LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 08:26 më 20.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Vendet e Lindjes së Mesme raportojnë për sulme

Vendet e Lindjes së Mesme raportojnë se edhe mëngjesin e sotëm po mbrohen nga sulmet me dronë dhe raketa, ndërkohë që myslimanët në rajon po festojnë Fitër Bajramin, që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.

Sipas transmetuesit shtetëror iranian IRIB, sistemet e mbrojtjes u aktivizuan kundër “objektivave armiqësore” në lindje të kryeqytetit Teheran. Ndërkohë, ushtria izraelite njoftoi se ka filluar një “valë sulmesh” në qytet, raporton CNN.

Ushtria izraelite tha se kishte identifikuar raketa të lëshuara nga Irani dhe se sistemet e mbrojtjes po punonin për t’i evituar ato.

Arabia Saudite rrëzoi të paktën një duzinë dronësh mbi pjesët lindore të vendit dhe një dron mbi rajonin verior Al-Jawf gjatë orëve të fundit, njoftoi ministria e mbrojtjes.

Emiratet e Bashkuara Arabe thanë se sistemet e tyre ajrore po reagojnë ndaj “kërcënimeve me raketa dhe dronë nga Irani”. Zyra e medias e qeverisë së Dubait bëri të ditur se bubullimat e dëgjuara në qytet ishin rezultat i interceptimeve të suksesshme.

Ministria e Brendshme e Bahreinit njoftoi se një zjarr shpërtheu në një depo për shkak të copëzave të raketës pas një sulmi iranian.

Në Kuvajt u aktivizuan sirenat ndërsa ushtria tha se po interceptonte raketa dhe dronë.

“Mbi 12 mijë bomba që nga fillimi i luftës”, Izraeli konfirmon: Kemi shkatërruar 85% të mbrojtjes ajrore iraniane

Forcat Ajrore Izraelite kanë hedhur mbi 12,000 bomba në Iran që nga fillimi i luftës, në më shumë se 8,500 sulme ndaj objektivave të regjimit.

IDF njoftoi se, nga këto, 3,600 bomba janë hedhur vetëm në Teheran.

“Në 18 ditë, kemi fluturuar aq sa do të fluturonim në një vit”, tha një zyrtar izraelit.

Sipas ushtrisë izraelite, sulmet kanë shkatërruar rreth 85% të sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe të zbulimit të Iranit.

Wall Street Journal: Avionët luftarakë amerikanë nisin operacionet për çlirimin e Ngushticës së Hormuzit, në shënjestër objektivat iraniane

Shtetet e Bashkuara duket se po rrisin përpjekjet për të hapur Ngushticën e Hormuzit, duke dërguar avionë luftarakë për të goditur anije iraniane dhe helikopterë Apache për të rrëzuar dronë të Iranit, raportoi sot The Wall Street Journal, duke cituar burime nga zyrtarë ushtarakë amerikanë.

Sipas raportimit, intensifikimi i operacionit nga Pentagoni synon të reduktojë kërcënimet nga Irani, i cili ka ndërprerë lundrimin në Ngushticën e Hormuzit që nga fillimi i marsit.

Nëse kërcënimi zvogëlohet, SHBA mund të dërgojë anije luftarake përmes ngushticës, siç është zotuar të bëjë Donald Trump, dhe të shoqërojë anijet që hyjnë dhe dalin nga Gjiri Persik, me qëllim “çlirimin” e tregtisë së naftës dhe karburanteve.

Megjithatë, sipas The Wall Street Journal, pritet të duhen disa javë që SHBA të neutralizojë rrjetet strategjike iraniane, të cilat kanë shkaktuar tronditje serioze në një pikë kyçe që përpunon rreth 20% të eksporteve globale të naftës dhe një pjesë të madhe të transportit detar tregtar.

Gjatë një konference për shtyp në Pentagon, gjenerali i Forcave Ajrore Dan Caine, kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, konfirmoi operacionin, duke deklaruar se avionët e rëndë të armatosur A-10, të njohur si “Warthog”, si dhe helikopterët Apache, po kryejnë misione mbi Ngushticën ose përgjatë bregdetit jugor të Iranit.

“Avionët A-10 Warthog janë tashmë aktivë në frontin jugor, duke goditur mjetet e shpejta sulmuese në Ngushticën e Hormuzit”, u tha Dan Caine gazetarëve. Ai shtoi gjithashtu se helikopterët Apache “janë përfshirë në betejë në frontin jugor”.

Sipas tij, disa aleatë, pa i përmendur konkretisht, po përdorin Apache për të “kundërshtuar sulmet nga dronë njëpërdorimësh”, të cilët konsiderohen ndër armët më efektive që Irani ka përdorur për të goditur vendet arabe fqinje dhe infrastrukturën e tyre energjetike në Gjirin Persik.

Ndërkohë, çmimet e naftës ranë në orët e para të mëngjesit të së premtes në tregjet aziatike, vetëm pak orë pas konferencës për shtyp të kryeministrit izraelit një natë më parë, gjatë së cilës Benjamin Netanyahu deklaroi se Irani “po dobësohet ndjeshëm” dhe se lufta mund të përfundojë “më shpejt” sesa mendohej.

Çmimi i naftës Brent të Detit të Veriut ra me 2,55%, duke arritur në 105,88 dollarë për fuçi, pasi një ditë më parë kishte shkuar pranë 120 dollarëve.

Në të njëjtën kohë, çmimi i naftës amerikane të referencës WTI ra me 2,46%, në 93,20 dollarë për fuçi. Deklaratat e kryeministrit izraelit “qetësuan” tregjet, sipas vlerësimit të Stephen Innes nga SPI Asset Management.

Netanyahu: Lufta do të përfundojë shumë më shpejt sesa mendojnë njerëzit!

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, deklaroi se Lindja e Mesme ka ndryshuar “përtej çdo njohjeje”, duke theksuar se situata gjeopolitike në rajon ka pësuar transformime të thella si pasojë e zhvillimeve të fundit.

Netanyahu u shpreh se Izraeli është “më i fortë se kurrë më parë”, ndërsa e përshkroi Iranin si “më të dobët se kurrë”.

Duke folur për marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, Netanyahu theksoi një nivel të lartë bashkëpunimi, të cilin e cilësoi si historik. “Kemi sjellë mikun tonë, SHBA-në, në një bashkëpunim që nuk është parë kurrë më parë në histori,” tha ai.

Ai veçoi gjithashtu raportin me presidentin amerikan Donald Trump, duke e cilësuar si një partneritet të jashtëzakonshëm. “Bashkëpunimi i madh mes meje dhe mikut tim të mirë Trump është i paprecedentë,” u shpreh Netanyahu.

Sa i përket kohëzgjatjes së konfliktit, kryeministri izraelit deklaroi se lufta do të zgjasë “aq sa të jetë e nevojshme”. Ai shtoi se ende ka punë për t’u bërë dhe se operacionet do të vazhdojnë.

Megjithatë, Netanyahu dha edhe një sinjal se përfundimi i konfliktit mund të vijë më shpejt nga sa pritet. “Do të përfundojë shumë më shpejt sesa mendojnë njerëzit,” përfundoi ai.

Sulme të reja në Teheran

Raportohet se sulme të reja kanë shpërthyer në kryeqytetin iranian, Teheran. Lajmin e ka bërë të ditur BBC, duke iu referuar burimeve të veta të sigurta.

Mediat lokale iraniane gjithashtu po raportojnë për incidentet, duke theksuar se sulmet kanë ndodhur në disa zona të kryeqytetit.

Për momentin, detaje të mëtejshme mbi shkallën e dëmeve apo viktimat mbeten të pakonfirmuara.

Situata në Teheran po monitorohet nga afër nga autoritetet dhe agjencitë ndërkombëtare të lajmeve.

Sulmi i Izraelit godet iranianët aty ku u dhemb më së shumti

Kur aeroplanët izraelitë goditën kompleksin e gazit Parsi Jugor, afër Asalojehit, ata goditën më shumë sesa tubacione dhe kompresorë. Ata goditën pjesën e infrastrukturës më thelbësore për funksionimin e Iranit – një fushë kyç që ofron rreth 75 për qind të furnizimit të brendshëm me gaz të Iranit dhe prodhon afër 80 për qind të energjisë elektrike të vendit.

Sulmi ndaloi prodhimin në dy rafineri që së bashku kanë një kapacitet ditor prej 100 milionë metrash kub, duke bërë që çmimet të rriten ndjeshëm dhe duke nxitur kundërsulme ndaj Irani ndaj infrastrukturës së energjisë në shtetet arabe të Gjirit Persik, përfshirë në terminalin e gazit të lëngshëm natyror (LNG) Ras Lafan të Katarit.

Një objektiv që prej kohësh është degraduar

Parsi Jugor veçse ishte përballur me vështirësi edhe para se të binte bomba e parë. Pasi që shtrihet përgjatë kufirit detar me Katarin në Gjirin Persik – ku i njëjti rezervuar njihet si Kupola Veriore dhe furnizon rreth 20 për qind të LNG-së së botës – pjesa e fushës që gjendet në anën e Iranit prej vitesh ka vuajtur nga mungesa e theksuar e investimeve.

Që kur Uashingtoni u tërhoq nga marrëveshja bërthamore më 2018 dhe vendosi sanksione të ashpra ndaj Teheranit, kompanitë ndërkombëtare, përfshirë Total nga Franca, janë larguar dhe infrastruktura e vjetruar e fushës kryesisht nuk është rinovuar.

Lexo shkrmin e plotë këtu!

OKB kërkon korridor detar të sigurt në Gjirin Persik

Organizata Ndërkombëtare Detare bëri thirrje të enjten për krijimin e një “korridori” të sigurt për transportin detar në Gjiri Persik, me qëllim evakuimin e anijeve dhe detarëve të bllokuar, pas një takimi emergjent ku u dënua gjithashtu Irani.

Pas dy ditësh bisedimesh urgjente në Londër, të zhvilluara për shkak të përshkallëzimit të konfliktit në Lindjen e Mesme, IMO theksoi se krijimi i një “korridori të sigurt detar” duhet të shihet si një masë e përkohshme dhe urgjente.

Sekretari i Përgjithshëm i IMO-s, Arsenio Dominguez, deklaroi se “korridori humanitar” synon të evakuojë anijet në Gjirin Persik përmes Ngushtica e Hormuzit.

Agjencia e OKB-së, përgjegjëse për rregullimin e sigurisë ndërkombëtare të transportit detar, theksoi se prioritet mbetet ndihma për ata që ndodhen të bllokuar në rajon, duke theksuar se evakuimi duhet të bëhet me mjete paqësore dhe mbi baza vullnetare.

Sulmet iraniane rrisin çmimin e naftës, Evropa refuzon luftën

Pas sulmeve iraniane në fabrikat energjetike në Katar, çmimi i naftës në tregjet botërore është rritur dukshëm, përderisa vendet evropiane ende refuzojnë t’u bashkohen operacioneve në Ngushticën e Hormuzit.

Sulmet iraniane ndaj uzinave të naftës në Katar, si dhe ndaj rafinerive dhe infrastrukturës energjetike në Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajt kanë nxitur rritjen e mëtejme të çmimeve të naftës në tregjet botërore, posaçërisht në Evropë dhe Britaninë e Madhe, ku çmimi i barelit ka arritur në 115 dollarë dhe ka shenja se ky çmim do të vazhdojë të rritet.

Zyrtarët në SHBA kanë thënë se Amerika është duke u përgatitur të lirojë ende rezerva të naftës në treg dhe se, me qëllim të stabilizimit të çmimit, SHBA-të mund të vendosin t’i lejojnë Teheranit të shesë “sasi të kufizuara” të naftës për një kohë të caktuar.

Njëkohësisht, njoftohet se forcat iraniane kanë sulmuar edhe rafinerinë e naftës në Haifa të Izraelit, rafineri në Kuvajt dhe depo të naftës në Arabinë Saudite, në një valë sulmesh e cila ka për qëllim shkatërrimin e infrastrukturës energjetike të vendeve të rajonit. Këto sulme ndaj infrastrukturës civile u dënuan ashpër nga Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe vendet tjera evropiane – megjithatë ato ende refuzojnë t’i bashkohen operacioneve amerikane dhe izraelite në Iran.

Gjatë takimit të sotëm të udhëheqësve të vendeve evropiane, krerët e BE-së shprehën brengat e tyre për ekonominë dhe pasojat e rritjes së pakontrolluar të çmimeve të naftës, por edhe një herë thanë se nuk do të përfshihen në luftë.

Ndërkohë, nga Irani njoftohet se forcat amerikane dhe ato izraelite po vazhdojnë me shkatërrim sistematik të caqeve të regjimit dhe forcave të armatosura.

SHBA: Mbrojtja ajrore e Iranit është rrafshuar

SHBA-të do të përshkallëzojnë sulmet e tyre kundër Iranit sot, ka njoftuar Pete Hegseth në përditësimin e tij mbi luftën në Iran.

"Përsëri, sot do të jetë paketa më e madhe e sulmit deri më tani, njësoj siç ishte dje", deklaroi Sekretari i Luftës i SHBA-së.

Hegseth ka njoftuar vazhdimisht një numër rekord sulmesh në takimet e mëparshme informuese.

Pasi dha dorëheqje, bashkëpunëtori i Trumpit: Izraeli kontrollon gjithçka, Irani nuk ishte afër krijimit të armës bërthamore

Ai përsëriti se operacionet ushtarake të Amerikës ishin të sakta dhe sipas planit, duke vënë në dukje se mbrojtja ajrore e Iranit ishte "rrafshuar" dhe baza e tij industriale e mbrojtjes ishte "shkatërruar".

Ai shtoi se SHBA-të kanë fundosur më shumë se 120 anije të marinës iraniane.

Ndryshe, Sekretari zbuloi se edhe 11 nëndetëset e Iranit u eliminuan gjithashtu.

"Deri më sot kemi goditur mbi 7.000 objektiva në të gjithë Iranin dhe infrastrukturën e tij ushtarake", tha Hegseth në konferencën për media së bashku me gjeneralin Dan Caine, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët.

Sipas tij, objektivi i SHBA-së mbetet "i pandryshuar", që është shkatërrimi i raketave, lëshuesve dhe bazës industriale të mbrojtjes së Iranit, si dhe flotës së tij detare.

Ai refuzoi të përcaktojë një "afat të qartë" për përfundimin e operacionit kundër Iranit, duke shtuar se "jemi shumë në përputhje me planin".

SHBA-ja dhe Izraeli kanë vazhduar ofensivën e përbashkët ndaj Iranit që nga 28 shkurti, duke shkaktuar deri tani më shumë se 1.200 viktima, përfshirë edhe udhëheqësin suprem të atëhershëm Ali Khamenei.

Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa ndaj Izraelit, Jordanisë, Irakut dhe vendeve të Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndërprerë tregjet globale dhe aviacionin.

Irani goditi rafinerinë më të rëndësishme të naftës saudite në Detin e Kuq

Një sulm me dron nga Iran ka goditur rafinerinë e naftës SAMREF në Yanbu, e cila konsiderohet më e rëndësishmja në bregun e Detit të Kuq.

Autoritetet saudite po vlerësojnë ndikimin e sulmit, ndërsa qyteti port mbetet nën monitorim të rreptë.

Sulmi vjen pas një përshkallëzimi të tensioneve në Lindjen e Mesme, gjegjësisht pas një sulmi izraelit në fushën gjigante të gazit South Pars në Iran, shkruan aljazeera.

Si pasojë, çmimet e naftës në tregjet botërore janë rritur ndjeshëm, duke kaluar 114 dollarë për fuçi Brent.

Ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e përshkallëzimit të konflikteve në rajon, përfshirë kërcënimet ndaj rrugëve kyçe të transportit detar si Ngushtica e Hormuzit, një pikë strategjike për eksportet e energjisë.

Në këtë kontekst, impiante të tjera në Katar, Kuvajt dhe Abu Dhabi kanë pezulluar aktivitetet për shkak të shqetësimeve të sigurisë.

Ky zhvillim vjen ndërsa Lindja e Mesme përballet me një valë sulmesh ndaj infrastrukturës energjetike, duke rritur pasigurinë për tregjet globale dhe stabilitetin rajonal. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat