Izraeli në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare

Azia

Izraeli në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare

Më: 21 qershor 2022 Në ora: 00:13
Foto ilustrim

Ligjvënësit izraelitë do të votojnë për shpërndarjen e parlamentit, duke i hapur rrugën organizimit të zgjedhjeve të pesta të vendit në tre vjet, pas një trysnie disa javore mbi koalicionin e brishtë qeverisës të kryeministrit Naftali Bennett. 

Zoti Bennett do të zëvendësohet nga Ministri i Jashtëm Yair Lapid, partneri i tij në koalicionin e kundërshtarëve që i dha fund sundimit rekord 12-vjeçar të ish-kryeministrit Benjamin Netanyahu 12 muaj më parë. 

Zoti Lapid, një ish-gazetar që drejton partinë më të madhe në koalicion, do të shërbejë si kryeministër i përkohshëm deri në mbajtjen e zgjedhjeve të reja. 

"Ne jemi sot para jush në një moment që nuk është i lehtë, por me mirëkuptimin kemi marrë vendimin e duhur për Izraelin", tha kryeministri Bennett në një deklaratë televizive teksa qëndronte përkrah zotit Lapid. 

Një votim do të mbahet në parlament javën e ardhshme, pas të cilit zoti Lapid do të marrë postin e kryeministrit, tha një zëdhënës i kryeministrit Bennett. 

Masa vjen vetëm disa javë përpara një vizite të planifikuar të presidentit amerikan Joe Biden. Qeveria izraelite priste që kjo vizitë të forconte lidhjet mes dy vendeve në fushën e sigurisë rajonale dhe përpjekjet kundër armikut të Izraelit, Iranit. 

Megjithatë, koalicioni i përbërë nga tetë parti, duke përfshirë partitë e djathta, ato liberale dhe arabe me dallime të thella lidhur me çështjet si feja dhe konflikti me palestinezët, ishte përballur me tensione në rritje pasi shumica e tij e vogël u prish nga dezertimet. 

Një datë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk është njoftuar ende, por mediat izraelite raportuan se ka të ngjarë që ato të mbahen në tetor./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat