Israeli rihap pikat kufitare me Gazën

Azia

Israeli rihap pikat kufitare me Gazën

Më: 8 gusht 2022 Në ora: 17:09
Foto ilustrim

Izraeli rihapi të hënën pikat kufitare për në Gaza pas një armëpushimi me grupin militant Xhihadi Islamik të ndërmjetësuar nga Egjipti, që ndali shpërthimin më serioz të luftimeve rreth enklavës palestineze prej më shumë se një viti.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e përshëndeti armëpushimin.

Të paktën 44 persona, përfshirë 15 fëmijë, u vranë gjatë 56 orëve të dhunës, që filloi pas sulmit ajror izraelit ndaj një komandanti të lartë të Xhihadit Islamik. Izraeli tha se kishte vepruar për të parandaluar një sulm të planifikuar nga grupi i mbështetur nga Irani.

Qindra të tjerë u plagosën dhe disa shtëpi u shkatërruan në Rripin e Gazës. Militantët palestinezë hodhën më shumë se 1000 raketa drejt Izraelit, duke detyruar banorët e zonave jugore dhe qyteteve të mëdha, përfshirë Tel Avivin, të futen në vend-strehime.

Në një konferencë shtypi të transmetuar në stacionin pro-iranian Al Mayadeen pas armëpushimit të dielën vonë, udhëheqësi i Xhihadit Islamik Ziad al-Nakhala deklaroi: "Kjo është një fitore."

Por Izraeli tha se Xhihadi Islamik ishte dobësuar.

"Nuk ka dyshim që Xhihadit Islamik iu dha një goditje e rëndë nga e cila do t’i duhet kohë ta marrë veten," tha një zyrtar ushtarak izraelit, duke iu referuar humbjes së dy komandantëve të lartë, gjë që ai tha se do të dëmtonte aftësinë e grupit për të planifikuar dhe kryer operacione.

Përveç dy komandantëve, zyrtarët izraelitë thanë se u vranë rreth 20 luftëtarë dhe u shkatërruan sasi të mëdha armësh antitank, si edhe objekte prodhimi dhe magazinimi raketash./VOA

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat