Nderimet tona për Martin Luther King filluan në Prishtinë 50 vjet më parë - Bota Sot
Nderimet tona për Martin Luther King filluan në Prishtinë 50 vjet më parë

Amerika

E shtunë, 17 nëntor 2018

Nderimet tona për Martin Luther King filluan në Prishtinë 50 vjet më parë

Gjekë Gjonlekaj/New York Nga Gjekë Gjonlekaj/New York Më 5 prill 2018 Në ora: 17:58
Martin Luther King

Në pranverë të vitit 1968 isha student në Fakultetin Juridik të Prishtinës. Më 4 prill të vitit 1968 u njoftua me shpejtësi rrufeje vrasja e udhëheqësit të Drejtave Civile në Shtetet e Bashkuara Dr.Martin Luther King Jr. Për Martin Luther King kisha njohuri të gjëra. Shtypi i vendit dhe mjetet ndërkombëtare të informacionit kishin komentuar e botuar shkrime të shumta për aktivitetet e këtij profeti amerikan. Për ne studentët shqiptarë të Prishtinës emëri i këtij liberatori ishte shumë i dashur. Ne ishim një rini revolucionare ashtu siç kishin qënë rinia uniniversitare e vendeve më të përparuara të botës perëndimore.

Ne rinia studentore e Kosovës përveçë Martin Luther King,kishim adhuruar pa masë Ernesto Che Gevarën  dhe Patrice Lumumbën. Në atë kohë i nderonim për  idealet e tyre revolucionare. Bile disa prej studentëve i mbanim portretet e tyre në dhomat tona në konvikte. Martin Luther King  e nderonim edhe më shumë për aktivitetet e tij kundër Luftës amerikane në Vietnam. Ai kishte mbajtur shumë fjalime kundër kësaj Lufte. Ky ishte shumë i famshëm për luftën e tij për të drejtat civile në Amerikë.  Për rininë shqiptare në ish Jugosllavi ky ishte simbol lirie e barazie. Veprimtaria e tij për ne kishte domethënje të shumanshme. 

Vrasjen e tij e pritëm me dhimbje e protesta. Studentët e fakulteve dhe shkollave të larta të Prishtinës ishim mbledhur më 4 prill të atij viti tragjik para Fakultetit Juridiko-Ekomik të Prishtinës. Në oborrin e këtyre dy fakulteteve ishim mbledhur për të protestuar për vrasjen e tij. Atë ditë kishin protestuar edhe studentët e Universitetit të Beogradit. Në protestën e atij Universieti kishin marrë pjesë mijëra studentë dhe disa personalitete poltike. Fjalimin për vrasjen vrasjen e Martin Luther King e kishte mbajtur Rektori i Universitetit të Beogradit Profesor Dr. Dragisha Ivanoviq.

Ai kishte njohuri të gjëra për Shtetet e Bashkuara,sepse kishte specializuar fizikën dhe matematikën në këtë vend. Fjalimin e tij e kishte transmetuar drejtëpërsëdrejti Radio-Prishtina. Natyrisht se Profesor Ivanoviq foli kundër politikës raciste të Amerikës. Kishte folur edhe kundër Luftës së Vietnamit. Të gjithë e kishin pranuar se ishte njëri prej oratorëve më të njohur të atij vendi. Dragisha Ivanoviq kishte lindur në Kuç të Malit të Zi dhe kishte njohuri të gjëra për shqiptarët. Bile Ai kishte ndihmur shumë themelimin e Universitetit të Prishtinës më 15 janar te vitit 1970. Rexha Suroi dhe Dragisha Ivanoviq kishin mbajtur fjalimet kryesore në ditën e themelimit të këtij Universiteti.

Protesta jonë për vrasjen e Martin Luther King ishte një hap i mirë dhe i guximshëm për studentët dhe nxënësit shqiptarë në Kosovë dhe më gjerë. Studentët shqiptarë më 4 prill të vitit 1968 u mblodhën për herë të parë një protestë shumë liridashëse. Parullat tona "liri për popujt e shtypur" kishte domethënje të madhe, sepse edhe ashtu siç kishin qënë zezakët e Amerikës edhe ne e ndjenim veten të shtypur nga regjimi jugosllav.

Nuk ishim bashkuar asnjëherë për lirinë tone dhe as për lirinë e ndonjë populli tjetër të shtypur. Mbase kjo protestë kishte qënë frymëzim për demonstratën e përgjakshme të studenteve të Prishtinës më 28 nëntor të vitit 1968 e cila solli dhimbje të mëdha por edhe fitore historike për Kosovën. Rinia shkollore shqiptare e Kosovës dhe e viseve tjera arbërore ishte një rini e shëndosh, kombëtare dhe revolucionare. Ajo rini kishte vlera të larta morale dhe kombëtare. Ishte një rini e përparuar  por jo shoviniste. Sot pas 50 vjetësh e kujtoj atë rini studentore shqiptare me dashuri e respekt të jashtzakonshëm. Shumë nga ata idealista dhanë jetën e tyre për lirinë e Kosovës ashtu siç e kishin dhënë Martin Luther King dhe shumëe idealista tjerë.

Pas protestës për vrasjen e Martin Luther King u shpërndamë të gjithë nëpër banesat të konvikteve në qytet. Në gusht të atij viti Bashkimi Sovjetik sulmoi Çekosllovakinë dhe përsëri studentët shqiptarë në bashkëpunim me disa professorë u mblodhëm në amfiteatrin e ketyre fakulteteve për te dënuar poltikën dhe sulmin sovjetik të Çekosllovakisë. Këtë mbledhje e kishte drejjtuar profesori  i Fakultetit të Drejtësisë Ramadan Vraniqi. Ne kishim bindjen që kjo mledhje ishte e lirë. Pyetja ime ndoshta më shumë naive se e guximshme:"kur do të fillojmë protestat për të drejtat tona"i shkaktoi zemërim të madh profesor Vraniqit. Ngriti zërin dhe më bërtiti ulu mos e mos folë më. Mbase për këtë pyetje studentët e Fakulteti të Drejtësisë më emëruan për të marrë pjesë me studentët e fakulteteve të tjera në vorrimin e Jan Palach-ut në Pragë.

elegacionin e studentëve shqiptarë të Kosovës e drejtonte Profesor Dr. Gazmend Zajmi njëri prej profesorëve dhe intelektulalëve më të njohur shqiptarë në ish Jugosllavi. Për mua u ndalua udhëtimi  në Pragë  sepse nuk isha anëtar i Partisë Komuniste të Jugosllavisë dhe për këtë nuk mund të më jipej pasaporta. Profesor Zajmi më kërkoi falje të sinqertë për këtë pengesë. Edhe tragjedia e Jan Palahut kishte qënë një tjetër shëmbull për rininë patriotike të Kosovës.

Më 15 janar të vitit 1970 u largova një herë e përgjithëmonë nga Kosova. U largova atë ditë që u themelua Universiteti më vonë i famshëm i këtij vendi.E kujtoj edhe sot e kësaj dite ceremoninë e themelimit të atij Universiteti. Pas ceremonisë u largova i lumtur për ngjarjen më të madhe akademike dhe kulturore të Kosovës.Por në nivelin personal atë dita humba Kosovën time të dashur, shtetin e shqiptarëve në Jugosllavi.Kosova në atë kohë luante rolin e shtetit shqiptar të mbyllur hermetikisht.  

Në janar të vitit 1970 u vendosa në Itali. Menjëherë u bashkova më mërgatën shqiptare ekonomike dhe politike. Mërgata e shqiptarëve nga trojet tona në Jugosllavi ishte më shumë ekonomike se politike, ndërsa mërgata e Shqipërisë ishte poltike. Në takimet e ndryshme ata mbanin fjalime në mbështetje të Luftës së Vietnamit. Bile mbështetjen morale për Luftën e Vietnamit e kisha dëgjuar për herë të parë nga Profesor Ernest Koliqi. Profesor Koliqi në verën e vitit 1970  kishte shtruar një darkë të veçantë për mikun e tij nga Amerika Peter Cikos që në atë kohë ishte kryetar i Organizatës Pan-Shqiptare të Amerikës "Vatra". Ernest Koliqi kishte ftuar për darkë një numër të konsiderueshëm mërgimtarësh shqiptarë nga Shqipëria dhe viseve të ndryshme shqiptare në ish Jugoslavi.

Profesori lavdëroi Shtetet e Bashkuara për Luftën e Vietnamit. Unë nuk u ndjeva mirë sepse në Prishtinë kishim vepruar e folur kundër asaj Lufte. Isha mbase i vetmi në atë darkë që intimisht nuk u pajtova me mendimet e Profesor Ernest Koliqit. Por nuk kisha guxim të bëjë ndonjë koment ose pyetje sepse ata miqtë e tij do të ma kishin bërë të pamundur imigrimim në Shtetet e Bashkuara. Politikanët dhe klerikët shqiptarë abuzonin mërgimtarët shqiptarë në Itali. Edhe Unë pësova nga ata shqiptarë që ishin vënë në shërbim të Jugosllavisë për largimin e shqiptarëve nga trojet e tyre arbërore. Për ata isha armik sepse isha kundër Luftës së Vietnamit dhe shumë padrejtësive të tjera ndërkombëtare.Disa gjoja personalitete të Partisë "Blloku Kombëtar Independent" bënë shumë përpjekje të më çonin në Australi dhe jo në Shtetet e Bashkuara. Megjithatë nuk patën sukses.

Në fund të shtatorit të vitit 1970 imigrova në Shtetet e Bashkuara. Në atë kohë në Amerikë miliona studentë dhe qytetarë bënin demonstrata dhe protesta kundër Luftës së Vietnamit. Demonstratat kundër Luftës së Vietnamit kanë qënë demonstratat më të mëdha dhe më të përgjakshme në historinë e Amerikës. Këto demonstrata më në fund e ndaluan këtë Luftë të hatashme. Martin Luther King kishte folur më shumë se asnjë lider tjetër në botë kundër Luftës së Vietnamit. Bile disa analistë sot e kësaj dite mendojnë se ai u vra për pikëpamjet dhe fjalimet e tij kundër kësaj Lufte. Gjatë protestave tona në Amerikë për Kosovën midis revolucionarëve amerikanë kishim gjithmonë  shëmbull Martin Luther King, Adem Demaçin e kishin revolucionuar të fisit tonë.

Në prill të vitit 1999 gjatë Luftës në Kosovë shqiptarët e Amerikës bëmë një demonstratë të madhe në New York, në Bulevardin "Martin Luther King Jr." Në fjalimin tim vura në dukje se kjo demonstratë po mbahet në Bulevardin e nobelistit dhe trimit më të madh që kishte dhënë bota në atë kohë. Bile poeti i njohur rus Jevtushenko i kishte kushtuar disa vargje poetike ku kishte thënë: "ata që të vranë ty ishin të bardhë por zemrën e kishin të zezë, ndërsa ti ishe i zi, por zemrën e kishe të bardhë". Vargjet poetike të Jevtushenkos patën jehonë të madhe në botë. Sot me rastin e 50-vjetorit të rënjes tragjike e kujtoj me shumë dashuri e respekt këtë profet të lirisë dhe barazisë njerëzore. I kujtoj edhe bashkohanikët e mi shqiptarë që morën mundime të Kalvarit për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test