Policia e Hong Kongut akuzon drejtuesit e gazetës për “botim të një organi që nxit rebelim”

Azia

Policia e Hong Kongut akuzon drejtuesit e gazetës për “botim të një organi që nxit rebelim”

Më: 30 dhjetor 2021 Në ora: 16:11
Foto ilustrim

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, i doli në mbrojtje ndërhyrjes së policisë ndaj një gazete pro-demokratike dhe arrestimit të drejtuesve të saj të lartë këtë javë. Të paktën gjashtë punonjës dhe anëtarë të bordit u arrestuan gjatë bastisjes së zyrave qendrore të gazetës “Stand News”. 200 forca policore morën pjesë në aksionin e djeshëm.

Policia e Hong Kongut tha se drejtuesit e gazetës u arrestuan nën akuzën e “ botimit të një organi që nxit rebelim”.

Përmes një deklarate që dënonconte bastisjen e gazetës, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha se nuk mund të vihet shenja e barazimit mes punës së gazetarëve dhe rebelimit.

Udhëheqësja e Hong Kongut, Carrie Lam, u tha gazetarëve se pajtohej me zotin Blinken, por tha se kishte një ndryshim të dukshëm me bastisjen e gazetës “Stand News”.

“Pajtohem se gazetaria nuk është rebelim, por aktet dhe aktivitetet turbulluese dhe nxitja e njerëzve përmes akteve dhe aktiviteteve publike nuk mund të fshihen nën maskën e raportimit të lajmeve. Duhet të jetë shumë i qartë dallimi mes gazetarisë dhe aktiviteteve rebele për të minuar sugurinë kombëtare. Ky është reagimi im ndaj incidentit të fundit.”

Disa orë pas bastisjes të mërkurën, gazeta “Stand News” njoftoi se po i jepte fund operacioneve të saj.

Mediat lokale njoftuan të enjten se kryeredaktori në detyrë Patrick Lam dhe ish-kryeredaktori Chung Pui-kuen janë akuzuar zyrtarisht për komplot për të nxitur trazira.

Autoritetet në Hong Kong kanë shtypur me dhunë forcat pro-demokratike që nga miratimi nga Kina i një ligji të rreptë të sigurisë kombëtare në vitin 2020. Ligji kinez u miratua si përgjigje ndaj protestave masive, dhe në disa raste të dhunshme, kundër qeverisë së Hong Kongut./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat