A do jetë Amerika të jetë e para, e dyta, apo çfarë?

Analiza

A do jetë Amerika të jetë e para, e dyta, apo çfarë?

Nga: Victor Davis Hanson Më: 11 dhjetor 2020 Në ora: 16:16
Joe Biden

Gjatë këtij “tranzicioni” të çuditshëm presidencial, është bërë e zakonshme të thuhet se “multilateralizmi” është rikthyer. Se ekipi i Joe Biden, do ta sulmojë idenë unilateraliste të ”Amerikës së Vetmuar” dhe neo-izolacionizmit të butë.

Në vend të kësaj, SHBA-ja do të rimarrë rolin e saj histori si udhëheqëse e botës së iluminuar. Supozohet se ajo do të ri-afrojë aleatët e larguar nga Donald Trump dhe Mike Pompeo. Se do të rregullojë organizatat ndërkombëtare që kanë degraduar gjatë 4 viteve të fundit.

Me sa duket, rezultati do të jetë një botë më e sigurt. Por sa të sakta janë këto vlerësime rozë?

Asnjë fuqi nuk është, dhe as mund të tërhiqet nga përgjegjësitë e saj, kur ka ende nëpër botë 190.000- 200.000 personel ushtarak. Këta të fundit janë aktivë në gati 800 baza të shpërndara në 70 vende të botës.

Buxheti i NATO-s, është rritur me 100 miliardë dollarë gjatë 4 viteve të fundit. Anëtarët  NATO-s, janë nxitur shpesh që të përmbushin detyrimin për të investuar 2 për qind të PBB-së së tyre në fushën e mbrojtje. Deri në fund të këtij viti, buxheti amerikan i mbrojtjes do të ketë arritur midis 750 milion dhe gati 1 trilion dollarësh.

Pra thelbi është se administrata Trump, nuk i zvogëloi angazhimet materiale të SHBA-së, as ndaj forcave të veta të sigurisë, as ndaj aleatëve të saj, dhe as të sigurisë së bashkësisë ndërkombëtare, si në termat e fuqisë punëtore apo të fondeve.

Madje baza e mbështetësve të Trump, e ka fajësuar vazhdimisht administratën, pse nuk ka treguar skepticizëm ndaj statuskuosë aktuale të politikës së jashtme. Për shembull, merrni disa nga krizat e fundit. Administrata Trump ka qenë shumë më konfrontuese ndaj Rusisë së Vladimir Putinit, sesa administrata e mëparshme e Obamës.

“Rivendosja” naive e këtij të fundit, ishte qartazi një dështim, dhe provë për këtë është agresioni rus në Krime dhe Ukrainën Lindore, dhe rikthimi i Rusisë në Lindjen e Mesme për herë të parë në gati gjysmë shekulli.

Nga janari 2017, administrata Trump u tërhoq nga një traktat 30-vjeçar mbi Forcat Bërthamore me Rreze të Mesme, të cilin  Vladimir Putin e shkelte vazhdimisht. Ajo shtoi sanksionet amerikane kundër Rusisë. Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara rritën prodhimin dhe eksportet e gazit dhe naftës.

Në kontrast me Obamën, Trumpi i shiti armë të sofistikuara Ukrainës. Që të gjitha këto bartnin rreziqe. Por nga ana tjetër, ato e kanë dobësuar Moskën, si nga ana ekonomike ashtu edhe strategjike. Ndërkaq sanksionet e reja, rënia e çmimeve të naftës, dhe pandemia Covid-19, e kanë shkatërruar të gjithë ekonominë iraniane.

Subvencionet e drejtpërdrejta dhe të fshehta iraniane ndaj regjimit të Asadit, Hezbollahut dhe Hamasit janë shterrur. Teokracia e mullahëve, nuk ka qenë kurrë më e lëkundur sesa sot. SHBA-ja eliminoi arkitektin e sulmeve terroriste të Iranit nëpër botë, gjeneral Soleimanin.

Në Lindjen e Mesme, SHBA-ja nuk ka qenë kurrë më e angazhuar  se sa sot. Por në një mënyrë radikalisht të kundërt me përpjekjet e mëparshme, që ishin të fokusuara tek palestinezët, një qasje që në fund fuqizonte Iranin. Shtetet arabe, po rreshtohen me kujdes përkrah Izraelit.

Administrata Trump, shkatërroi 3 mite mbi marrëdhëniet SHBA-Kinë. Së pari që Kina nuk është më shumë se sa India e destinuar të bëhet hegjemonia e botës, pasi dhe kjo e fundit ka një popullsi prej 1.4 miliardë banorësh.

Së dyti, sa më e pasur të bëhet Kina, aq më rrezikshëm dhe në mënyrë anti-demokratike vepron ajo. Dhe së treti, vjedhja e patentave dhe markave tregtare, manipulimi me monedhën e saj, zhbalanca e madhe tregtare, përvetësimi i teknologjisë etj, që të gjitha këto janë ekspozuar për atë që janë, si një armë që shfrytëzohet nga Pekini.

Deri në shfaqjen e Covid-19, administrata Trump po punonte me botën për të frenuar ekspansionin e Kinës. Kina po del nga epidemia e koronavirusit, me një numër vendesh perëndimore që po zotohen të shkëputen sa më shumë të jetë e mundur nga sistemi tregtar kinez.

Pekini jo vetëm që infektoi botën, por e zhyti atë në depresion, me rezultate katastrofike për klientët ndërkombëtarë të projektit të tij të Brezit dhe Rrugës. Shumë vende, nuk do të jenë në gjendje të paguajnë borxhet e infrastrukturën e tyre të re të ndërtuar nga Kina.

Sigurisht, evropianët nuk e duan, dhe nuk do ta pëlqejnë kurrë Trumpin, të paktën publikisht. Por Bashkimi Evropian, drejtohet tani de facto kryesisht nga Gjermania. Popullsia gjermane, ishte dukshëm antiamerikane edhe para Trumpit.

Sipas sondazheve, më shumë se 50 për qind e gjermanëve e kundërshtojnë tani Amerikën, pikërisht vendin që dikur e pastroi atë nga nazizmi, e rindërtoi në mënyrë demokratike, dhe e shpëtoi nga komunizmi ovjetik. Pra, problemi me Evropën nuk janë kaubojsit amerikanë, por gjermanët që synojnë të ushtrojnë presion ndaj evropiano-lindorëve për pranimin e emigrantëve, ndaj evropiano-jugorëve për shlyerjen e borxheve, dhe ndaj Britanisë së Madhe për Brexit.

Ajo i ka inkurajuar të gjithë aleatët e NATO-s të ndjekin shembullin e saj pengues, duke e injoruar premtimin për të shpenzuar sa duhet për mbrojtjen. Berlini nënshkroi një marrëveshje të madhe për blerjen e gazit nga Rusia, edhe pse 19-vjeçarët amerikanë janë vendosur në Evropë për t’i mbrojtur gjermanët nga Rusia.

Gjermania po ndjek një politikë vetëvrasëse të udhëhequr nga Partia e Gjelbër për ndryshimin e klimës, e cila është një dhuratë për axhendat strategjike të Pekinit. Trump i vuri në pikëpyetje ato realitete, jo duke dhënë intervista gazmore dhe të çuditshme për gazetarët e përkëdhelur, por duke i bërë thirrje hapur Angela Merkelit për të bërë pjesën e saj, për të adresuar atë që na ndan.

Pjesa më e madhe e aftësisë së Amerikës, për të vënë në pikëpyetje statuskuonë globale, qëndron në performancën e saj të jashtëzakonshme ekonomike midis janarit 2017 dhe janarit 2020. Pra administrata e Trump u përpoq të miratojë një qasje të hapur të “Amerika e Para”, në kontrast me axhendën më të nënkuptuar të “Udhëheqjes nga Prapa” të Obamës.

Nëse do të ishte i mençur dhe pa arrogancë, ekipi i Joe Biden do të mbështetej në politikat e tanishme, të cilat i kanë sjellë Perëndimit dhe ne veçanti SHBA-së përparësi shumë më strategjike, sesa përpjekjet shumëpalëshe më të vlerësuara, por shpesh pa përmbajtje të administratës Obama.

Sigurisht, shumë organizata ndërkombëtare, armiq tanimë të trimëruar, dhe disa aleatë oportunistë, e mirëpresin goditjen që Biden pritet t’i japë filozofisë “Amerika e Para”. Ata të gjithë do të preferonin ose “Amerika e Fundit” ose “Amerika e Dyta”, ose “Aspak Amerikë”, kur SHBA-ja zhvillon politikën e saj të jashtme. /Bota.al

Shënim: Victor Davis Hanson, është historian në Institutin Huver, Universiteti i Stenfordit.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat