Gjykata indiane dënon me vdekje 38 persona për sulmet me bombë që vranë 56 njerëz

Azia

Gjykata indiane dënon me vdekje 38 persona për sulmet me bombë që vranë 56 njerëz

Më: 18 shkurt 2022 Në ora: 16:44
Gjyqtari AR Patel dënoi gjithashtu 11 persona me burgim të përjetshëm për këtë çështje

Një gjykatë në Indi ka dënuar me vdekje 38 persona për një seri shpërthimesh me bomba në vitin 2008 që lanë më shumë se 50 të vdekur dhe 200 të plagosur në qytetin Ahmedabad në shtetin Gujarat, i cili ka një histori të përleshjeve të dhunshme mes hinduve dhe myslimanëve.

Ishte hera e parë që kaq shumë të akuzuar kanë marrë dënime me vdekje në një rast të vetëm në vend. Dënimi duhet të konfirmohet nga një gjykatë më e lartë.

Gjyqtari AR Patel dënoi gjithashtu 11 persona me burgim të përjetshëm për këtë çështje. Gjatë sulmit, shumë bomba shpërthyen nëpër Ahmedabad.

Një grup militant islamik, Harkat-ul-Jihad-al-Islami, mori përgjegjësinë për shpërthimet. Ai konsiderohej se ishte me bazë në Pakistan, por besohet se nuk ishte më aktiv.

Sulmet ndodhën në dy tentime me mjete shpërthyese të fshehura në kuti dreke dhe biçikleta. Shpërthimi i parë ndodhi pranë qendrave tregtare të mbushura me njerëz në Ahmedabad dhe i dyti rreth 20 minuta më vonë brenda dhe përreth spitaleve ku po merreshin viktima.

Kryeministri i Indisë, Narendra Modi, ishte kryeministri – zyrtari më i lartë i zgjedhur – i shtetit Gujarat në atë kohë.

Shteti ka një histori tensionesh mes hinduve dhe myslimanëve të pakicës. Ishte vendi i dhunës së madhe në vitin 2002 që la më shumë se 1000 njerëz të vdekur, i shkaktuar nga një zjarr në një tren të mbushur me pelegrinët hindu që vrau 60 pasagjerë.

Shkaku nuk u vërtetua kurrë, por ekstremistët hindu fajësuan myslimanët për vdekjet dhe reaguan duke pushtuar zonat myslimane, raporton Guardian.

Patel javën e kaluar i dënoi të akuzuarit për akuzat për vrasje, komplot për të bërë luftë kundër shtetit dhe posedim të paligjshëm të armëve. Ai liroi 28 të tjerë për mungesë provash, më shumë se 13 vjet pasi bombat vranë 56 njerëz më 26 korrik 2008.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat