Mbetjet e raketës kineze pritet të bien në Tokë

Azia

Mbetjet e raketës kineze pritet të bien në Tokë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 16:05
Raketa kineze

Mbetjet e një rakete kineze pritet të bien në tokë me një hyrje të pakontrolluar këtë fundjavë. Bëhet fjalë për segmentin kryesor të fluturakes “Long March-5b” që u përdor për të lëshuar modulin e parë të stacionit të ri hapësinor të Kinës muajin e kaluar. Me peshë prej 18 tonë, kjo është një nga objektet më të mëdha që disa dekada që ka hyrë e pa drejtuar në atmosferën e tokës.

Ekspertë amerikanë kanë thënë se po studiojnë rrugën e objektit por aktualisht nuk kanë plane për ta rrëzuar atë.

“Shpresojmë se do të bie në një vend ku nuk do të dëmtojë askënd”, është shprehur Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Lloyd Austin. “Shpresojmë në oqean, ose diku ngjashëm”.

Ekspertë të ndryshëm duke përpiluar modele të hyrjes në atmosferë, parashohin që objekti të hyjë në atmosferën e Tokës të shtunën vonë apo në orët e hershme të së dielës. Sidoqoftë, parashikimet e tilla zakonisht janë pakë të sakta.

Fillimisht i futur në një orbitë eliptike afërsisht 160 km me 375 km mbi sipërfaqen e Tokës, më 29 prill, “Long March-5b” që nga ajo kohë ka humbur lartësi.

Se sa shpejt orbita e këtij objekti do të vazhdojë të devijojë do të varet nga dendësia e ajrit që has në lartësi dhe sasia e fërkimit që prodhon kjo. Këto detaje janë të njohura dobët.

Pjesa më e madhe e objektit pritet të digjet kur bën zhytjen e tij të fundit në atmosferë, megjithëse gjithmonë ekziston mundësia që metalet me pikë të lartë të shkrirjes dhe materiale të tjera rezistente, të mbijetojnë deri në sipërfaqe të Tokës.

Kur një segment i ngjashëm raketor ra në Tokë një vit më parë, pjesë që supozohej se ishin nga raketa u gjetën në Bregun e Fildishtë, Afrikë.

Por, gjasat që dikush të goditet nga një copë hapësinore janë shumë të vogla, edhe për shkak se pjesa më e madhe e sipërfaqes së Tokës është e mbuluar nga oqeanet, por edhe sepse pjesa tokësore përfshin zona të mëdha që nuk janë të banuara.

Zona e rënies së mundshme në këtë rast është e kufizuar akoma më tej nga trajektorja e fazës së raketës që po lëviz në një prirje drejt Ekuatorit prej rreth 41.5 gradë. Kjo do të thotë se është e mundur tashmë të përjashtohet që çfarëdo cope të bjerë më në veri sesa afërsisht 41.5 gradë gjerësi gjeografike veriore dhe më në jug se 41.5 gradë gjerësi gjeografike jugore.

Kina ka mohuar se ka qenë neglizhente në lejimin e kthimit të pakontrolluar të një objekti kaq të madh. Komentet në mediat e vendit kanë përshkruar raportet perëndimore në lidhje me rreziqet e mundshme të përfshira si “zhurmë” dhe parashikuan që mbeturinat me siguri do të bien diku në ujërat ndërkombëtare.

Por Jonathan McDowell nga Qendra Harvard-Smithsonian për Astrofizikën, SHBA, tha se ky zhvillim e paraqet Kinën si të dobët.

“Në të vërtetë shihet si neglizhencë,” i tha ai BBC News. “Ky është lëshimi i dytë i kësaj rakete. Mbetjet në Bregun e Fildishtë, vitin e kaluar, ishin nga lëshimi i mëparshëm i një rakete në thelb identike”.

“Këto dy incidente [ki tani dhe ai i Bregut të Fildishtë] janë dy objektet më të mëdha të lëna qëllimisht të hyjnë në mënyrë të pakontrolluar në Tokë, që nga Skylab në 1979”.

Fragmente të stacionit hapësinor amerikan Skylab kishin rënë në Australinë Perëndimore më 1979, duke tërhequr vëmendjen në të gjithë botën.

Hugh Lewis, i cili modelon mbeturinat hapësinore në Universitetin Southampton, Britani e Madhe, vuri në dukje se më shumë se 60 vjet fluturim në hapësirë kanë lënë një trashëgimi të madhe të hedhurinave në orbitë. Përgjegjësia për këtë mbetet mbi disa vende, por kryesisht mbi Rusinë dhe SHBA-në.

“Vlen të kujtohet se ka afërsisht 900 pjesë raketash në orbitë e ulët të Tokës, të lëna pas nga pothuajse çdo shtet i aftë për lëshim dhe me një masë të përbashkët ose madhësi të përgjithshme më të madhe se e copës që pritet të ri-hyjë në atmosferë këtë [fundjavë]”, shkroi Dr. Lewis në Twitter.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat