SHBA, Gjykata e Lartë rrëzon ligjin që vendoste kufizime për mbajtjen e armëve në publik

Amerika

SHBA, Gjykata e Lartë rrëzon ligjin që vendoste kufizime për mbajtjen e armëve në publik

Më: 23 qershor 2022 Në ora: 19:51
Foto ilustrim

Në Shtetet e Bashkuara, Gjykata e Lartë rrëzoi të enjten një ligj që vendoste disa kufizime për mbajtjen e armëve në shtetin e Nju Jorkut, një vendim ky që pritet të ketë ndikim në shumë shtete të tjera sa i përket armëmbajtjes.

6 gjyqtarë votuan pro rrëzimit të ligjit dhe 3 votuan kundër, ndërsa pritet që pas këtij votimi shumë njerëz të mbajnë armë në rrugët e qyteteve më të mëdha të vendit, duke përfshirë Nju Jorkun, Los Anxhelosin, Bostonin etj.

Gjykatësi Clarence Thomas, i cili shprehu qëndrimin e shumicës së kësaj gjykate, tha se Kushtetuta mbron “të drejtën e një individi për të mbajtur një pistoletë për vetëmbrojtje jashtë shtëpisë”.

Me këtë vendim të Gjykatës së Lartë të Shteteve të Bashkuara rrëzohet një ligj i shtetit të Nju Jorkurt që iu kërkonte banorëve të tregonin se kishin nevojë të veçantë, në mënyrë që të mbanin një armë me vete në publik.

Por sipas 6 gjyqtarëtve të Gjykatës së Lartë kjo kërkesë shkel të drejtën e garantuar nga Amendamenti i Dytë, për mbajten e armëve. Shumë shtete të tjera si Kalifornia, Merilend, Nju Xhersi etj. kanë ligje të ngjashme.

Vendimi nga Gjykata e Lartë vjen pasi dy senatorë demokratë dhe republikanë njoftuan të martën se është arritur një marrëveshje mbi një projekt-ligj dypartiak, kundër dhunës me armë, duke i hapur rrugën një votimi nga Kongresi në përgjigje të incidenteve me armë në Teksas dhe Nju Jork që tronditën vendin.

Projek-ligji do të kërkonte kontrolle më të forta për biografinë e blerësve të armëve në moshë të re, do të kërkonte më shumë kontrolle të biografisë të shitësve dhe do të rriste gjobat për trafikantët e armëve.

Projekt-ligji gjithashtu parashikon fonde për shtetet dhe komunitetet që synojnë përmirësimin e sigurisë në shkolla dhe për nismat e reja të trajtimit të problemeve të shëndetit mendor./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat