Nënpresidentja Harris parashtron strategjinë për të trajtuar shkaqet themelore të migracionit

Amerika

Nënpresidentja Harris parashtron strategjinë për të trajtuar shkaqet themelore të migracionit

Më: 29 korrik 2021 Në ora: 17:21
Kamala Harris

Pasi parashtroi një strategji të gjerë që shmang hollësitë dhe afatet kohore, Nënpresidentja Kamala Harris tha të enjten se përpjekjet për të adresuar shkaqet themelore të migrimit nga tre vendet e Amerikës Qendrore nuk do të japin rezultate të menjëhershme.

Zonja Harris tha se të vetme, Shtetet e Bashkuara nuk mund të trajtojnë motivet e thella që i detyrojnë njerëzit të largohen nga Guatemala, Hondurasi dhe El Salvadori, siç janë korrupsioni, dhuna dhe varfëria. Qeveritë e Meksikës, Japonisë dhe Koresë së Jugut, së bashku me Kombet e Bashkuara, janë zotuar të bashkohen në këtë strategji, tha ajo pa dhënë hollësi.

"Ne do të mbështetemi mbi ato strategji që funksionojnë dhe do të largohemi nga ajo që nuk funksionojnë," shkruan zonja Harris. "Nuk do të jetë e lehtë dhe përparimi nuk do të jetë i menjëhershëm, por ne jemi të përkushtuar për të bërë atë që duhet".

Zonja Harris vuri në dukje se kohët e fundit vizitoi Guatemalën, "ku një nga sfidat më të mëdha është korrupsioni". Të martën, administrata Biden tha se pezulloi bashkëpunimin me Zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të Guatemalës pas shkarkimit të prokurorit të lartë të agjencisë anti-korrupsion, duke thënë se "humbi besimin" në gatishmërinë e këtij vendi për të luftuar korrupsionin.

Shtëpia e Bardhë publikoi gjithashtu një "Strategji Bashkëpunimi për Menaxhimin e Migracionit", të cilën Presidenti Joe Biden e kërkoi në shkurt për të përcaktuar se si Shtetet e Bashkuara do të punojnë me vendet e tjera për të adresuar flukset e migracionit. Ashtu si strategjia për shkaqet themelore, dokumenti me një faqe është një deklaratë e përgjithshme parimesh, shumë prej të cilave janë mbështetur nga Presidenti Biden dhe ndihmës të lartë më parë. Ato përfshijnë zgjerimin e mbrojtjes dhe mundësive për punësim në vendet ku njerëzit po largohen, duke krijuar më shumë rrugë ligjore për të ardhur në Shtetet e Bashkuara dhe duke nxitur "menaxhim të sigurt dhe njerëzor të kufijve".

Detyra e zonjës Harris, të cilën Presidenti Biden e mori përsipër kur ishte nënpresident në kohën e Presidentit Barack Obama, është jashtëzakonisht e gjerë për nga sfera e veprimit dhe kompleksitetit, dhe administrata është përpjekur të hartojë përgjigje afatshkurtra dhe afatgjata.

Autoritetet kufitare amerikane raportuan një numër të madh imigrantësh në kufirin meksikan në qershor, me rritje të konsiderueshme të njerëzve që mbërrijnë me familje dhe fëmijë që udhëtojnë vetëm. Kjo prirje duket se po vazhdon në korrik, kur temperaturat në rritje shpesh i pengojnë njerëzit të vijnë.

Një grup prej 509 migrantësh nga Amerika Qendrore dhe Jugore u dorëzuan vetë të hënën në mbrëmje në Hidalgo të Teksasit, disa orë pasi një grup tjetër prej 336 migrantësh u pa aty pranë, tha Brian Hastings, shefi i sektorit të Patrullës Kufitare në Luginën Rio Grande, korridori më i ngarkuar për kalimet ilegale.

Të hënën, Departamenti i Sigurisë Kombëtare tha që rinisi dëbimet e përshpejtuara, për familje "të caktuara" që nuk kanë shprehur frikë se do të persekutohen po të kthehen në vend. Shumë familje që hyjnë në mënyrë të paligjshme në vend janë lënë të lirë në Shtetet e Bashkuara me urdhër që të paraqiten në gjykatën e imigracionit ose tek autoritetet e imigracionit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat