Teherani kërcënon Izraelin: Nëse sulmojnë Iranin, do marrin një përgjigje vendimtare dhe shkatërruese

Azia

Teherani kërcënon Izraelin: Nëse sulmojnë Iranin, do marrin një përgjigje vendimtare dhe shkatërruese

Më: 22 maj 2025 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Teherani lëshon kërcënime të reja për një skenar të mundshëm sulmi.

Nëse Izraeli sulmon Iranin, ai do të marrë një “përgjigje shkatërruese dhe vendimtare”, kërcënuan të enjten Gardistët e Revolucionit, disa ditë pasi CNN raportoi për inteligjencën amerikane që sugjeron se Izraeli po përgatitet të godasë objektet bërthamore iraniane.

“Po përpiqen të na trembin me luftë, por bëjnë llogari të gabuara, sepse nuk e njohin mbështetjen e fortë popullore dhe ushtarake që Republika Islamike mund të mobilizojë në kushte lufte”, tha zëdhënësi i Gardës Revolucionare, Alimohamad Naini, sipas mediave shtetërore.

Teherani dhe Uashingtoni do të zhvillojnë një raund të pestë bisedimesh për çështjen bërthamore të premten në Romë, mes mosmarrëveshjeve të forta për pasurimin e uraniumit në Iran, të cilin SHBA-të e shohin si një rrugë të mundshme për zhvillimin e bombave bërthamore. Irani mohon çdo qëllim të tillë.

SHBA-të do të mbajnë përgjegjësi ligjore në rast të një sulmi izraelit ndaj objekteve bërthamore iraniane, deklaroi më herët të enjten ministri i Jashtëm Abbas Arakçi, mes raportimeve se Izraeli mund të përgatitet për sulme ndaj Iranit, sipas Reuters.

Kujtojmë se të dhëna të reja në dispozicion të shërbimeve amerikane të inteligjencës tregojnë se Izraeli po përgatitet të bombardojë objektet bërthamore të Iranit, raportoi të martën CNN, duke cituar burime nga administrata e Donald Trump të informuara për këtë çështje.

Nuk është e qartë nëse është marrë një vendim përfundimtar, dhe as nëse ka një mosmarrëveshje të hapur me qeverinë amerikane për goditjet e planifikuara, theksoi televizioni.

Çdo sulm i tillë izraelit do të përbënte një “thyerje të guximshme” me presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, deklaruan zyrtarët.

“Mundësia për një sulm izraelit ndaj një objekti bërthamor iranian është rritur ndjeshëm muajt e fundit”, theksoi një nga burimet. Kjo mundësi nxitet më tej nga “perspektiva e një marrëveshjeje SHBA-Iran që do të negociohej nga Trump. Nëse SHBA-të do të arrijnë një marrëveshje me Iranin për programin e tij bërthamor që nuk përfshin heqjen e gjithë uraniumit të pasuruar nga territori iranian”, shtoi burimi.

Administrata Trump po zhvillon së fundmi negociata me Iranin për të arritur një marrëveshje mbi programin e energjisë bërthamore të Republikës Islamike.

Inteligjenca amerikane e bazoi vlerësimin e saj në komunikime publike dhe private të zyrtarëve të lartë izraelitë, përgjime të komunikimeve dhe vëzhgime të lëvizjeve të forcave të armatosura izraelite, gjithmonë sipas CNN.

Dy burime shpjeguan se përgatitjet që SHBA-të kanë vërejtur përfshijnë lëvizje municionesh dhe përfundimin e ushtrimeve ajrore izraelite.

Një zyrtar izraelit, në kushte anonimiteti, deklaroi për Jerusalem Post të enjten se një marrëveshje e mundshme mes SHBA-ve dhe Iranit “do të ishte problematike”. Në të njëjtën linjë edhe një zyrtar i dytë izraelit, i cili deklaroi se çdo marrëveshje midis Uashingtonit dhe Teheranit do të anulonte bazën e qëndrimeve të Izraelit kundër Iranit.

Ndërkohë, Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të martën shprehu skepticizëm për suksesin e bisedimeve bërthamore me SHBA-të.

Khamenei deklaroi se kërkesa e SHBA-ve që Teherani të mos pasurojë uranium është “e tepruar dhe e papranueshme”, duke shprehur dyshime nëse bisedimet me SHBA-të për programin bërthamor të vendit të tij do të çojnë në një marrëveshje.

Edhe pse një raund i pestë negociatash pritet të zhvillohet këtë fundjavë në Romë, bisedimet për programin bërthamor iranian mbeten në një terren të paqëndrueshëm, pasi si Irani, ashtu edhe SHBA-të, nuk bien dakord për çështjen e pasurimit të uraniumit.

“Nuk mendoj se bisedimet me SHBA-të për programin bërthamor do të japin rezultat. Nuk e di çfarë do të ndodhë”, tha Khamenei sipas mediave shtetërore, duke shtuar se Uashingtoni nuk duhet të paraqesë kërkesa të papranueshme në negociata.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat