Të paktën 10 të vdekur pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga flakët në Filipine

Azia

Të paktën 10 të vdekur pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga flakët në Filipine

Më: 30 mars 2023 Në ora: 08:31
Foto nga vendi i ngjarjes

Të paktën 10 persona kanë vdekur dhe rreth 230 u shpëtuan pasi një traget pasagjerësh u përfshi nga flakët në deti pranë provincës jugore të Filipineve të Basilan, tha një zyrtar i rojës bregdetare dhe punonjës të shpëtimit.

Nëntë persona të tjerë pësuan lëndime në zjarrin natën e së mërkurës që filloi në kabinën me ajër të kondicionuar, ka thënë Rejard Marfe, shefi i rojës bregdetare në Mindanao jugore, shkruajnë mediat e huaja.

Fotografitë e shpërndara nga roja bregdetare treguan se si në drejtim të anijes MV Lady Mary Joy 3 po hidhej ujë, ndërsa pasagjerët e shpëtuar u sollën në breg.

MV Lady Mary Joy 3 po udhëtonte nga qyteti Zamboanga në ishullin Mindanao për në ishullin Jolo në provincën Sulu kur shpërtheu zjarri, duke bërë që pasagjerët të hidheshin jashtë, u tha gazetarëve një punonjës i urgjencës.

Guvernatori i Basilan, Jim Salliman tha se mund të ketë më shumë njerëz të zhdukur sepse numri i pasagjerëve në anije tejkaloi 205 të listuar.

“Ndoshta ka pasagjerë që nuk janë regjistruar”, tha ai.

Të mbijetuarit u dërguan në Zamboanga dhe Basilan ku të plagosurit morën trajtim për djegie, shtoi Salliman.

Nuk ishte e qartë se si filloi zjarri.

Nixon Alonzo, shefi i agjencisë së fatkeqësive në Basilan, tha se disa pasagjerë u hodhën në det kur shpërtheu zjarri.

“Disa nga viktimat janë nxjerrë nga anija dhe disa janë mbytur”, ka bërë të ditur ai. “Ka pasur shenja djegieje në disa prej viktimave”.

Roja bregdetare tha se do të ndihmojë në një hetim dhe vlerësim të sigurisë, si dhe do të kontrollojë për ndonjë shenjë të një derdhjeje nafte.

Filipinet, një arkipelag me më shumë se 7600 ishuj, ka një rekord të dobët për sigurinë detare, me anije shpesh të mbipopulluara dhe shumë anije të vjetruara ende në përdorim.

Në maj, të paktën shtatë persona vdiqën pas një zjarri në një traget me shpejtësi të lartë në Filipine që transportonte 134 persona. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat