Studentet e huaja në Afganistan protestojnë për të vazhduar studimet

Azia

Studentet e huaja në Afganistan protestojnë për të vazhduar studimet

Më: 23 janar 2023 Në ora: 15:31
Studentet e huaja në Afganistan protestojnë për të vazhduar studimet

Gratë pakistaneze që studiojnë mjekësi në Afganistan janë prekur nga vendimi i talebanëve për të ndaluar gratë të studiojnë në universitete. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Munaza Shaheed foli me disa prej tyre.

Njëqind e pesë studente ndërkombëtare, të gjitha nga rajoni Khyber-Pakhtunkhwa i Pakistanit, organizuan një protestë në Islamabad duke kërkuar nga OKB-ja dhe qeveria e Pakistanit t'i ndihmojnë ato të vazhdojnë studimet e tyre mjekësore dhe stomatologjike në universitetet private të Afganistanit.

Politika e talebanëve për të ndaluar gratë të shkojnë në universitet ka bërë që ato të mos mund të ndjekin më karrierën e tyre.

Gratë vendosën të studionin në Afganistan sepse pagesa për një diplomë të avancuar është shumë më e ulët. Por tani, ato nuk kanë ku të shkojnë.

“Shkuam në organizatën e Kombeve të Bashkuara në Islamabad. U bëmë apel që të na ofrojnë bursa. Jemi 105 studente; ne po kërkojmë të na ofrojnë mundësinë për të vazhduar studimet”, thotë studentja Sana Gul

“Më shumë se 20 studente që njoh po përballen me depresion dhe ankth. Ato aktualisht janë nën trajtim mjekësor. Për një studente, është një situatë shumë e vështirë për t'u përballur”, thotë studentja Kali Akbar.

Syed Irfan Ashraf, i cili punon në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Peshawarit në Pakistan, thotë se ideologjia radikale e talebanëve në Afganistan ka ndikuar tek disa pakistanezë.

“Në Afganistan, kemi qenë dëshmitarë të ndalimit të arsimimit të grave dhe kufizimeve për mënyrën se si ato janë të veshura. Kjo po shkakton ndryshime në sjelljen e të rinjve tanë në Pakistan. Talibanët pretendojnë se kanë mposhtur Shtetet e Bashkuara dhe se janë gati të mposhtin jobesimtarët e tjerë. Pra, kjo ka krijuar një inkurajim ideologjik për njerëzit në Pakistan”.

Spogmai Gul, e cila studionte në Universitetin Nangarhar në Jalalabad, thotë se përfundimi i studimeve dhe marrja e një diplome mjekësore është ëndrra e saj e vetme.

“Për tre vitet e fundit ne studionim mjekësi në Afganistan. Kemi kaluar shumë mundime; kemi paguar tarifat e universitetit privat. Gjithçka do të shkojë dëm nëse nuk na jepet një shans. Ne po i bëjmë thirrje qeverisë pakistaneze dhe botës që të na ndihmojnë dhe të na japin bursa speciale”, thotë studentja Spogmai Gul.

Talibanët deri më tani kanë mbyllur shkollat e mesme dhe universitetet e vajzave; ndalojnë gratë në parqet publike, dhe palestrat; dhe e bënë "mbulimin e fytyrës" të detyrueshëm .

Gratë gjithashtu nuk lejohen më të punojnë për organizatat e ndihmës. Ato që thyejnë ligjet e reja përballen me dënime të ashpra publike ose ekzekutime./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat