Gruaja humbet fëmijën për një test Covid, Kina ndëshkon zyrtarët

Azia

Gruaja humbet fëmijën për një test Covid, Kina ndëshkon zyrtarët

Më: 6 janar 2022 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Autoritetet kineze thanë ndëshkuan ashpër disa zyrtarë pas përhapjes së shpejtë në rrjet të videos që tregonte një grua tetë muajshe shtatzënë duke humbur fëmijën e saj në qytetin e mbyllur të Xi’an kur spitali i refuzoi hyrjen për shkak se nuk kishte testin e Covid.

Qyteti me 13 milionë banorë ka qenë nën izolim për dy javë në përputhje me strategjinë e rreptë të Pekinit “zero Covid”. Incidenti shqetësues mori përmasa të tjera kur mbesa e gruas postoi në rrjetet sociale pamjet e saj të ulur në një stol plastik jashtë spitalit e të rrethuar nga një pellg gjaku. Postimi më vonë u hoq, por ai kishte sakaq qindra milionë klikime dhe ngjalli një zemëratë të madhe në internet për vështirësitë me të cilat përballen banorët e Xi’an-it.

Paskësaj, autoritetet vendore dolën me deklaratën se incidenti në Spitalin Xi’an Gaoxin kishte ngjallur “shqetësim të gjerë e kishte shkaktuar një ndikim të keq social” dhe byroja lokale shëndetësore po hetonte për ngjarjen. Drejtori i përgjithshëm i spitalit u pezullua menjëherë dhe “personat përgjegjës” në departamentin ambulator u hoqën nga postet e tyre.

Spitalit iu tha gjithashtu që t’i “kërkojë falje publikut”. E postuar në llogarinë zyrtare të pushtetit lokal të qytetit në rrjetin WeChat, videoja mori afro 600 milionë shikime brenda disa orësh nga publikimi – duke ilustruar kështu qartazi interesin e madh që krijoi ky rast i rëndë brenda Kinës.

Postimi që u bë viral më pas në platformën Weibo të ngjashme me Twitter, tregonte sesi stafi i spitalit refuzoi ta pranonte gruan shtatzënë rëndë por e la jashtë për dy orë, sepse ajo nuk kishte një test negativ Covid të kryer brenda 48 orëve të fundit. Mbesa shkroi se rezultati i saj negativ i testit kishte skaduar vetëm disa orë më parë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat