Kuçi kritikon qasjen e BE-së ndaj Serbisë

Aktuale

Kuçi kritikon qasjen e BE-së ndaj Serbisë

Nga: A.M. Më: 25 nëntor 2026 Në ora: 18:31
Gurakuç Kuçi

Njohësi i sigurisë, Gurakuç Kuçi, ka kritikuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj Serbisë, duke vlerësuar se ndryshimi i udhëheqjes politike në Beograd nuk nënkupton domosdoshmërisht ndryshim të kursit të saj gjeopolitik.

Në një reagim lidhur me Samitin BE–Ballkani Perëndimor, që po mbahet në Bruksel, Kuçi ka theksuar se Serbia po refuzon sërish pjesëmarrjen, kësaj radhe nën udhëheqjen e re politike të dalë nga Lista Studentore.

Ai ka vënë në pah dallimin ndërmjet qasjes së Kosovës dhe asaj të Serbisë ndaj integrimit evropian dhe arkitekturës së sigurisë.

“Përderisa Kosova po merr pjesë aktive dhe po angazhohet në arkitekturën evropiane të sigurisë dhe integrimit, Beogradi vazhdon të shmangë ballafaqimin me detyrimet e tij evropiane”, ka shkruar Kuçi.

Sipas tij, mungesa e Serbisë në këtë samit merr rëndësi të veçantë për shkak të kërkesave që përmban draft-deklarata, përfshirë përafrimin me sanksionet e BE-së ndaj Rusisë, dënimin e mohimit të gjenocidit, glorifikimit të kriminelëve të luftës dhe revizionizmit historik.

Kuçi ka përmendur gjithashtu detyrimet që lidhen me suksedimin e ish-Jugosllavisë, si dhe kushtëzimin e mbështetjes financiare me rezultate konkrete në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.

Ai ka kritikuar edhe qasjen e deritanishme të Brukselit ndaj Beogradit, duke kërkuar që BE-ja të mos vazhdojë me udhëheqjen e re atë që ai e cilëson si “stabilitokraci”.

“BE-ja nuk guxon të vazhdojë me udhëheqjen e re serbe stabilitokracinë që kultivoi gjatë pushtetit të Vuçiqit, duke toleruar politika destabilizuese në emër të ruajtjes së stabilitetit rajonal”, ka theksuar ai.

Në reagimin e tij, Kuçi ka vlerësuar se Kosova po dëshmon orientimin strategjik përmes përafrimit me politikën e jashtme evropiane dhe kontributit në sigurinë rajonale, ndërsa Serbia, sipas tij, vazhdon të prodhojë pasiguri gjeopolitike përmes politikës ndaj Kosovës dhe marrëdhënieve me Rusinë.

Në fund, ai i ka bërë thirrje Brukselit që të dallojë shtetet që kontribuojnë në stabilitet nga ato që, sipas tij, e përdorin destabilitetin për përfitime diplomatike.

“Brukseli duhet të bëjë dallimin ndërmjet shteteve që kontribuojnë në stabilitet dhe atyre që instrumentalizojnë destabilitetin për përfitime diplomatike”, ka përfunduar Kuçi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat