Prizrenasi Ali Basha, një jetë në mërgim, 4 vite në Gjermani 49 vite në Zvicër!

Zvicra

Prizrenasi Ali Basha, një jetë në mërgim, 4 vite në Gjermani 49 vite në Zvicër!

Nga: Haki Latifi Më: 3 dhjetor 2022 Në ora: 18:12
Foto familjare në 70 vjetorin e lindjës

Është njeriu i dashuruar në vlerat dhe traditat kulturore, shpirtërore e kombëtare. Është veprimtari i palodhur në mërgim dhe mërgimtari që flen dhe zgjohet me mendjen të atdheu.

Si plagë e tillë, (kurbeti) i ka pjekur njerëzit para kohe. I ka bërë të shkuar në kohë. E fytyrat e tyre duken të hajthme e plot rrudha jete.

Siç dihet, mërgimi, si fenomen shoqëror, i ka thadrruar e zbehur njerëzit tejmase. I ka bërë të jenë krejt “ndryshe” nga të tjerët.

Në vitet 60-70-të u hapën rrugët e mërgimit si asnjëherë më parë. Gjermania, Zvicra e Austria ishin vendet me më se shumti “punëtorë të përkohshëm“ nga Kosova. Përqëndrimi i tyre shpeshherë ishte krahinor, për arsye se mërgimtarët e rinj gjithnjë shkonin atje ku kishin të njohur. Ani se fjala ishte për të rinj që vinin kryesisht nga mjediset rurale, megjithatë, kjo gjeneratë mërgimtarësh ka luajtur një rol tepër të rëndësishëm në zhvillimin shoqëror siç janë: - ka kontribuar në ringjalljen e ekonomive familjare;

- ka sjellur në familje e në vendlindje përvoja përendimore të të menduarit dhe të të vepruarit, sidomos përvojën e funksionimit të shteteve demokratike;

- ka kontribuar në integrimin brendashqiptar, në ndërtimin e një kohezioni të qëndrueshëm, sepse mërgimtarët ishin në kontakt të përditshëm me bashkëkombas të të gjitha krahinave të banuara me shqiptarë në ish-Jugosllavi…, ndërkaq përmes radio Tiranës po edhe në forma të tjera kanë komunikuar shumë më shlirshëm edhe me Shqipërinë…

Personazh i këti shkrimi është, Ali Basha, i cili nuk është i vetëm, por ka edhe plotë si ai që jeta po i kalon në mërgim.

Mërgimi është vendi dhe buka e hidhur e njerëzimit.

Ali Basha nga Prizreni sivjet i ka mbushur 53 vite në kurbet. Ishte viti 1969, kur ai si 22-vjeçar ishte nisur për herë të parë dhe vendoset në Nürnberg të Gjermanisë. Ay fillon punën si murator në ndërtimtari, ku qëndron pë 4 vjet.

Në vitin 1974 ishte vendosur në Zürich të Zvicrës. Aty gjen punë po ashtu në ndërtimtari por fillon punën në zanatin e rregullimit të kulmeve (çative) të shtëpisë. Planet e tij ishin që të mos mbetet gjatë, të kthehet dhe të investoj në vendlindje, por nuk kishte qenë e shkruar ashtu.

E vizituam bashkë me time shoqe, Nexhmijën, më 02 dhjetor 2022, në banesën e tij në Sumiswald të kantonit të Bernit ku na pritën përzemërsisht bashkë me bashkëshortën e tij z. Fatime me vajzën e madhe Xhemile, e cila kishte ardhur nga Kosova në vizitë tek prindërit.

Ndërsa e reja Selveti– nusja e djalit, Ymerit, na shërbeu gjatë gjithë kohës sa qëndruam në vizitë.

Aliun e njoha këtu në Zvicër. Kishte ardhur shumë kohë para meje, dhe kudo që e takoja, shifej se ishte një burrë i zoti dhe besnik, që e donte Kosovën, LDK-në dhe Presidentin Dr. Ibrahim Rugova Rugoven.

Fati dhe rrethanat e kohës ishin të tilla që Ali Basha nuk arriti të vazhdoj shkollimin, nëna i vdiç herët dhe u desh herët ta merr barrën e kujdesit ndaj familjës. I tillë ishte fati i Ali Bashës, në të cilën të kujton tregimin; „Profeti Muhamed nuk dinte shkrim lexim por diti ta krijoi një Religjion.“

Mrekullia zbret nga mësuesi i qiellit...nuk guxon t'i gjykosh njerëzit me diploma, sepse diploma vjen e fundit! - Dija më e madhe në jetë është nderi. Kush është i ndershëm, është më i dituri.

“Mirëserdhe”, më tha me një buzëqeshje të ngrohtë, ashtu siç e njohin të gjithë ate si një njeri me mirësjellje dhe zemër të butë e bamirës.

Edhe pse me një qëndrim të gjatë në Mërgim, Baca Ali me trupin e tij të drejtë duket vital karshi barrës së vjetëve që i mban mbi supe. Ndërsa në fytyrë, rrudhat kanë zënë vënd sikur t’i kishte gëdhend dikush me daltë. Por Sharkinë me pesë tela e merrte dhe ia thoshte këngës saherë që mërzitet. Thotë: „vaji i burrit është kanga“.

Rrëfimi në veten e parë:

Në moshën 5 vjeçare i vdes Nëna, duke mbetur jetim me motrën e tij 2 vjeçare.

—Jam lindur, më 17 nëntor 1947, nga prindërit; Hysen dhe Selvishahe në Vraniç të Therandës. Për fat të keq, nëna na vdesë në moshën 5 vjeçare, duke na lënë jetim bashkë me motrën 2 vjeçare, Sevdijën. Në mungesë të kushteve babai detyrohet të gjente punë për të mbijetue, por për neve nuk kishte kush kujdesej.

Një ditë si fëmijë që ishim, pa kujdesje, në rrugë na gjen kusherini, Vesel Mal Basha dhe na merr në kujdesje për dy vjet në shtëpinë e tij (në bjeshkë, Stan i thojshin atëherë te Gurët e bardhë). Pastaj, pas dy vjete na merr në kujdesje daja i babës, Muharrem Qerkin Shahini nga Greikoci, edhe aty janë kujdesur për dy vjet për ne, deri sa martohet baba dhe jemi kthyer në shtëpi.

Për të mbijetuar qysh në moshë të re i kam ruajtur si bari bagëtin e fshatit me pagë (Rrogtar i thonin atëherë) delet, loptë etj.

Në vitin 1964 në moshën 17 vjeçare jam martuar me gruan që jetojmë edhe sot bashkë, Fatime Gashin nga Reshtani.

Ndërsa në vitin 1966 më morrën në shërbimin e detyrueshëm ushtarak ku i mbajta 18 muaj.

Ali Basha në vazhdim rrëfen për babën e nënës së tij, Bafti Qerim Shaikoci (Nuhaj) nga Jezerci, i cili u bashkohet kryengritjes në Ferizaj dhe ishte luftëtar kundër perandorisë otomane që udhëhiqej nga Haxhi Zeka e Sylejman Vokshi.

Shkollimi:

Rëfimin e vazhdon; -Shkollën fillore 4 vjeçare e mbarova në Bukosh komuna e Therandës(Suharekë).

Para se të shkoj në Gjermani, në Suharekë e kam ndjek kursin një vjeçar të mësimit për tu aftësuar si murator. Këto kurse atëherë i organizonte Enti për punësim në Prizren në bazë të kërkesave të tregut gjerman.

Në vitin 1976 nën organizimin e ish Bashkësisë Krahinore të Arsimit të Kosovës, në Cyrih të Zvicrës, i kam vazhduar mësimet në shkollën eksperimentale dhe e kam mbaruar me sukses.

Familja:

I martuar në moshën 17 vjeçare me fatin e jetës, z. Fatime Basha-Gashi nga Reshtani i Therandës, në të cilën krijuan një familje me fëmijë të shëndetshëm dhe të edukuar. Gruaja e tij, Fatimja, gjatë gjithë kalvarit u kujdes për të me shumë përkushtim por edhe baca Ali tash po ia kthen „borgjin“, pasi për shkak të problemeve shëndetësore që ka edhe ky kujdeset për gjendjen e saj. Fati i gëzoi me 6 fëmijë të mrekullueshëm, që edhe u bënë kuptimi i jetës së tyre. Pesë vajza e një djal; Xhemile, Selvishahe, Hanëmshahe, Mirishahe, Ymer, Mirëjeta si dhe jetojnë të lumtur me 12 nipa e mbesa. Fëmijët tashmë janë rritur, kanë krijuar familje dhe Baca Ali me zonjën Fatime vazhdojnë të jetojnë të lumtur me fëmijë, nipa e mbesa.

Në janar të vitit 1987 më vdes baba Hysen Mehmet Basha, duke më lënë një boshllëk në zemrën time.

Ali Basha, sot është në pension. Edhe pse është është 75-vjeçar është vital, gëzon shëndet të mirë. Thotë se asnjëherë s’e kishte paramenduar që do të mbetet 53 vite në Kurbet.

Jeta në kurbet, Ali Basha vjen me një rrëfim interesantë për lexuesit.

-Kur shkova në punë të përkohshme në Gjermani, ishte e para herë, pas kryerjes së ushtrisë, që merrja me tren një udhë aq të gjatë.

Pasi i kisha dorëzuar letrat në Birov (kështu i thonin atëherë, Enti për punësim dhe aftësim) të Prizrenit dhe, më vonë më kanë pranuar aty, kam ndjekur një kurs një vjeçar për murator. Pastaj kam nxjerre pasaporrin dhejam bërë gati për me marrë udhë. Në koferin e ushtrisë shoqja ma kishte vënë një pulë të pjekur, ca kokrra vezë, disa gurabi, një peshqir, një sapun, një palë ndërresa të brendshme, ndërsa në fund vendosa ta marrë edhe Sharkinë me 5 tela që e kisha blerë me kursimet e mia kur i ruaja delet.

Fillimi shumë i vështirë

-Unë në kurbet kam ardhur në vitin 1969. Fillimi ka qenë tepër i vështirë. Nuk dinim gjuhë. Punën nuk e njihnim, puna ishte e rëndë, sepse unë në Kosovë kam punuar si bari delesh, ndërsa këtu kur erdha fillova të punoj në ndërtimtari, por puna më dukej shumë e rëndë. Nganjëherë mendoja me vete se si do t’i kaloj 12 muaj.

Atëherë nuk kishte shumë shqiptarë aty ku fillova me punue. Herë pas here, të dielave shkoja te Bahnhofi se mos po e shoh ndonjë të njohur. Me kalimin e kohës mësova se ku ndodheshin ata që i njihja dhe për çdo javë shkoja ose vinin te njëri-tjetri.

-Fillova të punojë në një firmë ndërtimore si Murator. Kurseja çdo qindarkë. Fillimisht ushqehesha vetëm me djathë e kos, ndërsa më vonë u mësova të ziejë pasul e supë. Nganjëherë shkoja në Tregun e Plaçkave, ku bleja tesha e këpucë të vjetëruara, që mund të barteshin prapë… kështu rrokulliseshin muajt.

Pastaj pas 4 vjetëve kam kaluar në Zvicër, në vitin 1974 në Zürich. Në fillim punova si sezonier. Unë këtu u tregova si punëtor i mirë dhe për katër sezone rregullisht siguroja garancionet për nëntë muaj punë, ndërsa në 3 muaj të dimrit për pushime shkoja te familja në Kosovë.

Në vitin e pestë të punës unë u pajisa me vizë ‘B’, ndërsa kur i bëra dhjetë vite punë u pajisa edhe me vizën ‘C’. Pastaj mu dha e drejta që t’i marrë me vete fëmijët. Zakonisht vizat e punës fillonin nga muaji mars dhe zgjatnin deri në fund të dhjetorit. Këtu erdha dhe mbeta edhe sot e kësaj dite-53 vite në Kurbet .

Rroga si motivim

-Mirëpo, kur e mora rrogën e parë dhe të dytë më erdhi një vullnet, sepse fillova të bëj llogarinë me dinarin në Jugosllavinë e dikurshme. Këtu p.sh. i fitoja nga 2300-2400 Fr. në muaj dhe kur i shndërroja në dinar bënin shumë. Frangi zvicerian kishte shumë vlerë në atë kohë.

Në Gjermani angazhohet në veprimtari të ndryshme dhe merr pjesë në demostratat e protestat e atëhershme të cilat organizoheshin nga mërgata të cilat kishin për qëllim ta njoftonin opinionin ndërkombëtarë për padrejtësitë që iu bëheshin shqiptarëve të Kosovës nga shteti serbojugosllav.
-Në fillim në Gjermani dhe Zvicër kam jetuar i vetëm pa familje.

Edhe pse çdonjëri nga ne mendon të kundërtën. Rruga e kurbetit është rrugë shumë e vështirë, pasi asnjëri nuk fillon në atë rrugë me vetë-dëshirë. Rrethanat e këqija, papunësia, mos garancioni për një të ardhme të ndritshme janë ndër arsyet parësore për marrjen e vendimit për tu larguar nga vendi më i ëmbël i quajtur vendlindje.

Bashkimi me familjen ia lehtësoi jetën në Zvicër

-Por, pasi mora vizën, ardhja e familjës ma ndryshoi tërësishtë jetën, sepse ne në atë kohë jetonim në kushte të vështira. Vet e përgatitnim ushqimin, i pastronim rrobat. Ishim vetëm burra në atë kohë. Më herët, këtu në Zvicër ligji nuk lejonte që të marrësh edhe familjen, sepse kishim vizë sezonale dhe jo vjetore.

Veprimtaria:

Për herë të parë, më 28 nëntor 1971 në Gjermani, në qytetin Pasing të München-it, në kremtimin e 28 nëntorit, mu dha rasti me ndihmën e dajës Ymer Bafii Shaikoci të inkuadrohem në Ballin kombëtar dhe takohem për herë të parë me atdhetarin e shquar Hysen Tërpeza. Në këtë tubim një fjalim e ka mbajtur Hysen Terpeza, kurse unë kam recitue himnin e flamurit. „Rreth flamurit të përbashkuar,

me një dëshirë e një qëllim,

të gjithë atij duk’iu betuar

të lidhim besën për shpëtim“ …. Shkruar nga Asdreni. Pastaj u lexue një letër përshëndetëse nga mbretëresha Gjeraldinë, ku nëmes tjerash kërkon që të mobilizohemi dhe të punojmë bashkë për çlirimin e trojeve shqiptare. Aty kam filluar edhe bashkëpunimin me veprimtarin nga Gjakova, Abdullah Fejzullah-Kika, i cili ishte edhe afaristë.

Ndërsa në Zvicër më vonë i kam përkrahur organizimet ilegale të udhëhequra nga vëllezërit Jusuf e Bardhosh Gërvalla e Kadri Zeka. Në të cilën kam marrë pjesë në shpërdarjen e fletushkave, pamfletëve, revistave dhe kam marrë pjesë në Protesta që i organizonin në Zvicër e Gjermani.

Në 100 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit në vitin 1978, i ka pasë dhanë një shtytje grupeve, organizimeve ilegale se të gjitha grupet dhe organizimet ilegale në atë kohë qëllim parësor kanë pasë bashkimin e trojeve shqiptare, çlirimin nga Jugosollavia dhe bashkimin e trojeve shqiptare edhe këto kanë qenë ato rrethanat që mu më kujtohet që kanë pasë ndiku ma së shumti që ne me u organizue. Qëllimi tjetër ishte edhe shkatërrimi i klubeve që i kontrollonte ambasada dhe konsulata ish jugosllave.

Takimi dhe «vizita» e Bollovan Rexhë Blakaj ish Konsull i jugosllavisë në Cirih.

në vitin 1978, në një ndeje në kantonin Uri, bashkë me tezakun Hali Baiselmoni kënduam këngë; „Babesinë po e ban malësia“, aty kanë qenë edhe shokë të tjerë, një Shaban Dermaku na shërbene me duhan dhe kafe,besa edhe na bënte komplimente por më herët nuk e kam njoft. Pasi kemi fjetur, të dielën jemi ardhur në Cyrih. Kontakte tjera nuk kemi patur me të. Një muaj ma vonë, patëm dal në qytet me tezakun dhe rrugës kur u kthyem për në banesë, e shohim para banesës ku banonim në Cyrih, kishte ardhë një automjet i tipit Citröen. Ne hymë në banesë, kur aty e pashë Shaban Dermakun dhe një nënpunës - kondsull i cili u quajt Bollovan Blakaj. Aty më lindën dyshimet dhe pyetjet se kush janë dhe pse kishin ardhur?. Në bisedë e sipër, Bollovi më pyeti si ishte puna dhe se për ç’farë kishin pas mosmarrëveshje me Rexhep Paloja për librat „veprat e Enver Hoxhës“ që i keni shpërnda në Ferizaj?

Ju përgjigja se nuk po ju kuptoj se për çka e keni fjalën (u bëra se nuk e kuptova dhe i thash se këto janë propaganda që nuk na dojnë të mirën). Në rregull më tha kështu i kam do informacione. Dhe u ngrit ër të dalë prej banese. Në ndarje Bollovani8 më vonë kuptova se ishte konsull në Konsulatën e ish Jugosllavisë në Cyrih), ma la një letër në xhep, ku shkruante; «Ali urdhnoni eja në konsullat por pa Shabanin.»

Një të shtune shkova në konsullat, pasi u përshëndeta, në zyrën e tij i kishte mbi tavolinën e punës tre flamuj: Jugosllav, të Zvicrës dhe shqiptar dhe një revole.

Ishte një javë para se të mbahej protesta në Bruksel.

Më pyeti; - a e din pse të kam ftuar? - Jo i thash. Deshi të më impononte që të shkoj të vëzhgoj protestën në Bruksel. Unë ndërkohë iu përgjigja: o z. Blakaj unë me krah pune e nbaj familjën, dhe llogaritë e mia janë i kam bo, qe pasaportën time po ta jap dhe kurrë mos e pafsha. Unë quhem Ali Basha, në Bruksel kam me shkue edhe për krah Isuf Gërvallës kam me ndejt, dhe nëse dikush ka me sulmue Isufin unë me trupin tim kam me mbrojt. Ndërkaq, Bollovanit i rrodhën lotët, më tha: A ia thua edhe dikujt këto fjalë? Iu përgjigja: kush ka nevojë dhe më bon kësi pyetje unë njejt kam me iu përgjigj.

Bollovani mu përgjigj: nëse ia thua edhe dikujt, veten e paç në qafë, por nëse nuk e fletë me dikë dhe nuk të pushkatojnë, shko në Istog ku e kam shtëpinë e vjetër dhe trokit në derë, kush të përgjigjet mos i thua asgjë, vetëm pështye tri herë dhe i thua, këto e keni dhuratë prej Blakaj në Cyrih. Dhe me Shabanin mos ecë se Shabani është spiun. E unë kam mendue se edhe ti je si Shabani për këtë shkak të kam ftue. I thash se unë me Shabanin nuk kam shoqëri dhe përveç në atë ndeje në kantonin Uri e kam pa dhe e kam njoft. Pas 7 muaj kam kuptuar se shërbimi i UDB—së Jugosllave e arreston Bollovan Blakaj dhe e burgosin, ku disa vite e vuan denimin.Më vonë nuk kam patur kontakte me të.
Në atë kohë në regjimin ish Jugosllav ka qenë e ndalume shprehja e lirë e fjalës, do të thotë ka qenë sistemi një partiak ku ka qenë i ndalum kundërshtimi, edhe në mënyrë verbale... ka qenë çdo gjë e ndalume, pasi vazhdimisht edhe në mërgim u përgjojshmi nga shërbimi i fsheft i UDB-ës së ish Jugosllavisë.. I vetmi burim për radhët patriotike ka qenë shtypi ilegal, literatura ilegale ose përmes Radio Tiranës. Radio Tirana ka qenë në atë kohë një burim për ne... dhe informacionet, ka qenë shumë ta themi diçka sikur ta kërkojmë diellin, a mundemi pa diell? Në atë kohë ne kemi pasë Radio Tiranën, ose Shqipërinë e kemi pasë, i vetmi burim për neve ka qenë... sepse në atë kohë kanë qenë dy rrugë, o’ m’u drejtu nga Beogradi, o’ nga Tirana, e ne jemi orientu nga Tirana. Kemi pasë ndërmarrë shpërndarjen e pamfletave, i kemi organizu edhe më kujtohet parulla kryesore është që ka pasë ba shumë jehonë ka qenë, “Trepça punon, Beogradi ndërton”, „Kosova Republikë“, „Duam bashkim me Nanën Shqipëri“, etj. Ky aktivitet ka zgjat deri në fund të viteve 80-ta të shekullit të kaluar.

Vazhdimi i veprimtarisë në LDK

Me formimin e LDK-së në Zvicër në vitin 1990, dhe me inisiativën tënde (Haki Latifi) dhe përkrahjen e shokëve t’jerë u formua Nëndega në e LDK-së në Burgdorf, ku unë fillova të angazhohem në LDK-ës në Burgdorf dhe në të gjitha aksionet tjera qofshin ato humanitare, arsimore, kulturore, sportive por edhe kombëtare. Isha pjesëmarrës gati ne të gjitha protestat dhe demostratat që organizoheshin në Zvicër, kryes i disa aksioneve si ai i 3 % -shit, si dhe shumë aksione tjera të cilat u organizuan për ta ndihmuar UÇK-në gjatë luftës në lokalitetin tonë nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf/BE. Ndërkaq, gjatë viteve 1990-1999, pas hapjës së shkollës shqipe në Burgdorf nga nëndega e LDK-së në Burgdorf, jam angazhue për hapjën e mësimit në gjuhën shqipe të mësimit plotësues në Sumiswald, në të cilën patëm angazhue mësuesin Shefki Rudari. Si dhe kam qen koordinator për ndihma me Shoqatën Bëmirëse «Nënë Tereza» në Littau të Lucernit,i caktuar nga Nëndega e LDK-së në Burgdorf bashkë me Pjetër Zallin.

Çdo gjeneratë ka cilësitë e veta, dijën e vetë, kulturën e vet dhe mund të japin rezultate. Por, e vlerësoj shumë gjeneratën e re, po ashtu, e vleresoj përvojën, resistencën e qëndresën e gjeneratës së vjetër dhe gjeneratës së mesme të LDK’së. Ndërkaq, pata fatin të kontriboj me mundësit e mia modeste në kohën e njeriut që e udhëhoqi një popull dhe e shpëtoi nga një masakër dhe një varr kolektiv të organizuar nga pushtuesi barbar serb. Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova, në fund rezultoi me atë që besojmë dhe e themi – u lind për të shkaktuar procese të mëdha, për të realizuar ëndrrën e vetë, e ky ishte i madhi President, Dr. Ibrahim Rugova, në të cilën i mbetëm besnik filozofisë së tij deri në frymën e fundit.

