Libani kujton përvjetorin e parë të shpërthimit vdekjeprurës në Bejrut

Azia

Libani kujton përvjetorin e parë të shpërthimit vdekjeprurës në Bejrut

Më: 5 gusht 2021 Në ora: 17:28
Liban

Libani shënoi 1-vjetorin që nga shpërthimi i fuqishëm në portin e Bejrutit, që e zhyti edhe më shumë vendin e vogël të Lindjes së Mesme në një krizë sociale, ekonomike dhe politike. Familjet e viktimave mbajtën një minutë heshtje jashtë portit, ndërsa grupe protestuesish u përplasën me forcat e sigurisë, duke shprehur zemërimin e tyre për mungesën e përgjegjësve për këtë tradegji.

Disa qindra banorë të Libanit u mblodhën në portin e dëmtuar të Bejrutit të mërkurën për të shënuar 1-vjetorin e shpërthimit të fuqishëm, që vrau qindra njerëz si dhe e futi vendin në një krizë më të madhe sociale, ekonomike dhe politike.

Një minutë heshtje u mbajt nga pjesëmarrësit, të cilët mbanin në duar fotografi të familjarëve të tyre që humbën jetën nga shpërthimi i 4 gushtit të vitit të kaluar.

Më pas disa grupe protestuesish hodhën gurë dhe u përplasën me forcat e sigurisë pranë parlamentit libanez.

Demonstruesit akuzojnë ligjvënësit për bllokimin e hetimit mbi shpërthimin duke refuzuar heqjen e imunitetit të politikanëve të lartë, që sipas autoriteteve me neglizhencën e tyre shkaktuan këtë katastrofë.

“Ne jemi këtu për të ngritur zërin tonë. Nuk mund të bëjmë asgjë tjetër përveçse të ngremë zërin dhe të demonstrojmë. Nuk ka asgjë tjetër. Zgjidhja e vetme është heqja e imunitetit të politikanëve ose ne duhet të zgjohemi. Kanë kaluar dy vjet që kur filloi revolucioni këtu dhe asgjë nuk ndryshoi”, thotë Munther Tabbara, një protestues në Bejrut.

Të dhënat zyrtare tregojnë se të paktën 214 njerëz humbën jetën, mijëra të tjerë u plagosën në një nga shpërthimet më të mëdha jo bërthamore në histori.

Sipas hetimeve shpërthimi ndodhi në një depozitë të madhe me nitrat amoni, që ruhej prej vitesh në port pa masa sigurie.

Dokumentet nga hetimet treguan se zyrtarë të shumtë të nivelit të lartë e dinin se kjo sasi e madhe e nitrat amonit ruhej në një nga magazinat e portit që nga viti 2014, së bashku me materiale të tjera, që mund të merrnin lehtësisht flakë, por nuk bënë asgjë për të parandaluar tragjedinë./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat