Cikloni Moka, të paktën 32 të vdekur në Mianmar

Azia

Cikloni Moka, të paktën 32 të vdekur në Mianmar

Më: 16 maj 2023 Në ora: 17:20
Foto ilustrim

Cikloni i fuqishëm që goditi Mianmarin të dielën ka vrarë të paktën 32 persona deri tani, kanë thënë vendasit për BBC-në, por numri mund të rritet edhe më tej.

Cikloni Moka ishte një nga stuhitë më të forta që e preku këtë rajon brenda këtij shekulli, duke bërë që erërat të arrijnë deri në 209 kilometra në orë.

Vdekjet që u konfirmuan janë në Rakhine dhe Magway rajon në Mianmarin qendror.

Qindra shtëpi janë shembur. Sipas të dhënave që nuk janë konfirmuar deri tani numri i të vdekurve është shumë më i lartë, veçanërisht në kampet ku jetojnë minoriteti Rohingya. Mendohet se këto viktima nuk po numërohen nga ushtria që e mori pushtetin gjatë një grushtshteti të vitit 2021.

Në Sittwe, kryeqyteti i shtetit Rakhine, rrugët janë bllokuar nga pemët e shkulura dhe shtyllat e rëna të energjisë. Në zona të tjera, të vendit ka gjithashtu raportime për sulme ushtarake ndaj banorëve vendas pas stuhisë.

Mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre në rajonin veriperëndimor të Sagaing, pasi ushtria hyri në fshatra.

Rreth 750,000 njerëz u larguan nga zonat e ulëta të vendit përpara ciklonit të dielën e kaluar. Ai erdhi 15 vjet pasi një nga ciklonet më vdekjeprurëse të Azisë, Nargis, u përplas në deltën Irrawaddy të Mianmarit dhe vdiqën 140,000 njerëz.

Ciklonet janë ekuivalente me uraganet në Atlantik dhe tajfunet në Paqësor. Shkencëtarët thonë se këto stuhi janë bërë më të forta dhe më të shpeshta për shkak të ndryshimeve klimatike, shkruan BBC.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat