Arlinda nuk është kartë politike

Analizë

Arlinda nuk është kartë politike

Nga: bota sot Më: 31 tetor 2026 Në ora: 13:09
Ilustrim / Bota Sot

Një javë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Kosova ende nuk ka gjetur gjuhën e duhur për të folur për të. 49-vjeçarja kishte trokitur në çdo derë institucionale: kishte denoncuar kërcënimet, kishte siguruar vendime gjyqësore, i kishte shkruar kryeprokurores. Mbrëmjen e 25 tetorit, pak orë pasi kishte raportuar sërish dhunë në familje dhe pak minuta pasi policia e kishte shoqëruar në shtëpi, ajo u vra. Ajo është gruaja e tetë e vrarë nga familjarët këtë vit dhe e 67-ta që nga viti 2010.

Këto shifra duhet të na turpërojnë të gjithëve. Por pikërisht për këtë arsye, ato nuk guxojnë të bëhen municion në betejën e përditshme partiake.

Ajo që dihet deri tani tregon një zinxhir të gjatë dështimesh. Dy ditë para vrasjes, Arlinda ishte ankuar me shkrim te Prokuroria e Pejës për mënyrën si trajtohej rasti i saj dhe për moszbatimin e një vendimi gjyqësor. Sipas Këshillit Gjyqësor, aktakuza ndaj ish-bashkëshortit mbërriti në gjykatë vetëm pasi ajo ishte vrarë. Raporti që ministritë përkatëse ia dorëzuan kryeministrit evidenton mosekzekutimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në zbatimin e të dytit dhe mospërfilljen e kërkesës për vlerësimin e rrezikut. Drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha, dha dorëheqje. Kryeministri Kurti e quajti këtë zinxhir sistemor lëshimesh dhe kërkoi që brenda 72 orëve të rishikohen të gjitha rastet aktive me rrezik të lartë.

Pra, pyetjet janë të qarta: pse nuk u zbatuan urdhrat mbrojtës, pse prokuroria e la pa përgjigje alarmin e saj, pse sistemi lëvizi vetëm kur ishte tepër vonë. Por opozita ka vendosur që këto pyetje t’i reduktojë në dy emra: ministren e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrin e Brendshëm, Xhelal Sveçla. Edhe pas dorëheqjes së drejtorit të Policisë, PDK, LDK dhe Aleanca thonë se kjo nuk mjafton dhe e paraqesin largimin e tij si mburojë për ministrin.

Përgjegjësia politike është koncept legjitim në çdo demokraci. Por kur kërkesa për koka vjen para fakteve, para hetimit dhe para se të dihet se kush, ku dhe si dështoi, ajo nuk është llogaridhënie. Është pozicionim.

Këtë e dëshmoi më së miri seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit. Pas një debati shumorësh me akuza të ndërsjella, shumica e deputetëve opozitarë e braktisën sallën. Rezoluta me 14 pika, që themelon komisionin hetimor parlamentar dhe mekanizmat për parandalimin e dhunës ndaj grave e fëmijëve, u miratua me 67 vota, pa asnjë kundër. Ata që bërtitën më së shumti për përgjegjësi nuk ishin në sallë kur Kuvendi votoi instrumentin që duhet ta vendosë atë, edhe pse LDK si subjekt e kishte përkrahur tekstin.

Më domethënëse ende është se kritika më e ashpër ndaj opozitës nuk erdhi nga qeveria, por nga rruga. Lirie Sijarina, një nga organizatoret e protestave që po mbahen çdo ditë, deklaroi se protesta është edhe kundër partive opozitare, të cilat sipas saj merren me pazaret e veta, duke u thënë hapur: nuk ju lejojmë me na zaptu kauzat për jetët tona. Kur vetë gratë që kërkojnë drejtësi në sheshe refuzojnë të bëhen sfond për fushatën e dikujt, mesazhi duhet të dëgjohet.

Ka edhe një çështje kujtese. Nga 67 gratë e vrara që nga viti 2010, shumica humbën jetën në vite kur Kosova qeverisej nga , LDK dhe AAK në koalicione të ndryshme. Kultura e tolerimit në prokurori, ngadalësia e gjykatave, mungesa e strehimit të sigurt për viktimat, nuk lindën në tetor të këtij viti. Një opozitë që sot ofron veten si gjykatëse morale pa asnjë fjalë autokritike nuk po kërkon drejtësi për Arlindën; po kërkon pikë për veten.

Nuk është e drejtë të thuhet se të gjithë zërat opozitarë folën njësoj. Deputeti i LDK-së Arben Gashi propozoi një agjenci shtetërore për parandalimin e dhunës në familje: edukim në shkolla, trajnim për policë, prokurorë e gjyqtarë, mbështetje psikologjike e ekonomike për viktimat dhe largim automatik të viktimës e fëmijëve në vend të sigurt pas raportimit. Ky është debati që i duhet Kosovës. Fatkeqësisht, ai u mbyt nga zhurma e thirrjeve për dorëheqje.

Kjo nuk do të thotë se qeveria del e pastër nga kjo javë. Ministrat kanë detyrim të japin llogari në Kuvend, jo vetëm përmes raporteve, dhe mungesa e tyre në seanca i dha opozitës argument. Mbrojtja e nxituar se ministrat “nuk kanë faj” tingëlloi po aq e parakohshme sa edhe kërkesa e opozitës për dorëheqje. Komisioni hetimor duhet të shkojë deri në fund, dhe çdo prokuror, gjyqtar apo zyrtar policor që injoroi paralajmërimet duhet të përballet jo vetëm me masa disiplinore, por edhe me hetim penal.

Arlinda u kishte bërë policëve një pyetje të thjeshtë: A duhet të më vrasë që ta arrestoni? Përgjigjja që ajo meriton nuk është një trofe dorëheqjeje për njërin kamp politik. Është një sistem që nuk e lë të vdesë Arlindën e ardhshme. Çdo politikë që e përdor emrin e saj për pikë, në vend që ta mbrojë gruan e radhës, e tradhton atë për herë të dytë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat