Dyzet dështime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Aktuale

Dyzet dështime për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Më: 1 korrik 2025 Në ora: 06:55 Përditësuar në ora: 12:12 më 01.07.2025
Kuvendi i Kosovës

Çka ndodhi në seancën e dështimit të 40-të?

Për herë të dyzet (40) ka dështuar konstituimi i legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i kësaj seance ka dështuar në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë.

Në sallë kanë qenë të pranishëm 100 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu Kodra i bëri thirrje Deharit për respektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Deliu-Kodra-Deharit: Respektoje aktgjykimin

“Kryesues po të bëjmë thirrje edhe një herë respektoje kushtetutën, ktheju rendit të ditës dhe respektoje aktgjykimin

Dehari: Ju lutem vetëm për propozim, regjia të ndërpritet. Regjia ndërpritja mikrofonin.

Ndaj tij ka reaguar deputetja më e re, Sala Jashari.

Jashari: Mos ja ndal, e ka të drejtën e saj.

Dehari: Regjia të lutem ndërprite mikrofonin”, thanë ata.

Njëjtë ndodhi edhe me deputetin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj.

Zemaj: Kryesues zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese

Dehari: Regjia le të ndërpritet. Regjia, ju lutem le të ndërpritet”, thanë ata.

Dehari nuk lejoi të flas as deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj

Kadrijaj: Ne si Aleancë e propozojmë Albin Kurtin

“Ne si Aleancës kemi ndryshuar qëndrim, na vjen keq. Dhe e kemi një emër për komision.

Dehari: Vetëm propozim asgjë tjetër, Propozo.

Kadrijaj: Ne e kemi një emër për komision dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, tha ajo.

Dehari vazhdoi seancën duke hedhur në votim komisionin për votim të fshehtë i cili nuk mori votat e mjaftueshme.

Dehari: Ndërpritet seanca

“51 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka pasur, abstenim nuk ka pasur, ndërpritet seanca. Shihemi me 03.07.2025 në orën 11:00”, tha ai.

Kushtetuesja javën e kaluar ka sjellë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim – zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve.

Krasniqi: Nesër do të jem në takim te presidentja, kemi kërkuar qysh herët që të involvohet

Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, konfirmoi pjesëmarrjen në takimin e nesërme me parti politike, të thirrur nga presidentja, Vjosa Osmani.

“Kam pranuar ftesë. Nesër është takimi dhe unë do të jem aty. Qëndrimi që e kemi pasur gjithmonë. Ne ka dy- tre muaj që po mundohemi që të gjejmë zgjidhje për të ofruar kompromise për të dalë nga kjo situatë.

Nesër do të jem te presidentja. Ne kemi pasur kërkesë qysh herët që presidentja të involvohet”, tha Krasniqi.

Çitaku akuzon VV-në për shkelje të Kushtetutës: PDK vazhdimisht e gatshme për zgjidhje

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas ndërprerjes për herë të 40-të të seancës konstituive të Kuvendit, duke akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryesuesin Avni Dehari për shkelje të Kushtetutës.

“Fatkeqësisht edhe sot, me vetëdije të plotë, po e shkelin Kushtetutën”, tha ajo para mediave.

Çitaku theksoi se PDK është gjithmonë e gatshme për zgjidhje dhe i bëri thirrje LVV-së që të reflektojë dhe të kthehet në sallë për ta vazhduar punën.

Dështon seanca e Kuvendit

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë dështuar për të 40-tën herë me radhë, të martën, që ta konstituojnë përbërjen parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Më 1 korrik u shënua hera e tretë që deputetët nuk arritën kurrfarë progresi në konstitutimin e Kuvendit që nga shpallja e një aktgjykimi nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila më 26 qershor obligoi deputetët që brenda 30 ditësh të konstituojnë Kuvendin – afat që skadon më 26 korrik.

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma Socialdemokrate, si dhe Lista Serbe, që nga 1 maji po refuzojnë që të propozojnë anëtarë për një komision që do të mbikëqyrte një votim të fshehtë për kryeparlamentarin e ri.

Sot tentimi i 40-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës

Deputetët do të tentojnë për herë të 40-të, sot në orën 11:00 të konstituojnë Kuvendin e Kosovës.

Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar të dielën punimet seanca konstituive e Kuvendit.

Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj.

Kryesuesi Dehari rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati. Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të martën, më 1 korrik, në orën 11:00.

Nga zhvillimet e tjera presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim, për shkak të situatës me ngërçin politik. Kështu ka njoftuar Bekim Kupina, këshilltar për Media i Presidencës së Kosovës.

“Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do t’i thërrasë liderët e partive politike në takime gjatë ditëve në vijim”, ka konfirmuar ai.

Më tej Kupina ka bërë të ditur se presidentja Osmani pret që partitë e përfaqësuara në Kuvend ta zbatojnë Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe ta përfundojnë seancën konstituive brenda 30 ditësh, siç ka kërkuar Gjykata.

“Nëse paraqitet nevoja, Presidentja mbetet e gatshme t'i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime shtesë”, ka thënë ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat