SHBA, deri tani janë bërë mbi 72.8 milionë doza vaksine

Amerika

SHBA, deri tani janë bërë mbi 72.8 milionë doza vaksine

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 21:48
SHBA

Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) tha se deri të shtunën në mëngjes në Shtetet e Bashkuara ishin bërë 72'806'180 doza vaksine kundër COVID-it dhe ishin shpërndarë 96'402'290 doza.

Shifrat përfshijnë vaksinat e kompanive Moderna dhe Pfizer/BioNTech të aplikuara deri në orën 6 të shtunën. Si vaksina e Pfizerit ashtu edhe e Modernas kërkon dy doza për imunizim.

Agjencia federale CDC tha se deri të shtunën në mëngjes 48,435,536 persona në Shtetet e Bashkuara kishin bërë të paktën një dozë, ndërsa 23,698,627 persona kishin bërë të dyja dozat.

Image

7,043,540 doza janë bërë në qendra për kujdesjen ndaj të moshuarve dhe personave me probleme serioze shëndetësore, tha agjencia.

Ritmet e vaksinimit pritet të përshpejtohen me miratimin e pritshëm të një vaksine të tretë që ofron imunizim vetëm me një dozë.

Vaksina e Tretë​

Një panel këshillimor ekspertësh i Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) votoi të premten në favor të autorizimit të vaksinës me një dozë ndaj COVID-19 të kompanisë Johnson & Johnson për përdorim emergjence, duke e afruar atë një hap më pranë shpërndarjes në Shtetet e Bashkuara.

FDA-ja ka të ngjarë të autorizojë vaksinën për përdorim emergjent brenda një dite apo më shumë, duke e bërë atë vaksinën e tretë të disponueshme në Shtetet e Bashkuara dhe të vetmen vaksinë me vetëm një dozë.

Paneli i përbërë nga mjekë, ekspertë të sëmundjeve infektive dhe studiues të mjekësisë votuan unanimisht se përfitimet e vaksinës tejkalojnë rreziqet e saj tek njerëzit e moshës 18 vjeç e lart.

Kompania J&J ka thënë se do të jetë në gjendje të dërgojë tre deri në katër milionë doza të vaksinës javën e ardhshme nëse merr autorizimin e përdorimit emergjent, siç pritet.

Më shumë se 50 milionë doza vaksinash janë administruar në të gjithë vendin, një moment historik që u vu në dukje të enjten nga Presidenti Joe Biden.

Por shfaqja e varianteve shumë ngjitëse të virusit vetëm ka rritur urgjencën për të imunizuar qindra miliona njerëz më shumë ndaj një virusi që ka marrë jetët e më shumë se gjysmë milioni njerëzve në Shtetet e Bashkuara.

Kreu i Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve të premten shprehu shqetësimin se një rënie e kohëve të fundit në rastet e COVID-19 në Shtetet e Bashkuara mund të ndalet.

Në një provë klinike me 44'000 persona, vaksina e kompanisë J&J në përgjithësi ishte 66% efektive në parandalimin e rasteve të moderuara deri në ato të rënda të COVID-19, krahasuar me injeksionet e placebos.

Vaksinat me dy doza të prodhuara nga kompania Pfizer Inc në bashkëpunim me kompaninë BioNTech SE dhe nga kompania Moderna Inc ishin rreth 95% të efektshme në provat kryesore klinike. Ekspertët paralajmëruan që të mos bëhet shumë një dallim midis vaksinave sepse provat klinike kishin qëllime disi të ndryshme dhe më e rëndësishmja, studimet për vaksinat e Pfizer / BioNtech dhe Modernas ishin kryer para se të shfaqeshin variantet më ngjitëse të virusit në Afrikën e Jugut, Brazil dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Prova klinike e kompanisë J & J ishte duke u zhvilluar kur variantet e reja po qarkullonin dhe madje po mbizotëronin në disa nga vendet ku u testua.

Gjithsesi, vaksina e saj ishte 100% efektive në parandalimin e shtrimeve në spital 28 ditë pas vaksinimit dhe nuk pati vdekje nga COVID-19 në radhët e personave që morën vaksinën.

Gjatë takimit, një drejtues i kompanisë J&J tha se kompania po zhvillonte një vaksinë të gjeneratës së dytë që do të synonte variantin shqetësues të Afrikës së Jugut dhe do të jetë gati për të filluar provat e Fazës 1 deri në këtë verë.

Vaksina e kompanisë J&J mund të ruhet në temperatura normale frigoriferike, duke e bërë shpërndarjen më të lehtë sesa për dozat e kompanive Pfizer / BioNTech dhe Moderna që përdorin teknologjinë RNA dhe transportohen të ngrira.

Vaksina e kompanisë J & J përdor një virus inaktiv të zakonshëm të njohur si "adenovirusi tip 26" për të futur proteina të koronavirusit në qelizat në trup dhe për të shkaktuar një përgjigje imune./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat