Kush janë palestinezët izraelitë në Izrael?

Azia

Kush janë palestinezët izraelitë në Izrael?

Më: 16 maj 2021 Në ora: 12:00
Në qytetet izraelite ka pasur përleshje mes palestinezëve izraelitë dhe izraelitëve hebraikë

Të ashtuquajturët "arabë të Izraelit" po përfshihen gjithnjë e më shumë në konfliktin aktual të shkallëzuar në Izrael. Kjo ka arsye ekonomike, por edhe politike.    

Raketa dhe ofensivë ushtarake - ky është niveli i ri i shkallëzimit të situatës në Lindjen e Afërt. Kësaj i shtohet një dimension i ri i paqenë më parë: Me një ashpërsi të paparë ndonjëherë në Izrael dy grupe të popullsisë po përleshen me njëri-tjetrin, fjala është izraelitët hebraikë dhe izraelitët palestinezë.

Sa e rrezikshme është gjendja?

Në qytetin Lod në juglindje të Tel Avivit, forcat e sigurisë duhet të pengonin së fundmi përleshjet masive në rrugë mes dy grupeve të popullsisë, ku u vunë në përdorim thika dhe armë. Po ashtu në Lod iu vu zjarri një sinagoge dhe jeshivas-një shkollë fetare hebraike. Në qytetin Ako dhe në zonën e Tel Avivit në mesin e turmave u tërhoqën zvarrë burra nga makinat e tyre dhe u rrahën rëndë. Në Ako ishte një burrë hebre, në Bat Yam një arab izraelit. Këto janë disa shembuj për shpërthimin e dhunës në shumë rajone mes qytetarëve të Izraelit. Presidenti i Izraelit, Reuvin Rivlin paralajmëroi nga rreziku i një "lufte civile", kurse kryeministri izraelit, Benjamin Netanjahu u shpreh, se "qytetarëve izraelitë dua t'u them: nuk më intereson nëse iu zien gjaku. Ju nuk duhet të kaloni në vetëgjyqësi. Asgjë nuk e justifikon linçimin e arabëve nga hebrenjtë dhe anasjelltas. Kjo nuk është e pranueshme."

Kush janë palestinezët izraelitë?

Image
Lutje për paqen në xhaminë e Haifas

Kur u themelua shteti izraelit në vitin 1948 rreth 700.000 palestinezë lanë shtëpitë e tyre. Nga këndvështrimi palestinez kjo u quajt  "Nakba", katastrofa, një aksion pastrimi etnik i ushtrisë izraelite. Kurse sipas këndvështrimit izraelit bëhej fjalë për një eksod me vullnet të lirë, që pasoi pas thirrjeve përkatëse arabe. Nga grupimet e popullsisë që kanë qëndruar ne territorin izraelit shtetëror sot, lindi grupimi i izraelitëve palestinezë, deri tek banorët e Jeruzalemit lindor që kanë një status tjetër.

Izraelitët palestinezë, shpesh të njohur edhe si izraelitë arabë, në vitin 2019 përbënin 21% të popullsisë së Izraelit. Kjo vlerë është në rritje të vazhdueshme në Zyrat e Statistikës të Izraelit, CBS në 50 vitet e fundit, sepse kuota e lindjeve tek kjo popullsi është më e lartë. Politikanët nacionalistë izraelitë i shohin këto shifra si një problem për Izraelin, sepse në të ardhmen ato rrezikojnë pozicionin udhëheqës të pjesës hebraike të popullsisë. Familjet ultra ortodokse izraelite me shumë fëmijë e ngadalësojnë këtë zhvillim.

Palestinezët në Izraelmesatarisht gëzojnë një standard jetese më të lartë se ata në Jordanin Perëndimor apo në Rripin e Gazës. Por krahasuar me shumicën hebraike të popullsisë këta palestinezë janë më pak të shkolluar dhe më të varfër. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve në vitin 2016 gati gjysma e familjeve palestineze jetojnë në varfëri, krahasuar me 13% të familjeve hebreje.

Image
Mansour Abas është një politikan palestinez izraelit me influencë

Çfarë influence politike kanë palestinezët izraelitë?

Ligji për kombësinë shtetërore i iniciuar në vitin 2018 nga qeveria e Netanjahut e zvogëloi ndikimin e popullsisë palestieze. Ai e deklaron Izraelin si "atdheun e popullit hebre" me Jeruzalemin e pandarë si kryeqytet. Gjuha hebraike është gjuha e vetme kombëtare, arabishtja degradohet në një status të veçantë të pacaktuar qartë.

Duke iu referuar këtij ligji, grupet palestineze bënë thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve të mëpasshme të parlamentit izraelit. Me pasojë që forcat e tyre politike në Knesset u përfaqësuan më dobët, se sa mund të mendohej nga demografia. "Lista e Bashkuar" u fut në koalicionin kundër Netanjahut. Para zgjedhjeve të fundit të marsit 2021, partia Ra'am me kreun e saj Mansur Abas u shkëput nga ky bllok politik. Abasi kërkon që t'i përdorë në avantazh të palestinezëve grindjet mes partive izraelite dhe ka deklaruar para zgjedhjeve, se me kushtin e koncesioneve të gjera për palestinezët do ishte i gatshëm të mbështeste qeverinë e ardhshme. Ndërkohë 4 deputetët e Ra'am konsiderohen si shumë të rëndësishëm për krijimin e qeverisë, por shkallëzimi i fundit i situatës i ka trazuar edhe bisedimet për koalicionin qeverisës./DW

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat