​Ekonomia kineze vazhdon rënien për shkak të masave të rrepta kundër Covid-19

Azia

​Ekonomia kineze vazhdon rënien për shkak të masave të rrepta kundër Covid-19

Më: 30 nëntor 2022 Në ora: 12:49
FMN-ja mund të detyrohet të ulë parashikimin e saj të rritjes për ekonominë kineze

Aktiviteti në sektorët e prodhimit dhe shërbimeve të Kinës u tkurr përsëri në nëntor, duke rënë në nivelin më të ulët në shtatë muaj, treguan të dhënat zyrtare, duke reflektuar ndikimin e një vale të re të infeksioneve COVID-19 dhe masat strikte të kontrollit të virusit.

Indeksi i menaxherëve të blerjeve (PMI) në industrinë e Kinës ra me 1.2 pikë në nëntor krahasuar me tetorin, në 48 pikë, niveli më i ulët në shtatë muaj, sipas të dhënave të publikuara nga Byroja Kineze e Statistikave (NBS) të mërkurën.

Në sektorin e shërbimeve, ai ra me dy pikë, në 46.7 pikë, gjithashtu vlera më e ulët në shtatë muaj. Vlerat më të ulëta se 50 pikë sinjalizojnë një rënie të aktivitetit. Nën-indekset për industrinë tregojnë një rënie edhe më të fortë të prodhimit, kërkesës së brendshme dhe të huaj se në muajin tetor.

Ekonomia e dytë më e madhe në botë është nën presion nga kërkesa e dobësuar globale dhe një valë e re infeksionesh me COVID-19, e cila arriti kulmin më 27 nëntor, me numrin më të madh të rasteve të reja që nga fillimi i pandemisë.

Pekini po përpiqet ta shtypë me kufizime të rrepta, të cilat pengojnë aktivitetin dhe kërkesën ekonomike dhe fundjavën e kaluar inkurajuan shumë qytetarë të shprehin pakënaqësinë e tyre me protestat.

Drejtoresha e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kristalina Georgieva, paralajmëroi të martën për rreziqet e vazhdueshme që COVID-19, së bashku me problemet në sektorin e pasurive të paluajtshme, paraqet për ekonominë kineze.

FMN-ja mund të detyrohet të ulë parashikimin e saj të rritjes për ekonominë kineze, paralajmëroi Georgieva.

FMN vlerëson aktualisht se ekonomia e Kinës do të rritet me 3.2 për qind këtë vit dhe do të përshpejtohet në 4.4 për qind në 2023, por rreziqet që mund të ngadalësojnë rritjen mbizotërojnë, kështu që parashikimet mund të ulen, u tha gazetarëve në Berlin të martën kreu i huadhënësit ndërkombëtar.

Kina ka hapësirën fiskale për të stimuluar ekonominë dhe për të neutralizuar rreziqet, theksoi ajo, duke kujtuar se Pekini po konsideron një largim nga politika e tolerancës zero ndaj COVID-19 dhe masave të synuara për të kontrolluar infeksionin, të cilat mund të lehtësojnë problemet në zinxhirët e furnizimit dhe të mbështesin rritjen.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat