Mbyllet zyrtarisht USAID, Rubio: Fondet i menaxhon DASH, fillon një epokë e re

Amerika

Mbyllet zyrtarisht USAID, Rubio: Fondet i menaxhon DASH, fillon një epokë e re

Më: 2 korrik 2025 Në ora: 00:04
Foto ilustrim

Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar, e njohur ndryshe si USAID u mbyll zyrtarisht me fillimin e muajit korrik.

Sekretari amerikan i shtetit, Marco Rubio tha se ajo që mbetet nga USAID do të integrohet në Departamentin e Shtetit, nën mbikëqyrjen e tij.

“Më 1 korrik, USAID ndërpreu zyrtarisht dhënien e ndihmës së huaj. Programet e ndihmës që përputhen me politikën qeveritare dhe u shërbejnë interesave amerikane do të menaxhohen nga Departamenti i Shtetit”, tha Rubio.

Ish-presidentët amerikanë George W. Bush dhe Barack Obama vlerësuan punën e agjencisë dhe e e quajtën mbylljen e saj të pashpjegueshme.

Pas kthimit në Shtëpinë e Bardhë në janar, Donald Trump kërkoi të shpërbënte USAID duke e akuzuar agjencinë për shpërdorim të fondeve dhe për promovimin e vlerave që ishin në kundërshtim me interesat e Shteteve të Bashkuara.

Menjëherë pasi mori detyrën më 20 janar ai nënshkroi një urdhër ekzekutiv që pezulloi ndihmën e jashtme amerikane.

Agjencia u themelua nga presidenti i atëhershëm John Kennedy në vitin 1961 dhe menaxhonte një buxhet vjetor prej 42.8 miliardë dollarësh, që përbën 42 përqind e ndihmës humanitare globale.

Fondet amerikane ishin një pjesë e madhe e buxheteve të agjencive të ndryshme të kombeve të bashkuara dhe organizatave të ndihmës dhe humbjet nuk ka gjasa të zëvendësohen shpejt.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat