Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, së bashku me deputeten Edona Llalloshi, ka zhvilluar një bashkëbisedim me nxënës të shkollave të mesme në Prishtinë, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”.
Takimi është mbajtur në ambientet e shkollës “Gjin Gazulli”, ku është diskutuar për barazinë, respektin, dinjitetin njerëzor dhe rëndësinë e edukimit të hershëm në parandalimin e dhunës.
Përmes një postimi, Gërvalla ka theksuar se parandalimi i dhunës fillon nga edukimi i brezave të rinj dhe mënyra se si ndërtohen raportet mes vajzave dhe djemve.
Ajo bëri të ditur se mendimet dhe shqetësimet e nxënësve do të merren parasysh edhe gjatë hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031.
Postimi i saj:
Edukimi për barazi fillon shumë përpara se fëmijët të përballen me padrejtësitë e jetës. Fillon në mënyrën si i mësojmë të shohin njëri-tjetrin, si të kuptojnë dinjitetin njerëzor dhe si të mos e ngatërrojnë kurrë forcën me dhunën. Fëmijët që rriten me këto vlera nuk mësojnë vetëm të mos lëndojnë të tjerët, por edhe të mos pranojnë padrejtësinë si diçka të zakonshme.
Bashkë me deputeten znj. Edona Llalloshi, këtë bisedë e zhvilluam sot me nxënës të kryeqytetit nga shkollat e mesme “28 Nëntori”, “7 Shtatori”, “H.K. Prishtina” dhe “Abdyl Frashëri”, në ambientet e shkollës “Gjin Gazulli” në Prishtinë, në kuadër të fushatës “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”. Bashkëbisedimi me të rinjtë tanë ishte një rast për të shkuar përtej mesazheve të zakonshme kundër dhunës dhe për të trajtuar atë që qëndron në fakt në themel të saj: mënyrën si formohen bindjet, si ndërtohen raportet ndërmjet vajzave dhe djemve dhe si kuptohet respekti në jetën e përditshme. Parandalimi i dhunës kërkon pikërisht këtë punë të hershme me brezat e rinj, sepse asnjë shoqëri nuk mund të jetë vërtet e barabartë nëse pabarazinë e toleron që në edukimin e brezave të saj.
Nuk mjafton t'u themi fëmijëve se dhuna është e gabuar. Duhet t'i rrisim me aq shumë respekt për veten dhe për të tjerët, saqë dhuna, poshtërimi dhe pabarazia të mos kenë kurrë vend në mënyrën se si ata e kuptojnë botën.
Mirënjohëse për diskutimet e frytshme, mendimet e vërejtjet që nxënësit ndanë me ne. Perspektiva e tyre, shqetësimet dhe pritjet e tyre janë të rëndësishme dhe do të na ndihmojnë që edhe në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Mbrojtjen nga Dhuna 2027–2031, zëri i brezit të ri të jetë pjesë e rrugës sonë drejt një shoqërie që nuk e toleron dhunën, në asnjë formë dhe ndaj askujt.