Një ditë e përgjakshme në Mianmar

Azia

Një ditë e përgjakshme në Mianmar

Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 22:21
Foto

Forcat e sigurisë në Mianmar qëlluan të dielën mbi protestuesit, duke vrarë të paktën 18 vetë dhe duke lënë më shumë se 30 të plagosur, sipas zyrës së të drejtave të njeriut të OKB-së.

Kjo ishte dita më e përgjakshme e demonstratave që nga grushti ushtarak i 1 shkurtit.

"Gjatë gjithë ditës, në disa pika në të gjithë vendin, forcat policore dhe ushtarake janë përballur me demonstratat paqësore, duke përdorur forcë vdekjeprurëse dhe forcë më pak se vdekjeprurëse," tha në një deklaratë zëdhënësja e zyrës së të drejtave të njeriut të OKB-së, Ravina Shamdasani.

Deklarata i bën thirrje ushtrisë që "të ndalë menjëherë përdorimin e forcës kundër protestuesve paqësorë".

Image
Linda Thomas-Geenfield

 

Ambasadorja e re amerikane në Kombet e Bashkuara, Linda Thomas-Greenfield, shkruante në Twitter: "Ne qëndrojmë në solidaritet me popullin e Birmanisë, i cili ka treguar vendosmëri dhe guxim në refuzimin e këtij grushti ushtarak". Ajo tha gjithashtu: "Ne jemi pranë tyre ndërsa ata kërkojnë kthimin në paqe, në qeverisje demokratike dhe në shtetin e së drejtës."

Dëshmitarët thonë se policia përdori gaz lotsjellës, plumba gome, pompa uji dhe në disa raste municione në qytetin më të madh të vendit, Rangun. Sipas agjencisë së lajmeve Associated Press, fotot me gëzhoja municionesh u postuan në rrjetet e medias sociale.

Policia u përpoq në mënyrë agresive për të shpërndarë protestat në qytete të tjera, duke përfshirë Mandalay dhe Dawei.

Image
Varrimi i një protestuesi të vrarë

 

Protestat popullore janë organizuar në të gjithë Mianmarin çdo ditë që kur ushtria arrestoi udhëheqësen de facto të vendit Aung San Suu Kyi dhe anëtarët e tjerë të qeverisë civile muajin e kaluar, nën pretendimet për mashtrime masive në zgjedhjet e nëntorit të kaluar, të cilat partia e Lidhjes Kombëtare për Demokraci e zonjës Suu Kyi i fitoi me shumicë dërrmuese.

Junta ka shpallur një vit emergjencë të jashtëzakonshme. Komandanti i saj, Gjenerali Min Aung Hlaing, është zotuar se do të mbahen zgjedhje të reja për të sjellë një "demokraci të vërtetë dhe të disiplinuar", por nuk përcaktoi se kur.

Komisioni zgjedhor i Mianmarit mohoi pretendimet e ushtrisë për mashtrim në zgjedhje.

Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera perëndimore kanë kërkuar lirimin e zonjës Suu Kyi dhe ndihmësve të saj dhe i kanë bërë thirrje juntës që t'i rikthejë pushtetin qeverisë civile.

Kriza u ndërlikua më tej të premten kur i dërguari i Mianmarit në OKB, Kyaw Moe Tun, bëri thirrje në një takim të posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme për të refuzuar grushtin ushtarak dhe "për të përdorur çdo mjet të nevojshëm" në mbrojtje të njerëzve.

Të shtunën, televizioni shtetëror i Mianmarit njoftoi se Kyaw Moe Tun ishte shkarkuar, duke thënë se ai kishte “tradhtuar vendin”./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat