Shangai regjistron edhe 12 vdekje tjera me COVID-19

Azia

Shangai regjistron edhe 12 vdekje tjera me COVID-19

Më: 23 prill 2022 Në ora: 11:22
Foto ilustrim

Qyteti i Shangait ka regjistruar 12 vdekje shtesë me koronavirus më 22 prill, për dallim nga 11 në ditën e mëparshme.

Në mesin e banorëve është duke u rritur zemërimi për shkak të kufizimeve në lëvizje dhe censurës online.

Ky qytet, i cili është duke u përballur me valën më të madhe të pandemisë në Kinë, ka regjistruar 20,634 raste të reja pa simptoma të premten.

Numri i rasteve të reja me simptoma ka shkuar në 2,736.

Pacientët që kanë vdekur kanë pasur një moshë mesatare prej 88 vjetësh, ka thënë Qeveria në Shangai.

Të gjithë kanë pasur probleme shëndetësore dhe asnjëri nuk ka qenë i vaksinuar.

“Një strategji që duhet zbatuar menjëherë është që të rritet shkalla e dhënës së dozave përforcuese të vaksinave për të moshuarit dhe grupet tjera më të cenueshme”, ka thënë Jaya Dantas, eksperte për shëndetin publik në Shkollën Curtin në Australi, e cila ka mbikëqyrur shpërthimin në Shangai.

Ndonëse banorët janë të zemëruar për shkak të masave të izolimit, zyrtarët lokalë kanë thënë se nuk do të ketë relaksim të masave.

“Sa më kritike që bëhet situata, as më shumë duhet të shtrëngojmë dhëmbët”, ka thënë kryetari i Shangait, Gong Zheng, sipas mediave lokale, transmeton agjencia e lajmeve Reuters.

Izolimi i plotë në Shangai ka nisur në fillim të muajit prill, ndonëse shumë banorë kanë qenë të mbyllur në shtëpitë e tyre për kohë më të gjatë./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat