Pacolli: Nis restaurimi i lumenjve në katër komuna, synohet mbrojtja nga përmbytjet

Aktuale

Pacolli: Nis restaurimi i lumenjve në katër komuna, synohet mbrojtja nga përmbytjet

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 19:15
Fitore Pacolli

Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli ka bërë të ditur se ka nisur një fazë e re e projekteve për restaurimin e lumenjve në Kosovë, pas vendimit për ndalimin e betonimit të tyre, të marrë në prill të këtij viti.

Përmes një njoftimi, Pacolli ka bërë të ditur se janë nënshkruar memorandumet e bashkëpunimit me komunat e Klinës, Obiliqit, Kamenicës dhe Mamushës për restaurimin e lumenjve dhe zbatimin e Zgjidhjeve të Bazuara në Natyrë.

Sipas saj, marrëveshjet janë nënshkruar në kuadër të Programit IWRM-K, i cili bashkëfinancohet nga Qeveria e Zvicrës dhe Qeveria e Kosovës.

Pacolli ka theksuar se kjo qasje synon mbrojtjen e ekosistemeve dhe uljen e rrezikut nga përmbytjet, përmes ndërhyrjeve që respektojnë rrjedhën natyrore të lumenjve.

Ndër masat që parashihen janë rikthimi i bimësisë përgjatë brigjeve, largimi i barrierave që pengojnë rrjedhën natyrore dhe krijimi i më shumë hapësirave për lumenjtë.

Ajo ka bërë të ditur se këto katër komuna do të jenë të parat që do ta zbatojnë këtë model, i cili synohet të shërbejë si standard për projektet e ardhshme ujore në Kosovë.

Po ashtu, brenda gjashtë muajve, në bashkëpunim me Programin IWRM-K, pritet të hartohet një udhëzues me standardet për Zgjidhjet e Bazuara në Natyrë, i cili do të zbatohet në projektet e restaurimit të lumenjve në të gjithë vendin.

“Po i japim fund praktikave që dëmtojnë lumenjtë. Ne investojmë vetëm në zgjidhje që mbrojnë natyrën dhe qytetarët tanë!”, ka deklaruar Pacolli.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat