Kurti synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhime vendore, zbulon planin për bizneset

Aktuale

Kurti synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhime vendore, zbulon planin për bizneset

Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 13:11
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se brenda 4 vjetësh synon të zëvendësojë 1 miliard euro importe me prodhime vendore, përmes një agjende që parasheh mbështetje financiare dhe lehtësira për bizneset.

Në konferencën “The Future of Business: From Opportunity to Investment”, të organizuar nga Data4X në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Kurti tha se Kosova vazhdon të importojë produkte që ka kapacitet t'i prodhojë vetë.

“Ne ende blejmë jashtë shumë nga ato që mund t’i prodhojmë vetë. Agjenda Një Miliard Euro ka logjikë të thjeshtë. E identifikojmë atë që e importojmë e që mund ta prodhojmë këtu, dhe pastaj e prodhojmë. Nuk është proteksionizëm një gjë e tillë. Tregjet tona vazhdojnë të mbeten të hapura dhe kompanitë tona do të konkurrojnë me kompanitë që vijnë tek ne”, deklaroi Kurti.

Sipas tij, gjatë vitit 2025, Kosova ka importuar mallra në vlerë mbi 7 miliardë euro, ndërsa eksportet kanë qenë afër 1 miliard euro. Ai tha se rreth 4 miliardë euro nga importet përbëhen nga produkte që mund të prodhohen në Kosovë.

Kryeministri bëri të ditur se Qeveria synon të mbështesë prodhuesit vendorë përmes garancive shtetërore për kredi investive, me qëllim zgjerimin e prodhimit dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Duke folur për zhvillimet ekonomike, Kurti prezantoi edhe disa tregues për vitin 2026.

Sipas të dhënave që ai paraqiti, qarkullimi i bizneseve në 9 muajt e parë të vitit arriti në 18.6 miliardë euro, apo 10% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.

Ai tha se në shtator ishin regjistruar 426 mijë vende pune, 12 mijë e 200 më shumë se një vit më parë, ndërsa eksporti i mallrave gjatë 10 muajve të parë arriti në 960 milionë euro, duke shënuar rritje prej 24%.

Kurti njoftoi se nga takimet me përfaqësuesit e bizneseve ka dalë një plan veprimi me 10 kërkesa konkrete, për të cilat janë përcaktuar institucionet përgjegjëse dhe afatet e realizimit.

Ndër masat e paralajmëruara është edhe hyrja në fuqi, deri në fund të vitit, e ligjit për vonesat në pagesa, sipas të cilit për vonesat mbi 30 ditë do të paguhet kamatë.

Po ashtu, ai paralajmëroi ridizajnimin e skemës së granteve, në mënyrë që mbështetja financiare të kombinohet me kredi dhe garanci.

Në planin e Qeverisë, sipas Kurtit, janë edhe lehtësimi i procedurave për lejet ujore, certifikatat e eksportit dhe harmonizimi i trajtimit të humbjeve nga Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës.

Kryeministri theksoi se rezultatet e këtyre masave do të vlerësohen në pranverën e vitit 2027, përmes analizimit të të dhënave doganore dhe tatimore.

“Ajo që matet, bëhet. Në pranverë të vitit 2027 do të kthehemi prapë në takime, do t’i lexojmë bashkë të dhënat doganore e tatimore. Ato nuk kanë opinion”, u shpreh Kurti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat