Burimet: Juria e Madhe për hetimin ndaj ish-presidentit Trump, nuk mblidhet më këtë javë

Amerika

Burimet: Juria e Madhe për hetimin ndaj ish-presidentit Trump, nuk mblidhet më këtë javë

Më: 29 mars 2023 Në ora: 06:19
Donald Trump

Juria e madhe e Manhatanit që ka dëgjuar dëshmitë në lidhje me paratë e paguara në emër të ish-presidentit Donald Trump nuk do të mblidhet më këtë javë për të shqyrtuar prova për këtë çështje.

Kjo do të thotë se nëse do të ketë një vendim për një aktakuzë të mundshme, kjo nuk do të ndodhë deri javën e ardhshme, thanë të martën dy persona që kanë dijeni për këtë çështje.

Juria u mblodh të hënën dhe një mik i vjetër i zotit Trump dhe dëshmitar i mundshëm me rëndësi për hetimin u pa të largohej nga ndërtesa ku po mblidhej juria e madhe.

Juria e madhe është mbledhur rregullisht të hënave dhe të mërkurave pasdite, por nuk mbajti seancë të mërkurën e kaluar dhe u mblodh të enjten e kaluar për çështje të tjera.

Ish-presidenti Trump deklaroi më 18 mars në platformën e tij të mediave sociale, se ngritja e akt-akuzës ishte e pashamngshme dhe tha se priste të arrestohej të martën e kaluar.

Përfaqësuesit e tij thane më pas se nuk kishin marrë ndonjë sinjal të tillë për një kohë të mundshme arrestimi nga prokurorët e Manhatanit.

Zyra e Prokurorit të Qarkut të Manhatanit, e cila drejton hetimin, ka ndërmarrë disa hapa që shihen si sinjalizues se mund të jetë pranë përfundimit të hetimit, përfshirë një thirrje për të dëshmuar për zotin Trump.

Megjithatë, statusi i saktë i hetimit mbetet i paqartë.

Personat që konfirmuan se nuk pritej ndonjë veprim shtesë në lidhje me ish-presidentin Trump këtë javë nuk ishin të autorizuar të flisnin publikisht për procedurat sekrete të jurisë së madhe dhe e bënë këtë në kushte anonimiteti. Prokurori i Qarkut nuk ka komentuar./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat