India miraton përdorimin e dy vaksinave kundër Covid-19

Azia

India miraton përdorimin e dy vaksinave kundër Covid-19

Më: 4 janar 2021 Në ora: 20:51
Ilustrim

India miratoi përdorimin emergjent të dy vaksinave kundër COVID- 19, duke vendosur bazat për atë që mund të jetë programi më i madh në botë i vaksinimit. Siç njofton Anjana Pasricha nga Nju Deli, kjo rrit shpresat për vënien nën kontroll të pandemisë në vendin ku numri i përditshëm i infeksioneve të reja ka shënuar rënie në javët e fundit.

Dozat e para të vaksinës do të fillojnë të jepen këtë muaj në Indi pas autorizimit të vaksinës së kompanisë AstraZeneca, që po prodhohet nga Instituti Serum i Indisë dhe një vaksine tjetër të quajtur Covaxin, e cila është zhvilluar nga kompania vendase, Bharat Biotech.

Kryeministri Narendra Modi e quajti këtë "një pikë kthese vendimtare në luftën" kundër pandemisë.

Vendi ka vendosur objektivin ambicioz të imunizimit të 300 milionë njerëzve deri në gusht, përfshirë punonjësit e kujdesit shëndetësor, personelin e sigurimit, banorët mbi 50 vjeç dhe ata me probleme shëndetësore.

India tashmë kishte filluar të përgatiste mjediset për ruajtjen në temperatura të ftohta të vaksinave dhe trajnimin e punonjësve shëndetësorë për të realizuar një nga programet më të mëdha të vaksinimit në botë.

“Përgatitjet janë bërë plotësisht, duke përfshirë anën logjistike në bashkëpunim me qeveritë e ndryshme të shteteve. Gjithçka varet sigurisht nga sasia e vaksinave në dispozicion dhe personeli shëndetësor”, thotë Srinath Reddy, president i Fondacioni të Shëndetit Publik të Indisë.

Sistemi i shpërndarjes u testua me një provë mbarëkombëtare të shtunën.

“Masat tona përgatitore janë të kënaqshme. Ne kemi një dhomë pritjeje, dhomën tonë të vaksinimit dhe zonën e monitorimit”, tha Arava Gopi Krishna, kryetar i Qarkut Qendror të Nju Delit.

India e fillon procesin e vaksinimit me një avantazh pasi më shumë se 50 milionë doza të vaksinës së kompanisë AstraZeneca janë siguruar nga Instituti Serum, prodhuesi më i madh i vaksinave në botë.

Por janë ngritur shqetësime në lidhje me mungesën e të dhënave të duhura për vaksinën e zhvilluar në vend, e cila ende është në fazën e tretë të provave klinike.

Ekspertët shëndetësorë janë optimistë. Ata thonë se vaksinat do të sigurojnë mbrojtje edhe nga lloji shumë më ngjitës i koronavirusit i zbuluar në Britani. Rreth 30 raste me këtë lloj të ri të Covid-19 kanë shkaktuar shqetësime në një kohë kur numri i infeksioneve të reja ka shënuar rënie në Indi.

"Virusi nuk do të jetë në gjendje t'i shmanget anti-trupave të nxitur nga vaksina, kështu që nuk ka gjasa që të ketë ndonjë problem të rëndësishëm në lidhje me këtë çështje", thotë ekspertja e shëndetit, K. Srinath Reddy.

Vaksinat po sjellin shpresë në vendin ku virusi ka infektuar më shumë se 10 milionë njerëz dhe ka shkaktuar vdekjen e gati 150,000 njerëzve të tjerë. India, një vend me 1.3 miliardë banorë, ka numrin e dytë më të madh të rasteve me Covid-19 në botë.

“Vaksina ju mbron nga kjo sëmundje e rëndë dhe do të jetë shumë e rëndësishme për shpëtimin e jetës. Ajo do të jetë e rëndësishme edhe për të rinjtë e infektuar që nuk shfaqin simptoma, sepse tani ne e dimë se ata pësojnë dëmtime fillimisht të padukshme në mushkëri dhe zemër", thotë ekspertja e shëndetit, K. Srinath Reddy.

Të dyja vaksinat mund të ruhen në frigoriferë të zakonshëm dhe janë me kosto më të përballueshme krahasuar me ato të kompanive Pfizer dhe Moderna./Voa/

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat