Aziz Zhilivodës, luftëtarit të paeur për çlirimin dhe bashkim kombëtar, rrugën e të cilit e ndoqi edhe Ahmeti, deri në mesnatën e 21 shtatorit të vitit 1998, kur plumbat ia ndalën ecjen. Sa trishtuese dhe e dëmshme ishte kjo vrasje, po e tregon paslufta, sepse edhe 20 vjet pas çlirimit, Kosova ende nuk e ka arritur konsolidimin e duhur të Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës.

Miq të dashur,
Për jetën dhe veprimtarinë e kolonelit Ahmet Krasniqi, mbetet që ta thonë fjalën e tyre institucionet shtetërore të Kosovës, hulumtuesit, historianët, studjuesit, ushtarakët, studentët dhe publiku i gjërë, të cilët, për ta njohur mirë thellësinë e figurën poliedrike të kolonelit, nga ky cast promovues, domosdoshmërisht duhet të shërbehen edhe me dy librat e tij – ditarin “17 shtatori” dhe me librin “Shqiptarët në luftën kroate”, që janë sintezat e botës së tij shpirtërore e mendore, ndër ballafaqimet jetësore, me përjetime, qëndrime dhe botkuptime të autorit, në kohët më dramatike për te dhe për popullin shqiptar në përgjithësi.

Për kolonelin, koha e kaluar në burgjet serbe është nga më të rëndat. E keqja zë fill nga Kazerma “Kanjizha” e Gospiqit, (më e madhja në tërë e R Kroacisë), të cilën komandanti i saj, koloneli shqiptar, vullnetarisht ia dhuron Ushtrisë Kroate, e cila përfiton mbi 10 mijë tyta armësh nga revolveri e deri te raketat tokë-tokë e tokë-ajër. Rënia në duart kroate e këtij arsenali luftarak e trishton APJ-s, e cila menjëherë e burgos kolonelin, me akuzën për “rrënimin e fuqisë mbrojtëse të FA të RSFJ-s” Nga këtu për Kolonelin fillon golgota!
Pas hetimeve në Burgun e Tërsatit, koloneli ekstradohet në Burgun hetues të Beogradit. Hetimet nuk japin rezultatin e dëshiruara prandaj Kolonelit i vazhdohet syrgjynosja në Frontin e luftës, në Sllavoninë Lindore, ku vdekjen e ka më afër se këmishën. Por Ahmet Krasnqi rreziston si i ka hije një ushtaraku të vërtetë, dhe jo vetëm se nuk thyhet, por forcohet për ta realizuar misionin që ka para vetes. Në rastin e parë të volitshëm, ik në Kosovë, prej aty kalon në Maqedoni dhe në fund arrin në Shqipëri.

Është qershori i vitit 1992 kur Shqipërinë e ka mbërthyer kaosi. Koloneli e kupton se nuk ishin rrethanat e duhura për synimet e tij. Prandaj vendos të kthehet në Kroaci, i bindur se, për shërbimet që ia kishte bërë luftës kroate atje do të pritej si një hero. Por, në vend të luleve e presin prangat. Gjykata e Qarkut në Karlovc e dënon me dy vjet burg, me akuzën – për bashkëpunim me ushtrinë serbe e kundër ushtrisë kroate!

Ky është syzheu i Ditarit, për të cilin vet autori thotë: ”...asgjë nuk zbukurova, nuk ndryshova, nuk fsheha; pra, është një ditar origjinal... shërbimet sekrete të burgjeve (KOS dhe SIS) padyshim që e kanë fotokopjuar të tërin, kështun që, po iu dha dikujt mundësia që t’i ketë, do të shihet se kjo që po them është plotësisht e vërtetë...”

Krahas ditarit për figurën brilante ushtarake, profesionale dhe intelektuale të Kolonelit lexuesit kanë rastin të binden edhe nga libri i dytë - “Shqiptarët në luftën kroate”, që përbëhet nga dy analiza të thukta ushtarake.

E para titullohet “Analiza e shkaqeve kryesore të luftës në hapësirën e ish Jugosllavisë, shikuar nga pikëpamja ushtarake”– ku koloneli Krasniqi konstaton:

- Në pikëpamjen time, hegjemonizmi serbo-sllav është thelbi i problemit. Ky akrep i fatkeqësisë shekullore në hapësirat ballkanike tashmë është identifikuar si i këtillë dhe është detyrë jona për ta provuar e për ta treguar, sepse vetëm kështu mund të pasqyrohen rrënjët e kësaj dukurie denigruese dhe të merren masa konkrete – të korrigjohen padrejtësitë historike të hegjemonizmit serb, që ua ka shkaktuar popujve të tjerë, sidomos ne shqiptarëve, që jemi viktimizuar deri në absurd.

Pikëpamjet e autorit në këtë analizë nuk janë përshtypje por janë vlerësime shkencore të një oficeri elitar, që e argumenton shkatërrimin e jugosllavisë nga eskalimi ushtarak i hegjemonizmit serb kundër popujve tjerë jo-serbë, e veçmas kundër shqiptarëve të Kosovës duke kërkuar zhdukjen e tyre, me qëllim të krijimit të Serbisë së madhe.

Analiza e dytë titullohet: “Shqiptarët në luftën kroate” dhe bën fjalë për shqiptarët që APJ-ja ua kishte mbushur zemrat me dëshpërim dhe me urrejtje të pafund, prandaj masivisht ia kthejnë shpinën dhe’ia drejtojnë pushkën e hakmarrjes. Kështu veprojnë të gjithë shqiptarët në Kroaci që vetorganizohen dhe formojnë grupe të pastra ushtarake dhe luftojnë për Kroacinë që e konsiderojnë atdheun e tyre të dytë. Koloneli me mburrje flet për heroizmin e Shqiptarëve të Bogdanovcit (me prejardhje nga Gjurakovci i Istogu), të cilët në Frontin e Vukovarit tregohen më të fortë se granatat e artilerisë dhe urrejtja e kriminelëve të Serbisë, nga të cilët janë vrarë 10 dhe janë plagosur 6 shqiptarë të Bogdanovcit.

Në dy librat që po i promovojmë sot, lexuesi e gjen Ahmet Krasniqin ashtu siç ishte, i thjeshtë dhe modest, por burrëror dhe i vendosur për ta shprehur të vërtetën, pa ua vënë veshin thashethemeve të koluare prapa hijes së trupit të tij. I ka përjetuar të gjitha llojet e intrigave, prandaj më mirë se gjithkush e di peshën e padrejtësisë. Por, kundërvënia e Kolonelit është thellësisht e pikëpamjeve iluministe, sepse, i përket gjakut fisnik. Kjo është edhe mënyra e shkrimit që i karakterizon dy librat, sidomos Ditarin, që unë e konsideroj “model” të memoareve në publicistikën shqiptare.

Kështu kanë vlerësuar edhe katër recensentët e librave: akademiku Frashër Demaj, koloneli Anton Quni, eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi dhe shkrimtari e publicisti Rexhep Shahu nga Tirana, që me recensuat e tyre janë bashkudhëtarët e përjetshëm të librave të Kolonelit.

Shumë të respektuar pjesëmarrës,
Ndjehem i shpërblyer, shumë i lumtur dhe krenar që, bashkë me ju, nga ky takim kaq vëllazëror, po ua dëshirojmë udhën e mbarë dy veprave të kolonelit Ahmet Krasniqi, të cilat më shumë se 20 vjet kanë pritur dritën e botimit.
Dhe krejt në fund: Për organizatorët e kësaj veprimtari kaq nderuese, e kam vetëm një fjalë: Falemderit!“

Skënder Zogaj
Zofingen - Burgdolf, 25-26 maj 2019

Fjala e Recenzentit: Fadil Kajtazi

Promovimi në Zvicër i ditarit të Kolonel Ahmet Krasniqit “shtatëmbëdhjetë shtatori”

„Të nderuar, ne sot po paraqesim para jush dy botime, një ditar dhe një analizë ushtarake të lëna dorëshkrim nga kolonel Ahmet Krasniqi, Ministër i Mbrojtës i Republikës së Kosovës, të cilat arritën të shohin dritën e botimit nën përkujdesjen e shkrimtarit, gazetarit, politikanit dhe diplomatit Skënder Zogaj.

Kur lexova këto dorëshkrime, mbeta i shtangur dhe u ndjeva shumë i vogël, për të analizuar atë që kishte hedhur në letër Ahmet Krasniqi i madh.

Kur fillon së lexuar këto dorëshkrime, tani të përmbledhura në dy libra, s’ka se si të mos trishtohet njeriu, s’ka se si të mos hutohet, s’ka se si të mos lëndohet shpirtërisht për fatin tragjik të një njeriu të madh të kombit shqiptar.
Çka në të vërtet një lexues i kujdesshëm do të gjej në këtë ditarë?

E para, që në fillim lexuesi do të vërej se përballët me një mendje të ndritur, me një intelektual të mirëfilltë. Ditari i Ahmet Krasniqit i titulluar “Shtatëmbëdhjetë shtatori” nuk është një evidencë e thjeshtë e përditshmërisë së tij të kaluar në burgjet e ushtrisë jugosllave, por është një ditarë i thurur sipas një metodologjie që lexuesit të sotëm i vihet në dispozicion kronologjia e shkatërrimit të ngrehinës të quajtur Jugosllavi.
Ndonëse në rrethana burgu, Koloneli përshkruan me elokuencë antagonizmat e popujve sllav ku shpërfaq shovinizmin serb si gjenerator të krizës jugosllave.

Së dyti, në ato rrethana të vështira Koloneli ja arrin t’i ruaj me dinjitet rrënjët e trungut që i përkiste, atij shqiptar; Ai me vetëdije kaloi në anën e drejtë, edhe pse i dinte pasojat, ai as edhe vetëm njëherë nuk u ligështua, nuk ra përtokë para inkuizitoreve, as një herë nuk kërkoi lëmosh pre tyre. Koloneli ishte i bindur se KOS-i e dinte që ky me dëshirë ua kishte dorëzuar kroatëve 11 mijë gryka zjarri, por ata nuk kishin prova për ta faktuar këtë, prandaj karakteri i tij i fortë bëri që ai të ruante qetësinë, inteligjenca e tij bëri që të përballet me hetuesit e specializuar të KOS-it dhe për as një qastë atyre të mos ju krijoj alibi.

Së treti, ky ditar u shkrua në burg, dhe siç e shpjegon vet Koloneli përmes fusnotës, ishte i vetëdijshëm se në kohën kur atë e nxirrnin në shëtitje ose kur e dërgonin ta merrnin në pyetje, pjesët e shkruara KOS-i i fotokopjonte. Por, pavarësisht kësaj, ditari, fund e krye ka përmbajtjen të shkruar nga një shqiptar. Sikur ky ditar mos ta shihte dritën dhe të kishte mbetur anonim, me lehtësi do të kuptohej se është i shkruar nga një shqiptar i burgosur. Koloneli në mënyre indirekte persekutorëve ju dërgonte mesazhe se ju po më mbani vetëm se jam shqiptar. Ky është edhe përshkrimi simbolik i historisë fatkeqe të shqiptarëve nën regjimet serbe nga viti 1912 e këtej. Në mbamendjen e Ahmetit janë të fiksuara torturat mbi familjen (po citoj :“I kam parë me sytë e mi, torturat mizore mbi trupin e babës, Hajrizit, që vetëm policët serbë nën urdhëratë e UDB-së dinin t'i bënin. Zemra e fëmijës i përjeton tmerrshëm dhembjet për prindin. Tërë jetën kanë qëndruar para syve të mi, skenat makabre të torturimit të babës. O, Zot i Madh, sa të tmerrshme janë!” Këto “skena makabre” ishin pjesë e formësimit të karakterit të Ahmet Krasniqit, vigjilent dhe atdhedashës që pret çastin për t’u vu në shërbim të popullit të tij të shumëvuajtur.

Së katërti, duke shfletuar ditarin, por edhe librin me analiza ushtarake “Shqiptarët në luftën kroate” kuptojmë se kemi të bëjmë me një intelektual të mirëfilltë i cili nuk ka kaluar do si do nëpër karrierën ushtarake. Koloneli është lexues i pasionuar, as krizat më të mëdha atë nuk e ndajnë nga libri. Vetëm gjatë qëndrimit lexon një varg të gjatë veprash të letërsisë botërore, filozofisë, historisë, publicistikës. Nga komentet që Koloneli ua bën autorëve që i lexon, lehët kuptohet se ishte i brumosur me idetë e klasikëve të filozofisë, historisë, letërsisë dhe që është më e rëndësishmja të artit të luftës.

Dhe nga kjo trashëgimi e lenë, të cilën falë Skender Zogajt e kemi të botuar, do të kuptojmë se: Ahmet Krasniqi gjatë gjithë jetës ju përkushtua përgatitjes vendimtare, të një akti të vetëm: triumfit mbi barbarinë shekullore të ushtuar nga Ushtria e Serbisë, duke zotëruar artin dhe shkathtësitë e armikut të familjes dhe popullit të tij.
Dhe mrekullisht ja doli kur Koloneli Amet Krasniqi emërohet Ministër i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës.
Përherë të parë në historinë 100 vjeçare të konfliktit serbo-shqiptar, Ushtria e Serbisë u ndesh me formacion të rregullt ushtarak shqiptarë në Betejën e Loxhës me 6 Korrik 1998. Në këtë betejë, Brigada 143 UÇK-së e formuar nga Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, ministër i së cilës ishte Ahmet Krasniqi dhe e komanduar nga Kolonel Tahir Zemaj, ju shkaktoi disfatë formacioneve ushtarake serbe.
Nga kjo fitore, sigurisht se ai do të ketë kuptuar që ora e tij dhe e shqiptarëve kishte ardhur, siç do të kenë kuptuar edhe armiqtë se përballë kanë strategun i cili do t’i turpëroj në fushëbetejë - prandaj edhe vepruan me shpejtësi.

Se pas gjithë golgotës 100 vjeçare shqiptare, kishte mbetur ende dorë shqiptare që do të kryente porositë e padronëve serb dhe, do të shtinte pas shpinës në vrullin çlirimtar shqiptar, ketë nuk e kishte menduar kurrë Koloneli Ahmet Krasniqi. Fatkeqësisht, armiku atë dorë e gjeti në kryeqytetin e Shqipërisë.

Ku ka fat ma tragjik për një popull kur në kulmin e luftës i vriten gjeneralët, për t’i lënë injorancës në dorë komandën e ushtrisë. Dhe sipas historisë së luftës, po t’i vrasës armikut gjeneralin është art në vete, është stratagjema kulmore. Sigurisht që lajmi i vdekjes së Ahmetit në Beograd, në qendrat e shërbimeve sekrete që sajuan vrasjen, do të jetë pritur me gëzim.

Nga ajo që la trashëgim Ministri Ahmet Krasniqi ishte Brigada 138, e cila gjithashtu theu turpshëm ushtrinë serbe në betejën e lavdishme të Kosharës. Sa beteja do të ishin të lavdishme sikur me luftën për çlirimin e Kosovës të udhëhiqte Kolonel Ahmet Krasniqi? Sigurisht që këto beteja Kosovës tonë do t’i krijonin një fytyrë tjetër; Ushtria Çlirimtare e Kosovës do të ishte vërtetë çlirimtare, minimumi tre qytete ajo do t’i çlironte dhe do të hynte triumfuese, Kosova do të ishte më ndrysh, më me dinjitet dhe më krenare se sot. Nuk do të ndodhte që në gjykata ndërkombëtare të dënoheshin oficerët dhe ushtarë, nuk do të ndodhte që pas 19 viteve çlirim të vihet në diskutim territori i Republikës së Kosovës për të cilin dha jetën Kolonel Ahmet Krasniqi.“

Fadil Kajtazi
25.05.2019 Zofingen – Arau
26.05.2019, Burgdorf – Bern

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...