Të jesh gjithnjë i gatshëm për çdo kërkesë të LDK-së në vitet 90-ta, Lëvizjës gjithëpopullore për Liri, Pavarësi e Demokraci, duhej të kishe shumë energji, shumë vullnet, duhej të privoheshe nga shumë gëzime familjare, duhej t’i harxhoje kursimet në një fushë krejt tjetër, duhej ta rrezikoje në vazhdimësi vendin e punës…, duhej t’i hapshe vetit dhe familjes telashe të mëdha me njërin prej shteteve më të fuqishëm të asaj kohe në Evropë…

Në prag të protestave e demonstratave, duhej të përgatisnim bashkë banderolat, parollat e bisedonin deri në mëngjes…

Gjatë rrëfimit i ndërhy dhe ia kujtoj rastin kur në shtator të vitit 1998, ku gjatë luftës në Kosovë u takuam me të në Lokalin e Nëndegës së LDK-së, disa paisje logjistike të blera për brigadën 131 të UÇK-së të pranishëm ishin; Hysen Shehu, Skender Berisha, Pjetër Zalli, Shaip Zeka, Ramiz Gashi. Dhe mjetët duhej dorëzuar eprorit të luftës, Komandant Hafirë Hoxha në Cirih. Më pyeti; ç’farë po bani, kah po shkoni kështu, na pyeti me shejtanllëk. Po shkojmë në një dasmë iu përgjigjëm ne pak si me mjegull… A po me merrni me veti, më pyeti, duke na e rrudhur syrin. Qesi krushqish po lypim, iu përgjegjem. Bashkë, deri në vdekje, na tha, dhe u nisëm… Detyrën e morri dhe e kreu me përgjegjësi. Gjatë rikujtesës sime më ndërhynë; - Eu bre Haki si i paske mbajt në mend dhe s’paske harrue.

Asnjëherë s’e kishte paramenduar që do të mbetet 53 vite në kurbet.

-Unë kurrë se kam menduar vetën se do t’i bëj këtu 53 vite jetë. Ne mendonim që të ktheheshim pas dy vitesh. Ne planifikonim që të blejmë tokë, dhe pata blerë në Prizren dhe aty e ndërtova një shtëpi. Patëm blerë dhe traktorë, sepse bënim plane që të ktheheshim, mirëpo s’kishte qenë e shkruar. Shteti nuk na ofroi kurrfarë kushtesh atje.

Kurbeti dikur dhe sot

-Sot në krahasin me kohën kur unë pata ardhur në fillim mund të them se jeta ka ndryshuar për 80 për qind. Kurbeti dikur ishte i vështirë, kurse sot është më i lehtë. Tani teknologjia ka ecur larg. U zbuluan telefonët mobil, janë aeroplanët, ka dinamikë tjetër zhvillimi, kuptohet pozitive. Në kohën time kemi udhëtuar me trenë, në pushime shkonim rrallë, pothuajse në gjashtë muaj. Sot kemi krijuar familje këtu, i kemi shkolluar fëmijët. Ndërsa, për shqiptarët që kanë lindur këtu jeta është shumë më e mirë. Të rinjë e të reja shqiptar këtu po shkollohen deri në gradat më të larta të shkollimit, kanë hapur biznese të ndryshme, punojnë nëpër institucione shtetërore, ndërsa në kohën time kjo ka qemë e paimagjinueshme.

Jeta në pension, herë këtu, herë në vendlindje.
-Tani ka 10 viet që kam dal në pension. Po kalojmë mirë. E falënderoj Zotin që edhe me shëndet jam mirë. Jetën tani po e kaloj me nipa dhe mbesa dhe në shoqëri me miq e shokë. Zoti na ka falë mjaftueshëm dhe unë e bashkëshortja jemi të kënaqur. Të them të drejtën më shumë kohë kalojmë këtu në Zvicër, pasi këtu i kam të gjithë: përveç vajzës së madhe, vajzat e t’jera, djalin, nipërit, mbesat dhe shumë miq dhe familjarë të tjerë, ndërsa gjatë verës shkojmë për pushime në Kosovë.

Ajo çka më shqetëson në kohën e sotme në këtë dinamik zhvillimi; duhet të flasë kah del shpirti, si thonë viteve të fundit e kemi humbur edhe ndjenjen e humanitetit, mirësisë dhe respektit ndaj nëri tjetrit. Ne e kemi humbur shumë edhe ndjenjën e ndihmës së njerëzve ne nevojë. Kjo nuk është mirë.

Ali Basha ështe edhe lexues i pasinonuar por edhe këndon herë pas here kur e merr malli për këngën e bukur shqipe. Ai i reciton me dashuri vargjet nga „Lahuta e Malcisë“ së Gjergj Fishtës. Me pasion e përkushtim tregon anekdotat e tregimet popullore. Është i dashuruar në bardhësinë e plisit dhe në vlerat e kulturës dhe tradiave shqiptare.

Malli për vendlindje

Në këso rastesh, më shumë se asnjëherë tjetër malli i mbledhur me vite për familjen e vendlindjen te sëcili kurbetçar shpërthen vetëvetiu dhe në trajtat më të dhimbshme:

„Po, shpeshherë më merr malli për krojet në Vraniq, në krejt Kosovën nuk ka asi kroje. Është një damar uji që vjen drejt nga bjeshka, i ftohtë akull por edhe dyqysh i amël. Me qat ujë jam rritë e jam fresku… Aty pari këndojnë zojt si askund tjetër në botë. Ndërsa kur kositen livadhet dhe korret gruni tan natën këndojnë gjinkallat. Kënga e tyre m’bojke me pa andrra me sy çelë. Shpesh më merr malli për kangën e tyne…

Qe besa, m’ka marrë malli edhe me u ngjitë bjeshkës përpjetë e me i ndi kumontë e dhenëve dhe kur ia thotë kangës qyqja dikund në shpat… Kryq e tërthur i kam ra Evrop’s, por nuk ka vend ma të bukur se Kosova…“

Kur malli e dhimbja e shtrinin për tokë u rrëfehej shokëve të ngushtë:

„Kaniherë kam qef me dalë n’mal, me i ni kumriat tuj knu, kur bojnë ‘gugu Isuf, gugu Istref’, ma shumë më duket si vajtim se si kangë. Më duket se po këndojnë dhe po qajnë për djemtë e bijat e Kosovës. Mos ma merr për keq, po e due shumë at vend. Mos ma nxen për të madhe që spo muj me i mbajt lotët…“

…U ndamë përzemërisht, duke e falënderuar mikun nga Prizreni, Ali Basha, për mikpritjen dhe duke i uruar njëri-tjetrit shëndet e mbarësi, gëzime e lumturi, në jetën vetjake e familjare.

Pas shtrëngimit të duarve nxorra nga qesja me dhuratë dhe i dhurova librin tim, “Rrënjet e Fisit të Lashtë ”. Nisi ta vërejë me kureshtje duke më falënderuar përzemërsisht. Ali Basha është nga të rrallët që, e vlerëson librin si një dhuratë të çmuar duke e shfletuar qysh në çastin e parë.

Për në fund shfrytëzoj rastin që të gjithë shqiptarëve t’ju uroj shëndet dhe mbarësi në jetë!

Faleminderit për bisedën!

Faleminderit edhe prej teje, për kujdesin dhe vizitën.

Zoti të bekoftë!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat