Pse Facebook po i bllokon faqet e ushtrisë së Mianmarit?

Azia

Pse Facebook po i bllokon faqet e ushtrisë së Mianmarit?

Më: 26 shkurt 2021 Në ora: 21:43
Ushtria e Mianmarit. Fotografi e realizuar më 22 shkurt, 2021.

Kompania Facebook njoftoi të enjten se është duke fshirë të gjitha faqet ushtarake dhe ato që kontrollohen nga ushtria e Mianmarit (Birmanisë). Facebook njoftoi se po do të fshijë po ashtu të gjitha faqet e kësaj ushtrie në Instagram.

Kjo kompani tha se do të bllokojë edhe reklamat nga bizneset që janë të lidhura me ushtrinë.

Vendimi pason një grushtshtet që ndodhi mëngjesin e 1 shkurtit, në të cilin ushtria largoi udhëheqësit e zgjedhur nga pushteti dhe burgosi të tjerët.

Pak ditë pas grushtshtetit, ushtria bllokoi përkohësisht qasjen në Facebook sepse ky rrjet social po përdorej për të shpërndarë komente kundër puçit ushtarak si dhe për të organizuar protesta.

Cili është roli i Facebook-ut në Mianmar?

Për disa dekada Mianmari ishte një nga vendet me qasjen më të ulët në internet në botë.

Sipas Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, deri në vitin 2012, qasje në internet kanë pasur më pak se 5 për qind e popullsisë.

Kur telekomunikacioni filloi të rregullohej nga një qeveri, pothuajse civile në vitin 2013, çmimi i ‘SIM’ kartelave për celularë filloi të bie, duke hapur një treg të ri për përdoruesit.

Facebook ishte i shpejtë për të përfituar nga ndryshimet dhe shpejt filloi të përdorej nga agjencitë qeveritare dhe dyqanxhinjtë për të komunikuar.

Mianmari, i njohur gjithashtu si Birmani, kishte mbi 22.3 milionë përdorues të Facebook-ut në janar të vitit 2020, më shumë se 40 për qind të popullsisë së saj. Kjo bazuar në të dhënat e platformës së menaxhimit të rrjeteve sociale ‘NapoleonCat’.

Për shumë njerëz atje, Facebook-u është vetë interneti.

"Roli i Facebook është jetik në vend," tha Nickey Diamond, një specialist i të drejtave të njeriut në Mianmar.

"Në Mianmar, Facebooku është një nga platformat më të rëndësishme të komunikimit për njerëzit", thotë ai.

Me çfarë problemesh po përballet Facebook në Mianmar?

Kjo platformë e rrjeteve sociale është përballur me akuza se nuk ka bërë sa duhet për të shuar gjuhën e urrejtjes në vend.

Në një raport të vitit 2018 mbi dhunën e udhëhequr nga ushtria, e cila detyroi më shumë se 700 mijë myslimanë etnikë të komunitetit Rohingya të largoheshin në Bangladeshin fqinj, Marzuki Darusman, kreu i misionit të OKB-së për gjetjen e fakteve në Mianmar, tha se Facebook "në mënyrë thelbësore kontribuoi në nivelin e ashpërsisë, përçarjes dhe konfliktit”.

Ai tha se "gjuha e urrejtjes është sigurisht një pjesë e kësaj."

Nën presionin e OKB-së dhe grupeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Facebook bllokoi në vitin 2018 rreth 20 individë dhe organizata të lidhura me ushtrinë në Mianmar, përfshirë komandantin e përgjithshëm, Min Aung Hlaing, për përfshirje në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Pse Facebook po bllokon tani më shumë faqe të lidhura me ushtrinë?

Pas grushtshtetit, Facebook tha se do të zvogëlojë shpërndarjen e të gjithë përmbajtjes nga ushtria e Mianmarit, e quajtur Tatmadaw, në faqen e saj, derisa do të heqë edhe përmbajtjen që shkel standardet e komunitetit të Facebook-ut, duke përfshirë gjuhën e urrejtjes.

Facebook njoftoi të enjten se do të bllokojë në Facebook dhe Instagram të gjitha entitetet e lidhura me ushtrinë e Mianmarit si dhe reklamat e bizneseve që kanë lidhje me ushtrinë.

“Ngjarjet që prej grushtshtetit, që ndodhi më 1 shkurt, përfshirë dhunën vdekjeprurëse, kanë nxituar nevojën për këtë ndalim. Ne besojmë se rreziqet e lejimit të Tatmadaw në Facebook dhe Instagram janë shumë të mëdha”, tha kompania në një deklaratë.

Ndalimi përfshin forcën ajrore, flotën detare, Ministrinë e Mbrojtjes, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Kufirit, tha Menaxherja e Komunikimit të Politikave në Facebook, Amy Sawitta Lefevre.

Facebook tha se do të lejojë faqe që kontribuojnë në mirëqenien e publikut, përfshirë ato të Ministrisë së Shëndetësisë, Sporteve dhe Ministrisë së Arsimit.

Cili do të jetë ndikimi?

Vendimi privon ushtrinë nga platforma e saj më e madhe e komunikimit.

"Ky është një hap i mirëpritur dhe i vonuar nga Facebook", tha Mark Farmaner, drejtori i "Burma Campaign UK", në një deklaratë me shkrim.

"Në një vend ku Facebook ka qenë kaq jashtëzakonisht popullor, është një goditje psikologjike për ushtrinë. Ata kanë vënë shumë burime në përdorimin e Facebook-ut për qëllime propagandistike, për të rekrutuar ushtarë dhe për të mbledhur fonde", tha ai.

Facebook tha se pret që ushtria do të përpiqet të rikthejë një prani në këtë platformë, por kjo kompani nuk pranoi të tregojë se sa mund të jenë humbjet nga largimi i reklamave që janë të lidhura me ushtrinë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat