Gjyqësori iranian ka urdhëruar një nga kineastët kryesorë të vendit, Jafar Panahi, të vuajë një dënim me gjashtë vjet burg të vendosur dhjetë vjet më parë.
Urdhri vjen ndërsa qeveria përpiqet të heshtë kritikët mes trazirave ekonomike në rritje dhe presionit politik.
Zëdhënësi i drejtësisë iraniane Masoud Setayeshi njoftoi se regjisori fitues i çmimeve dhe ndoshta regjisori më i njohur i filmit iranian do të vuajë dënimin e tij me gjashtë vjet burg të vendosur në vitin 2011 me akuzën e përhapjes së propagandës antiqeveritare.
Edhe pse Panahi-t i ishte ndaluar udhëtimi vitet e fundit, dënimi nuk u krye dhe ai vazhdoi të bënte filma, të cilët u shfaqën jashtë vendit dhe u vlerësuan shumë.
Ai fitoi disa çmime festivalesh, duke përfshirë Ariun e Artë nga Berlini në vitin 2015 për filmin "Taxi". Filmat e tij për varfërinë, seksizmin, dhunën dhe censurën në Republikën Islamike kanë shkaktuar prej kohësh pakënaqësi te qeveria.
Autoritetet arrestuan Panahi-n javën e kaluar kur ai vizitoi zyrën e prokurorit në Teheran për të pyetur në lidhje me rastet e kolegëve të arrestuar Mohamad Rasulof dhe Mostafa al-Ahmad.
Rasulof dhe al-Ahmad u akuzuan në fillim të këtij muaji për minimin e sigurisë së shtetit duke shprehur kundërshtimin në mediat sociale me shtypjen e dhunshme të qeverisë ndaj trazirave në jugperëndim të vendit.