Gjendet gjallë, e mbyllur në rulotë 9-vjeçarja e rrëmbyer të shtunën në New York

Amerika

Gjendet gjallë, e mbyllur në rulotë 9-vjeçarja e rrëmbyer të shtunën në New York

Më: 3 tetor 2023 Në ora: 17:24
Një vajzë 9-vjecare

Një vajzë 9-vjecare që u zhduk të shtunën teksa luante me fëmijë të tjerë gjatë një pik-nik-u me familjen në New York, është gjetur mbrëmë e mbyllur në rulotën e rrëmbyesit të saj te dyshuar, njoftonin autoritetet në SHBA.

Charlotte Sena u gjet nga trupat e policisë – dy ditë pasi ishte rrëmbyer në parkun e liqenit Moreau, në një zonë të pasur të New York. Vajza raportohej në shëndet të mirë sipas policisë.

47 vjeçari Craig Ross Jr, është arrestuar si autor i dyshuar për ngjarjen e rëndë dhe po merret në pyetje.

Policia kishte gjetur Charlotte të fshehur e të mbuluar në rulotë, njoftonte guvernatorja Kathy Hochul duke thënë se e vogla “e kuptoi shpejt se po shpëtohej”.

Grupet e armatosura të policisë kishin hyrë në pronën, ku Ross thuhet se fillimisht kishte rezistuar ndaj ndërhyrjes. Ai ende nuk është akuzuar formalisht për krimin teksa marrja në pyetje vijon. Policia nuk ka publikuar pamje të të ndaluarit dhe nuk dihet nëse ai njihte familjen e të rrëmbyerës.

Hochul shtoi më tej në deklaratë se Ross Jr. “kishte kaluar me makinë te shtëpia e prindërve të Sena dhe kishte lënë një letër duke kërkuar dëmshpërblim”, dhe shtoi se policia e kishte identifikuar atë nga shenjat e gishtërinjve në letër.

Ross Jr nuk ka treguar ende motivin e aktit të tij, por mediat thonin se i ndaluari është një pedofil vendas, i dënuar më parë.

Ngjarja është ende e paqartë por Charlotte u dërgua në qendrën mjekësore Albany pasi u shpëtua ndërsa besohet se ishte marrë me forcë në automjet dhe më pas dërguar drejt pyllit.

Vajza u gjet rreth 15 km larg shtëpisë së familjes së saj.

Hetimet vijojnë.

Vajza ishte me biçikletën e saj me fëmijë të tjerë te shtunën, kur duket se vendosi të kryente një xhiro vetëm. Prindërit e saj të dëshpëruar thanë se ishin alarmuar shpejt kur nëntë-vjeçarja në klasë të katërt, nuk dukej më pas 15 minutash, tha guvernatorja e New York, Kathy Hochul.

Biçikleta e vajzës së zhdukur u gjet rreth orës 6.45, pasditen e të shtunës.

Zyrtarët dhanë alarmin e një rrëmbimi të mundshëm për fëmijën e racës së bardhë, flokë biondë e sy jeshilë, rreth 1.37 metra e gjatë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat