Demokrati 53-vjeçar u dërgua në spital pasi ndjeu mpirje në krah gjatë një ndeshjeje hokeji të djalit të tij. Mjekët janë optimistë për shërimin e tij të plotë.
Senatori amerikan Chris Murphy është shtruar në spital pasi ka pësuar një goditje në tru. Lajmin e ka bërë të ditur të dielën shefja e kabinetit të tij, Allison Herwitt.
Demokrati 53-vjeçar u dërgua në spital të shtunën, pasi kishte ndier mpirje në krahun e tij, ndërsa po ndiqte ndeshjen e hokejit të djalit.
Pas ekzaminimeve mjekësore, u konstatua se Murphy kishte pësuar një goditje në tru. Më pas, ai u transferua në spitalin “Johns Hopkins” në Baltimore.
Shefja e kabinetit të senatorit bëri të ditur se mjekët janë të inkurajuar nga përparimi i tij dhe se gjendja po shkon drejt përmirësimit.
“Mjekët janë të inkurajuar nga përparimi i tij. Ai është i zgjuar dhe i vetëdijshëm, dhe ne jemi optimistë se do të shërohet plotësisht”, deklaroi Herwitt.