Mianmari akuzon Aung San Suu Kyi për shkelje të ligjit të import-eksportit

Azia

Mianmari akuzon Aung San Suu Kyi për shkelje të ligjit të import-eksportit

Më: 3 shkurt 2021 Në ora: 17:36
Udhëheqësja e Mianmarit, Aung San Suu Kyi, para takimit me Kryeministrin japan Shinzo Abe, gjatë samitit Japoni-Mianmar.

Autoritetet në Mianmar ngritën akuza kundër udhëheqëses së arrestuar Aung San Suu Kyi për shkelje të ligjit të import-eksportit.

Një zyrtar informacioni i partisë së saj “Lidhja Kombëtare për Demokraci” tha të mërkurën në Facebook se është urdhëruar ndalimi i zonjës Aung San Suu Kyi për dy javë.

Ajo u arrestua bashkë me udhëheqës tjerë, përfshirë Presidentin Win Myint, ditën e hënë kur ushtria mori pushtetin.

Partia LKD tha në një deklaratë se autoritetet bastisën zyrat e tyre në rajone të ndryshme të vendit.

Ministrat e jashtëm të grupit të 7-shes e dënuan grushtin e shtetit në Mianmar.

"Ne jemi të shqetësuar nga arrestimi i udhëheqësve politikë dhe aktivistëve të shoqërisë civile, duke përfshirë udhëheqësen Aung San Suu Kyi dhe Presidentin Win Myint si dhe nga vënia në shënjestër e shtypit,” thanë në një deklaratë të përbashkët ministrat e jashtëm të Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Ata i bënë thirrje ushtrisë së Mianmarit të heqë gjendjen e jashtëzakonshme dhe të lejojë qasje humanitare për të mbështetur grupet më të ndjeshme të popullsisë.

“Rezultati i zgjedhjeve të nëntorit duhet të respektohet dhe Parlamenti duhet të mblidhet në rastin më të parë,” thanë ministrat e 7-shes.

Image
Punonjësit shëndetësor në Yangon gjatë protestës kundër grushtit të shtetit nga ushtria e Mianmarit që çoi në rrëzimin e udhëheqëses Aung San Suu Kyi.

Punonjësit e shëndetësisë protestojnë kundër grushtit të shtetit

Stafi në 70 spitale dhe departamente shëndetësore në 30 qytete bojkotoi punën të mërkurën në shenjë proteste kundër grushtit të shtetit.

Përmes një deklarate, grupi i formuar rishtazi “Lëvizja e Mobsbindjes Shoqërore në Mianmar” tha se ushtria vuri interesat e saj mbi një popullatë që përballej me vështirësi nga pandemia e cila ka vrarë më shumë se 3 mijë e 100 njerëz në vend.

Një zyrtar i Departamentit amerikan të Shtetit u tha gazetarëve të martën se qeveria e cilëson marrjen e pushtetit nga ushtria si grusht shteti, gjë që “sjell sanksione ndaj ndihmës së huaj për qeverinë”.

Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara “do të ndërmarrin veprime kundër përgjegjësve”, por do të vazhdojnë programin që ndihmon qytetarët, duke përfshirë edhe ndihmën humanitare dhe iniciativat për mbështetjen e demokracisë.

Image
Një pikë kontrolli e ushtrisë së Mianmarit rrugës në drejtim të kompleksit të parlamentit të shteit.

Një vit gjendje emergjente

Ushtria e Mianmarit tha se marrja e pushtetit, e vendosur të zgjasë për një vit, ishte e nevojshme sepse sipas tyre qeveria nuk kishte vepruar në përgjigje të pretendimeve për mashtrim të votuesve në zgjedhjet e nëntorit, ku partia e zonjës Aung San Suu Kyi fitoi shumicën. Një seancë e re e parlamentit pritej të fillonte të hënën.

Udhëheqësi i pakicës në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha të martën se Shtetet e Bashkuara do të kenë nevojë "për ndihmën e miqve dhe aleatëve" për të ushtruar presion mbi ushtrinë e Mianmarit.

“Është koha që vendet liridashëse të ngrihen për demokracinë dhe të ndikojnë që qeveria e udhëhequr nga ushtria të mbahet përgjegjëse”, tha zoti McConnell.

Për zyrtarët amerikanë ishte i pamundur kontakti me anëtarët e partisë “Lidhja Kombëtare për Demokracinë” tha zyrtari i Departamentit të Shtetit i cili shtoi se “shumica e zyrtarëve të lartë janë në arrest shtëpiak”.

Mianmari, që njihet gjithashtu me emrin Birmani, ndodhet prej kohësh mes sundimit civil dhe ushtarak, por që deri para grushtit të shtetit vendi shpresonte për një kalim të suksesshëm drejt demokracisë.

Image
Njerëzit duke ecur në tregun në Yangon pas grushtit të shtetit nga ushtria në Mianmar.

Historia e Mianmarit

Mianmari la qenë koloni britanike deri më 1948. Më pas, nga viti 1962 deri më 2010 u drejtua nga diktatorë të mbështetur nga ushtria.

Një kryengritje në 1988 solli zgjedhjet e vitit 1990, të cilat partia “Lidhja Kombëtare për Demokraci” i fitoi me rezultat të thellë, por anëtarët e zgjedhur të parlamentit u burgosën dhe diktatura vazhdoi.

Aung San Suu Kyi, vajza e heroit të pavarësisë së Mianmarit, gjeneralit Aung San, i cili u vra më 1947, udhëhoqi tubimet pro-demokracisë dhe partinë “Lidhja Kombëtare për Demokraci”. Ajo fitoi Çmimin Nobel për Paqe në vitin 1991, ndërsa ishte në arrest shtëpiak.

Në vitin 2010, Gjenerali i Lartë Than Shwe deklaroi dorëzimin e vendit tek udhëheqësit e zgjedhur, ku bënin pjesë gjeneralë në pension. Ata liruan të burgosurit politikë, përfshirë ligjvënësit nga Lidhja Kombëtare për Demokraci dhe Aung San Suu Kyi, e cila fitoi zgjedhjet më 2012 dhe më vonë u bë këshilltare shtetërore e Mianmarit.

Por reputacioni ndërkombëtar i 75 vjeçares Aung San Suu Kyi, që ishte figurë e njohur në mesin e shumicës budiste të Mianmarit, teksau zbeh për mënyrën se si qeveria e saj trajtoi pakicën kryesisht myslimane Rohingya.

Në vitin 2017, një goditje e ushtrisë kundër pakicës Rohingya, e shkaktuar nga sulmet vdekjeprurëse në stacionet e policisë në shtetin Rakhine, detyroi qindra mijëra njerëz të këtij komuniteti të iknin në Bangladeshin fqinj. Gjykata Penale Ndërkombëtare po heton Mianmarin për krime kundër njerëzimit./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat