Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka njoftuar se në Kosovë kanë mbërritur edhe 13 autoambulanca të reja, të cilat së shpejti do të shpërndahen nëpër komuna.
Përmes një postimi, Vitia ka bërë të ditur se autoambulancat janë të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme për mbështetjen bazike të jetës (BLS).
Sipas tij, këto pajisje mundësojnë ndërhyrjen në vendngjarje dhe vazhdimësinë e kujdesit ndaj pacientit gjatë transportit drejt spitalit.
Vitia ka theksuar se forcimi dhe modernizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor në komuna është i rëndësishëm për reagim të shpejtë dhe ofrim të shërbimeve cilësore shëndetësore.
“Me pajisje moderne dhe kapacitete të shtuara, synojmë shërbime emergjente më të shpejta, më të sigurta dhe më cilësore për qytetarët tanë”, ka shkruar ai.