Kina heq disa kufizime për koronavirus pas protestave kombëtare

Azia

Kina heq disa kufizime për koronavirus pas protestave kombëtare

Më: 2 dhjetor 2022 Në ora: 11:24
Shangai, Kinë.

Disa qytete kineze kanë nisur të heqin kufizimet për luftim të pandemisë së koronavirusit, pas protestave kombëtare, në të cilat është bërë thirrje për liri më të mëdha.

Zemërimi për politikën e ashpër të Kinës për zero raste me koroanvirus, ka shpërthyer me protesta fundjavën e kaluar, të cilat nuk janë parë me dekada në këtë shtet.

Pas trazirave në rrugë, një numër qytetesh kanë nisur të heqin disa masa, përfshirë testimet ditore.

Në disa qytete janë bërë paralajmërime për hapje të restoranteve dhe qendrave tregtare.

Në të njëjtën kohë, autoritetet nuk i kanë ndalur përpjekjet për të shtypur protestat, përmes rritjes së prezencës së zyrtarëve policorë nëpër rrugë, si dhe formave tjera të vëzhgimit.

Kina ka regjistruar disa vdekje në mungesë trajtimi, për shkak të kufizimeve për koronavirus.

Ndër rastet e fundit është edhe ajo e vdekjes së një foshnjeje katërmuajshe, e cila është bllokuar në karantinë me babain.

Kina mbetet ekonomia e vetme e madhe në botë që zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus.

Ndonëse Kina ka zhvilluar vaksinat e veta kundër koronavirusit, ato nuk janë efektive sikurse vaksinat e krijuara me teknologjinë mRNA – sikurse ato që janë krijuar nga kompanitë perëndimore: Pfizer dhe Moderna.

Dy doza të vaksinës së Pfizerit ofrojnë 90 për qind mbrojtje kundër sëmurjes së rëndë apo vdekjes nga virusi, në krahasim me 70 për qind sa ofron mbrojtje vaksina kineze e prodhuesit Sinovac.

Për koronavirusin e ri është raportuar për herë të parë në dhjetor të vitit 2019 në Vuhan të Kinës.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e pati shpallur koronavirusin si pandemi më 11 mars të vitit 2020.

Më shumë se 6.5 milionë njerëz kanë vdekur që prej shpërthimit të pandemisë në gjithë botën.

Shtetet e Bashkuara kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të përcjella nga India dhe Brazili.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat