Të paktën 162 të vrarë nga tërmeti i fuqishëm në Indonezi

Azia

Të paktën 162 të vrarë nga tërmeti i fuqishëm në Indonezi

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 20:42
Foto ilustrim

Një tërmet i fuqishëm shkaktoi vdekjen e të paktën 162 njerëzve dhe plagosjen e qindra të tjerëve në Java, ishullin kryesor të Indonezisë, të hënën. Banorët e tmerruar dolën në rrugë, disa të mbuluar me gjak. “Shumë prej viktimave ishin studentë të shkollave publike që pasi kishin mbaruar mësimin po merrnin leksione shtesë në disa shkolla islamike të cilat u shembën”, tha Guvernatori i Javas Perëndimore, Ridwan Kamil.

Numri i viktimave pritet të rritet. Bilanci ende nuk është bërë për shkak se pjesa më e madhe e popullsisë jeton në zona të largëta rurale.

Rreth 175,000 persona jetojnë në qytetin Cianjur, pjesë e rajonit malor me të njëjtin emër, me më shumë se 2.5 milionë banorë. Të njohur për besimin e tyre, banorët e Cianjurit jetojnë kryesisht në qytete me ndërtesa një dhe dykatëshe dhe në shtëpi më të vogla në fshatrat përreth.

Zoti Kamil tha se më shumë se 13,000 persona, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan rëndë u dërguan në qendrat e evakuimit.

Punonjësit e urgjencës u dhanë ndihmën e parë të plagosurve jashtë spitaleve, në barela dhe batanije apo edhe në tarraca dhe në parkingjet e qytetit Cianjur, rreth tre orë me makinë nga Java. “Më ra të fikët. Ishte tronditje shumë e fortë," tha Hasan, një punëtor ndërtimi i cili si shumë indonezianë, përdor një emër. "Pashë miqtë e mi që vraponin për të shpëtuar nga ndërtesa. Por ishte tepër vonë për të dalë dhe më ra muri përsipër”. 

Banorët, disa duke qarë dhe duke mbajtur fëmijët e tyre, u larguan nga shtëpitë e dëmtuara pas tërmetit me magnitudë 5.6 ballë me një thellësi prej 10 kilometrash që tronditi rajonin e Javës Perëndimore në orët e vona të pasdites. Tërmeti gjithashtu shkaktoi panik në pjesën më të madhe të Xhakartës, ku ndërtesat shumëkatëshe u lëkundën dhe njerëzit u evakuuan.

Në shumë shtëpi në Cianjur, copa betoni dhe tjegullash ranë brenda dhomave të gjumit.

Shitësja Dewi Risma po u shërbente klientëve kur ra tërmeti dhe vrapoi për të dalë.

"Automjetet ndaluan në rrugë sepse tërmeti ishte shumë i fortë," tha ajo. "Ndjeva tre lëkundje, por e para ishte më i fortë për rreth 10 sekonda. Çatia e dyqanit ngjitur ishte shembur dhe dy persona ishin lënduar”. 

“Njëzet e pesë persona kanë mbetur në rrënojat në fshatin Cijedil”, tha më herët gjatë ditës zëdhënësi i Agjencisë Kombëtare për Zbutjen e Fatkeqësive Abdul Muhari.

Për shkak të rrëshqitjes së dherave rrugët rreth qarkut Cianjur u mbyllën. Mes dhjetëra ndërtesave që u dëmtuan ishte edhe një spital. Mediat njoftuan për ndërprerje të energjisë elektrike. Agjencia e Meteorologjisë, Klimatologjisë dhe Gjeofizikës e Indonezisë regjistroi të paktën 25 pasgoditje tërmeti.

Indonezia, vendi me më shumë se 270 milionë banorë goditet shpesh nga tërmete, shpërthime vullkanike dhe cunami për shkak të vendndodhjes së tij në "Unazën e Zjarrit", në Oqeanin Paqësor.

Në shkurt, një tërmet me magnitudë 6.2 shkaktoi të paktën 25 të vdekur dhe 460 të plagosur në provincën e Sumatrës Perëndimore. Në janar 2021, një tërmet me magnitudë 6.2 shkaktoi mbi 100 të vdekur dhe afro 6500 të plagosur në provincën e Sulawesit Perëndimor. Në vitin 2004, një tërmet i fuqishëm dhe cunami në Oqeanin Indian shkaktuan rreth 230.000 viktima në shumë vende, shumica e tyre në Indonezi./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat