Veturat e reja elektrike do të mbushen për 15 minuta

Auto

Veturat e reja elektrike do të mbushen për 15 minuta

Më: 16 dhjetor 2018 Në ora: 11:31
Foto ilustrim

Gjenerata e ardhshme e veturave elektrike do të mund t’i mbushin bateritë e tyre brenda 15 minutash. Një grup i kompanive prodhuese, përfshirë BMW-në, Porschen dhe Siemensin, kanë thënë se ata e kanë zhvilluar një teknologji që mund ta bëjë mbushjen e shpejtë të baterive realitet.

Ata e paraqitën një pikë mbushëse me rrymë prej 450 kilovatësh, e cila ofron rrymë për 100 kilometra për vetëm tre minuta, ndërsa mbushja e plotë e baterisë do të bëhet për 15 minuta. Ian Ellerington, udhëheqës i trasfereve teknologjike në institutin “Faraday” tha se kjo teknologji është dukshëm më e mirë se ajo që është duke u përdorur aktualisht. “Sasia prej 450 kilovatësh është ndjeshëm më e shpejtë se mbushësit e Teslas dhe në parim do të ishte dhjetë herë më e shpejtë se mbushësit tjerë që janë të pranishëm gjithandej”, tha ai.

Koha e gjatë e mbushjes së baterisë është njëra ndër mangësitë më të mëdha të veturave elektrike në ditët e sotme. Kjo e zgjat kohën e rrugëtimit dhe paraqet problem për pronarët e veturave që nuk mund t’i mbushin ato në shtëpi. Ellerington thotë se gjenerata e ardhshme e mbushësve elektrikë mund ta zgjidhë këtë problem. Sidoqoftë, një sfidë tjetër është ndërtimi i veturave që mund ta përballojnë këtë sasi të madhe të energjisë dhe që janë në gjendje ta shfrytëzojnë atë në mënyrë të efektshme, shkruan “CNN”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat