Agjencia kryesore e spiunazhit të Kinës ka paralajmëruar studentët me qasje në të dhëna të ndjeshme që të jenë të kujdesshëm ndaj “burrave të pashëm dhe grave të bukura” të cilët mund të tentojnë për t’i joshur ata të spiunojnë për entitete të huaja, duke kompromentuar sigurinë kombëtare.
Ministria e Sigurisë së Shtetit të Kinës të mërkurën lëshoi në llogarinë e saj publike në rrjetet sociale WeChat paralajmërime të detajuara për studentët për të cilët tha se mund të manipulohen në një sërë mënyrash “për të ofruar informacione”, shkruajnë mediat e huaja.
Ajo tha se departamentet e sigurimit të shtetit kanë gjetur se personeli i organeve të huaja të spiunazhit dhe inteligjencës kanë “synuar studentët e rinj”.
“Ata përfitojnë nga karakteristikat e kuriozitetit të fortë dhe gatishmërisë së studentëve të rinj për të provuar gjëra të reja”, thuhet në një deklaratë.
Kina pretendon se ka qenë prej kohësh duke goditur kërcënimet e perceptuara për sigurinë e saj kombëtare, duke lëshuar disa paralajmërime këtë vit për qytetarët e saj dhe duke treguar raste të spiunazhit që ka zbuluar.
Siç thuhet më tej, punëtorët e agjencive të huaja të inteligjencës synojnë në mënyrë specifike studentët e kolegjit me qasje në të dhënat e klasifikuara dhe të ndjeshme të kërkimit shkencor, duke u maskuar si studiues universitarë dhe punonjës të institucioneve kërkimore shkencore dhe kompanive konsulente, tha agjencia.
Ata pretendohet se joshin studentët e rinj “me mundësi me kohë të pjesshme me pagesë të lartë në emër të kërkimit të tregut, shkëmbimeve akademike”.
Pasi studentët shprehin interesin, agjencia tha se agjencitë e huaja të inteligjencës do të ofrojnë të ashtuquajturat trajnime dhe udhëzime falas përmes mediave sociale, telefonit ose video-konferencave.
Madje, ata veshin “maskën e djemve të pashëm dhe femrave të bukura, intime dhe të vëmendshme, duke tërhequr studentët e rinj në grackën e dashurisë së rrejshme”.
Megjithatë, agjencia nuk ka dhënë detaje specifike për ndonjë firmë të huaj që ka synuar studentët.