LIVE: India thotë se ka goditur mbrojtjen ajrore të Pakistanit dhe akuzon Islamabadin për sulme me dronë

Azia

LIVE: India thotë se ka goditur mbrojtjen ajrore të Pakistanit dhe akuzon Islamabadin për sulme me dronë

Nga: Bota sot Më: 6 maj 2025 Në ora: 23:02 Përditësuar në ora: 08:21 më 07.05.2025
Foto nga vendi i ngjarjes

Të paktën 19 të vrarë nga sulmet raketore të Indisë në territorin pakistanez

India ka hedhur raketa në disa pjesë të territorit të kontrolluar nga Pakistani në orët e hershme të së mërkurës, duke i vrarë të pakën 19 njerëz. Lideri i Pakistanit i cilësoi sulmet si “akt lufte”.

India tha se e ka goditur infrastrukturën e përdorur nga militantët e lidhur me sulmin e muajit të kaluar në pjesën e kontrolluar nga India në Kashmir, ku u vranë 26 turistë hindu.

Pakistani tha se i ka rrëzuar disa avionë luftarakë indianë në shenjë hakmarrjeje, teksa dy avionë ranë në fshatrat e kontrolluara nga India në Kashmir. Të paktën shtatë civilë u vranë në këtë rajon nga sulmet pakistaneze, thanë policia dhe mjekët indianë.

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit – vende fqinje të armatosura me armë bërthamore - janë rritur ndjeshëm që nga sulmi i muajit të kaluar, për të cilin India i ka fajësuar militantët e mbështetur nga Pakistani. Islamabadi e ka mohuar përfshirjen.

Kryeministri i Pakistanit, Shehbaz Sharif, i dënoi sulmet ajrore të së mërkurës dhe tha se vendi i tij do të hakmerret.

“Pakistani ka çdo të drejtë të përgjigjet fuqishëm ndaj këtij akti lufte të imponuar nga India, dhe vërtet jemi duke u përgjigjur fort”, tha Sharif.

Komiteti i Sigurisë Kombëtare i Pakistanit do të mblidhet të mërkurën në mëngjes.

Sulmi ndezi alarmin në Uashington, ku presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se është njoftuar për sulmin dhe shpreson që përleshjet "të përfundojnë shumë shpejt".

Në Nju Jork, sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu shqetësim për sulmin dhe bëri thirrje për vetëpërmbajtje maksimale nga të dyja vendet.

“Bota nuk mund ta përballojë një përplasje ushtarake midis Indisë dhe Pakistanit”, tha Guterres, sipas zëdhënësit të tij.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kontaktoi këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Pakistanit, Asim Malik, i cili është gjithashtu shef i agjencisë kryesore të inteligjencës së Pakistanit, për të diskutuar situatën.

Rubio foli gjithashtu me homologun e tij nga India dhe tha se do të vazhdojë të angazhohet me të dyja vendet për të arritur një zgjidhje për konfliktin.

“Ai po inkurajon Indinë dhe Pakistanin të hapin sërish një kanal komunikimi midis udhëheqësve të tyre për të zbutur situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm”, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Brian Hughes, në një deklaratë.

Hassan Abbas, profesor i dalluar i marrëdhënieve ndërkombëtare në Qendrën për Studime Strategjike të Lindjes së Afërt dhe Azisë Jugore, i tha Radios Evropa e Lirë se, megjithëse terrorizmi duhet të dënohet gjithmonë, pretendimi i nxituar i Pakistanit se incidenti ishte një operacion i rremë i organizuar nga India – pa hetim – është i papërgjegjshëm.

Po ashtu, nxitimi i Indisë për të fajësuar Pakistanin pa prova të besueshme vetëm sa thellon mosbesimin dhe rrit rrezikun e përshkallëzimit, tha Abbas.

Ushtria indiane goditi gjashtë lokacione në Kashmirin e administruar nga Pakistani dhe në provincën lindore Punjab të Pakistanit, tha zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, Ahmed Sharif.

Të paktën 19 njerëz u vranë dhe 38 të tjerë u plagosën.

Ministria e Mbrojtjes e Indisë theksoi se sulmet kishin në shënjestër të paktën nëntë vende “ku janë planifikuar sulme terroriste kundër Indisë”.

“Veprimet tona kanë qenë të përqendruara, të matura dhe të natyrë jopërshkallëzuese. Asnjë objekt ushtarak pakistanez nuk është shënjestruar”, tha Ministria indiane, duke shtuar se “India ka treguar vetëpërmbajtje të madhe”.

Pakistani tha se sulmet goditën të paktën dy vende që më parë ishin të lidhura me grupe të ndaluara militante.

Njëra raketë goditi xhaminë Subhan në qytetin Bahawalpur të Punjabit, duke vrarë 13 njerëz, përfshirë një fëmijë, sipas mjekut Zohaib Ahmed nga një spital i afërt.

Xhamia ndodhet pranë një medreseje që dikur ishte zyra qendrore e Jaish-e-Mohammed, një grup militant i ndaluar në vitin 2002. Zyrtarët thonë se grupi nuk ka pasur prani operacionale në atë vend që nga ndalimi.

Një raketë tjetër goditi një xhami në Muridke, duke dëmtuar strukturën e saj. Një ndërtesë e madhe aty pranë kishte shërbyer si selia e Lashkar-e-Taiba deri në vitin 2013, kur Pakistani e ndaloi grupin dhe arrestoi themeluesin e tij.

Sulmin e muajit të kaluar ndaj turistëve e mori përsipër një grup i panjohur më parë që e quan veten “Qëndresa e Kashmirit”./REL

Pakistani thotë se ka rrëzuar pesë avionë luftarakë indianë dhe një dron

Pakistani ka pretenduar se ka rrëzuar pesë aeroplanë indianë.

“Deri tani, mund t’ju konfirmoj se pesë aeroplanë indianë – përfshirë tre Rafale, një SU-30 dhe një MiG-29 – si dhe një dron Heron janë rrëzuar,” ka thënë zëdhënësi i ushtrisë pakistaneze, gjenerallejtënant Ahmed Sharif Chaudhary, në një video të shpërndarë nga Reuters.

India ende nuk ka reaguar ndaj këtyre pretendimeve.

India ka thënë se e ka sulmuar Pakistanin herët të mërkurën, pas një sulmi vdekjeprurës ndaj turistëve në Kashmir muajin e kaluar. Pakistani raportoi tetë të vdekur dhe tha se po i përgjigjej sulmeve indiane.

Kjo është ajo që udhëheqësit botërorë kanë thënë për përshkallëzimin më të fundit të armiqësive mes fqinjëve me armë bërthamore.

“E çuam me nxitim në spital, por nuk mundëm ta shpëtonim”

Nga: A.M.

Tani po marrim më shumë detaje rreth njërës prej tre vdekjeve të civilëve që janë konfirmuar në Kashmirin e administruar nga India, pasi Pakistani u kundërpërgjigj ndaj sulmeve ajrore të Indisë me granatime përgjatë Vijës së Kontrollit - kufiri de facto midis vendeve.

Buava Singh, një banor i distriktit Poonch që ndodhet përgjatë Linjës së Kontrollit, thotë se një predhë mortaje goditi shtëpinë e mbesës së tij Ruby Kaur vonë natën, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".

"Ajo sapo ishte zgjuar për të bërë çaj për burrin e saj, i cili nuk po ndihej mirë. Copat e predhës i goditën kokën, duke shkaktuar gjakderdhje të rëndë. E çuam me nxitim në një spital aty pranë, por ajo u shpall e vdekur", thotë Singh. Vajza e Ruby Kaur u plagos rëndë.

Singh thotë se nuk kishte bunkerë komuniteti në zonë, duke i detyruar banorët të strehoheshin në shtëpitë e tyre.

"Nuk kemi parë kurrë granatime kaq të rënda deri më tani", shton ai.

Ministri i Brendshëm i Indisë: Krenar për forcat tona të armatosura

Nga: A.M.

Ministri i Brendshëm Indian, Amit Shah, ka lavdëruar forcat e armatosura të vendit në një postim në X, duke thënë se ishte krenar për to, shkruan BBC, transmeton "Bota sot".

Operacioni Sindoor - emri i Indisë për sulmet e saj ndaj Pakistanit - është përgjigjja e vendit ndaj "vrasjes brutale të vëllezërve tanë të pafajshëm në Pahalgam", shkroi ai.

"Qeveria Modi është e vendosur të japë një përgjigje të përshtatshme ndaj çdo sulmi ndaj Indisë dhe popullit të saj.

Bharat [emri i Indisë në gjuhën hindi] mbetet i përkushtuar fuqimisht për zhdukjen e terrorizmit nga rrënjët e tij", shtoi ai.

Dëshmitarët okularë tregojnë sulmet e Indisë ndaj objektivave pakistaneze

Nga: A.M.

Muhammad Younis Shah, një banor i Muridke në provincën Punjab të Pakistanit, i thotë BBC-së se katër raketa të lëshuara nga India ranë mbi një kompleks arsimor atje. Tre raketat e para ranë shpejt njëra pas tjetrës, ndërsa një e katërta erdhi pas një intervali prej pesë deri në shtatë minutash, tha ai.

Kompleksi - me një shkollë dhe një kolegj, një konvikt dhe një kompleks mjekësor, si dhe një xhami - është dëmtuar pjesërisht. Shah thotë se kompleksi ka edhe një zonë banimi ku jetojnë disa familje, tranameton "Bota sot".

Ekipet e shpëtimit, zjarrfikësit dhe policia janë të pranishme në zonën e cila është e kapluar nga frika dhe paniku, thotë ai. "Të gjithë njerëzit janë zhvendosur nga këtu në një vend më të sigurt", shton ai.

Muhammad Waheed jeton pranë xhamisë Bilal në Muzaffarabad, kryeqytetin e Kashmirit të administruar nga Pakistani.

"Isha në gjumë të thellë kur shpërthimi i parë tronditi shtëpinë time", i tha ai BBC-së.

"Vrapova në rrugë ku njerëzit ishin mbledhur tashmë. Para se të kuptonim se çfarë po ndodhte, u qëlluan edhe tre raketa të tjera, duke shkaktuar panik dhe kaos të përhapur."

Waheed thotë se dhjetëra njerëz, përfshirë gra, janë plagosur dhe janë dërguar në një spital aty pranë.

“Nuk e kuptoj pse xhamia jonë lokale u shënjestrua”, thotë Waheed. “Kjo ishte një xhami normale lagjeje ku luteshim pesë herë në ditë. Nuk pamë kurrë ndonjë aktivitet të dyshimtë përreth saj.

“Njerëzit tani po ikin nga shtëpitë e tyre dhe ndjenja e pasigurisë është shumë e lartë.”

Shefi i OKB-së bën thirrje për 'përmbajtje maksimale ushtarake'

Nga: A.Sh

Një zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, thotë se ai është "shumë i shqetësuar për operacionet ushtarake indiane përtej Vijës së Kontrollit dhe kufirit ndërkombëtar".

Stéphane Dujarric shton:

"Ai bën thirrje për përmbajtje maksimale ushtarake nga të dy vendet.

Bota nuk mund të përballojë një përballje ushtarake midis Indisë dhe Pakistanit."

Banorët dëgjojnë shpërthime pranë Vijës së Kontrollit

Nga: A.Sh

Më parë, ushtria indiane tha se Pakistani kishte qëlluar me artileri në Kashmirin e administruar nga India në zonën e Bhimber Galit.

Vendasit thonë se kanë dëgjuar shpërthime në disa pjesë të Kashmirit të administruar nga India, përfshirë Mendharin që është pranë Bhimber Galit.

Atje ku jam i vendosur, në qytetin e Srinagarit në Kashmirin e administruar nga India, ka aktivitet të dendur të avionëve luftarakë sipër kokës.

Pse India sulmoi Pakistanin?

Sulmet e Indisë ndaj Pakistanit vijnë si hakmarrje ndaj një sulmi militant që vrau të paktën 26 persona, kryesisht turistë, në qytetin turistik piktoresk të Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India më 22 prill.

Militantët hapën zjarr ndaj njerëzve që po vizitonin Baisaran, një livadh në majë të malit, tre milje (5 km) nga Pahalgam.

Disa të mbijetuar të sulmit thanë se burrat hindu ishin në shënjestër specifike të personave të armatosur, shkruan BBC.

Pakistani ka mohuar përfshirjen në sulme, por policia indiane thotë se dy nga katër militantët që dyshon për sulmin ishin shtetas pakistanezë. 

Si India ashtu edhe Pakistani kanë njoftuar një sërë masash hakmarrëse kundër njëra-tjetrës, duke përfshirë mbylljen e kufijve dhe pezullimin e një traktati për ndarjen e ujit të lumenjve. Trupat nga të dyja palët kanë shkëmbyer gjithashtu zjarr me armë të lehta.

Kryeministri indian, Narendra Modi kishte thënë më parë se vendi do t’i ndjekë autorët e sulmeve “deri në skajet e Tokës”. 

Trump për sulmet e Indisë në Pakistan: Shpresoj vetëm të përfundojnë shpejt

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është pyetur në lidhje me sulmet me raketa të Indisë në territorin e kontrolluar nga Pakistani.

“Sapo dëgjuam për këtë. Është për të ardhur keq”, u tha Trump gazetarëve, shkruan The Guardian.

Ai tha se “njerëzit e dinin se diçka do të ndodhte bazuar në të kaluarën”, sepse të dyja palët kanë luftuar “për shumë dekada dhe shekuj”.

“Shpresoj vetëm të përfundojë shumë shpejt,” shtoi Trump.

Ditë më parë, Trump deklaroi se India dhe Pakistani do të zgjidhin tensionet

“Do ta zgjidhin në një mënyrë ose në një tjetër”, ishte shprehur ai.

Pakistani thotë se ka rrëzuar dy avionë luftarakë indianë

Nga: A.Sh

Forcat ajrore të Pakistanit kanë rrëzuar dy avionë luftarakë indianë në hakmarrje për sulmet në territorin e kontrolluar nga Pakistani, sipas burimeve të sigurisë në Pakistan.

Një deklaratë nga transmetuesi shtetëror i Pakistanit PTV thotë se forcat pakistaneze po i përgjigjen "me forcë" "agresionit" të Indisë.

Të gjithë avionët e forcave ajrore pakistaneze janë të sigurt, thuhet në të, duke cituar burime sigurie, duke shtuar:

Forcat e armatosura të Pakistanit po i japin një përgjigje të përshtatshme agresionit të armikut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat