Koreja e Veriut lëshon raketa balistike pas bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut

Azia

Koreja e Veriut lëshon raketa balistike pas bashkëpunimit mes SHBA-së dhe Koresë së Jugut

Më: 20 shkurt 2023 Në ora: 13:40
Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, duke shikuar paradën ushtarake në përvjetorin e 75-të të themelimit të ushtrisë së Koresë së Veriut, 8 shkurt 2023.

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa balistike të hënën, duke shënuar kështu testimin e dytë të armëve brenda 48 orëve. Pyongyangu zyrtar tha se kjo ishte një stërvitje për një raketëhedhës të aftë për një "sulm taktik bërthamor" që mund të shkatërronte të gjitha bazat ajrore të armikut.

Pyongyangu testoi një nga raketat balistike ndërkontinentale më të fuqishme (ICBM) të shtunën dhe paralajmëroi për më shumë veprime të ngjashme, përderisa motra e liderit Kim Jong Un e quajti Paqësorin “rreze të sulmit” të Koresë së Veriut.

Seuli dhe Uashingtoni – të cilët po përforcojnë bashkëpunimin për siguri në rajon pas kërcënimeve të vazhdueshme nga Koreja e Veriut – organizuan stërvitje të përbashkëta ajrore pas nisjes së raketës ICBM. Ky veproi e zemëroi më tej Korenë e Veriut, e cila i sheh ushtrimet e tilla si prova për pushtim.

Mediumi shtetëror KCNA tha se testi i së hënës ku përshiheshin "hedhës të shumëfishtë raketash super të mëdha" tregoi se ushtria e Koresë së Veriut mund të pengojë dhe të kundërshtojë çdo stërvitje SHBA-Koreane Jugore, duke shtuar se këto armë mund të "shndërrojnë në hi bazën ajrore operative të armikut”.

Motra e Kim Jong Un, Kim Yo Jong, tha se Pyongyangu po monitoronte nga afër lëvizjet e Uashingtonit dhe Seulit për vendosjen e aseteve të tjera strategjike të SHBA-së në rajon, duke u zotuar për “kundërveprim adekuat” nëse do të jetë e nevojshme.

Frekuenca e përdorimit të Paqësorit si poligon tonë të qitjes varet nga karakteri i veprimeve të forcave amerikane”, tha ajo në një deklaratë të publikuar nga mediumi KCNA.

Marrëdhëniet midis dy Koreve nuk kanë qenë kaq të tensionuara në dekada. Tensionet janë rritur pasi Koreja e Veriut vitin e kaluar e shpalli veten një fuqi bërthamore "të pakthyeshme" dhe Kim Jong Un bëri thirrje për një rritje "eksponenciale" të prodhimit të armëve.

Ushtria e Koresë së Jugut, e cila tha se kishte detektuar lëshimin e dy raketave balistike me rreze të shkurtër herët të hënën, e quajti vargun e testeve të armëve nga Pyongyangu "një provokim serioz që minon paqen dhe stabilitetin në gadishullin Korean".

Të hënën, ministria e jashtme e Seulit vendosi sanksione të reja ndaj katër individëve dhe pesë subjekteve të lidhura me programet e armëve të Koresë së Veriut të hënën.

“Qeveria jonë e ka bërë të qartë se provokimet e Koresë së Veriut në mënyrë të pashmangshme do ta kenë një çmim”, thuhet në një deklaratë.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së do të mbajë një takim për të diskutuar situatën të martën./REL

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat