LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Azia

LIVE: Vazhdojnë sulmet, Rubio pret që lufta të përfundojë 'brenda javësh, jo muajsh'

Nga: Bota sot Më: 28 shkurt 2026 Në ora: 10:24 Përditësuar në ora: 11:00 më 17.03.2026
Foto nga vendi i ngjarjes

Izraeli vijon ekzekutimet e zyrtarëve të lartë iranianë: Eliminuam udhëheqësin e milicisë

Forcat ajrore izraelite kanë vrarë Gholamreza Soleimanin, komandantin e njësisë paraushtarake iraniane Basij, që ka qenë aktiv në shtypjen e protestave antiqeveritare në Iran.

Sipas një njoftimi të IDF-së në Telegram, Soleimani ka qenë në krye të Basijit, një milici e lidhur me Gardën Revolucionare, për gjashtë vjet.

Operacioni u krye të hënën dhe synonte goditjen e udhëheqësit të milicisë.

Ende nuk ka asnjë reagim nga mediat ose autoritetet iraniane mbi këtë ngjarje.

Zbardhet audio, si shpëtoi Mojtaba Khamenei?! Doli në kopsht para se të sulmonte Izraeli

Një klip audio i publikuar dhe i parë nga “The Telegraph” zbulon se Mojtaba Khamenei ishte shënjestër e të njëjtit sulm që vrau të atin dhe anëtarë të tjerë të udhëheqjes së Iranit. Audio zbulon se ai kishte dalë jashtë “për të bërë diçka” pak para se raketat balistike izraelite “Blue Sparrow” të godisnin pallatin në orën 9:32 të mëngjesit sipas kohës lokale më 28 shkurt.

Një fjalim i mbajtur nga Mazaher Hosseini, shefi i protokollit për zyrën e Ali Khameneit, para klerikëve të lartë dhe komandantëve të Trupave të Gardës Revolucionare Islamike jepet rrëfimi i parë i detajuar i asaj që ndodhi brenda kompleksit të udhëheqësit suprem kur u qëllua.

Hosseini zbuloi se Mojtaba Khamenei u plagos në këmbë gjatë sulmeve, ndërsa gruaja dhe djali i tij u vranë menjëherë ndërsa kunatit të tij iu pre koka.

Trupi i Mohammad Shirazi, kreu i zyrës ushtarake të Khameneit, u “copëtua” gjithashtu. Vetëm “disa kilogramë mish” mund të përdoren për ta identifikuar atë, tha z. Hosseini në takimin, i cili u zhvillua më 12 mars në lagjen Kolhak të Teheranit.

Mojtaba Khamenei jetonte në të njëjtin kompleks me të atin në kryeqytetin iranian. Atje ndodhej gjithashtu një sallë fetare ku Ali Khamenei mbante fjalime, si dhe shtëpitë e fëmijëve të tjerë të Khameneit.

Më 28 shkurt, Ali Khamenei dhe zyrtarë të lartë të sigurisë u mblodhën për një takim kur raketat goditën kompleksin. Mohammad Pakpour, kreu i IRGC-së, Aziz Nasirzadeh, ministri i mbrojtjes i Iranit, dhe Ali Khamenei ishin mes viktimave.

Në regjistrim dëgjohet Hosseini duke thënë: “Ishte vullneti i Zotit që Mojtaba të dilte në oborr për të bërë diçka dhe pastaj të kthehej. Ai ishte jashtë duke u ngjitur lart kur ndërtesa u godit nga një raketë. Gruaja e tij, Haddad, vdiq menjëherë.”

Hosseini thotë se Mojtaba pësoi vetëm “një dëmtim të lehtë në këmbë”. Sipas Hosseinit, sulmet kishin në shënjestër disa vende brenda kompleksit të zyrave njëkohësisht dhe dukej se kishin për qëllim shfarosjen e të gjithë familjes Khamenei.

“Këta djaj kishin menduar të sulmonin vende të ndryshme brenda kompleksit të zyrave – njëra prej tyre ishte rezidenca e udhëheqësit suprem”, tha ai. “Ata e goditën këtë vendndodhje me tre raketa.”

Shtëpia e Mojtabës në katin e sipërm u dëmtua gjithashtu, si dhe rezidenca poshtë, e cila i përkiste kunatit të tij, Misbah al-Huda Bagheri Kani dhe shtëpia e vëllait të tij, Mustafa, dhe gruas së tij.

Ndër të tjera, Hosseini thotë: “Armiku e dinte se teksa po godisnin Udhëheqësin Suprem, po e godisnin edhe atë, sepse e dinin se ai do të zëvendësonte ata që ishin vrarë dhe, kur të emëroheshin komandantë të rinj, do të kishin mundësinë të ndikonin te protestuesit. E bënë copë-copë. Nuk gjetën asgjë prej tij dhe në fund gjetën disa kilogramë mish dhe e identifikuan si trupin e tij.”

Trump presion Evropës për të mbrojtur Ngushticën e Hormuzit

Kërkesa e presidentit amerikan Donald Trump që aleatët evropianë të ndihmojnë në sigurimin e kalimit të cisternave të naftës dhe gazit përmes Ngushticës së Hormuzit ishte një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e së hënës (16.03.2026) të ministrave të jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel.

Disa shtete anëtare bënë të ditur se nuk duan që NATO të përfshihet në mbrojtjen e ngushticës, e cila u mbyll nga Irani për shumicën e trafikut në përgjigje të fushatës së bombardimeve nga SHBA-ja dhe Izraeli.

Evropianët nuk janë të gatshëm të dërgojnë trupa për të siguruar Ngushticën e Hormuzit, "sepse kjo do t'i shtonte ata në listën e objektivave të mundshëm" për Iranin, tha për DW Charles Hecker, bashkëpunëtor i Institutit Mbretëror për Shërbime të Bashkuara (RUSI).

Në fillim të takimit, diplomatja e lartë e BE‑së, Kaja Kallas, tha se është në interes të bllokut që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur, "prandaj po diskutojmë edhe se çfarë mund të bëjmë në këtë drejtim nga ana evropiane", dhe shtoi se BE‑ja është në kontakt me kolegët amerikanë në nivele të ndryshme.

Megjithatë, në fund të takimit ajo tha se nuk kishte "asnjë dëshirë” mes shteteve anëtare për të zgjeruar misionin detar të BE‑së në Ngushticën e Hormuzit, "për momentin”.

Rritja e menjëhershme e çmimeve të energjisë në të gjithë kontinentin, dhe krizat energjetike që pasuan, kanë rrezikuar edhe më tej marrëdhëniet tashmë të tensionuara mes Evropës dhe Uashingtonit.

Ministrat e BE‑së vlerësuan gjithashtu se si konflikti mund t'i japë një dorë më të fortë Rusisë, e cila mund të përdorë të ardhurat shtesë nga eksportet e saj të karburanteve fosile për të mbështetur luftën e saj në Ukrainë. "I vetmi fitues real nga lufta kundër Iranit në këtë moment është Rusia," tha Hecker.

Presioni i Trump-it ndaj Evropës për të siguruar anijet në Hormuz

Të dielën (15.03.2026), presidenti i SHBA-së Donald Trump rriti presionin ndaj vendeve që marrin furnizime me energji përmes Ngushticës së Hormuzit, duke u kërkuar atyre të sigurojnë mbrojtjen e kësaj rruge ujore, nëpër të cilën zakonisht kalon rreth 20% e furnizimit botëror me naftë bruto.

Edhe pse blerësit kryesorë të këtyre ngarkesave janë vende aziatike, Trump duket se ka kërcënuar sërish aleancën e NATO‑s.

"Është krejt e arsyeshme që vendet që përfitojnë nga ngushtica të ndihmojnë për t'u siguruar që atje të mos ndodhë asgjë e keqe,” tha ai në një intervistë për The Financial Times. "Nëse nuk ka reagim, ose nëse reagimi është negativ, mendoj se kjo do të jetë shumë e keqe për të ardhmen e NATO‑s.”

Hecker tha, se kjo është një përpjekje nga ana e Trumpit për t'i shtyrë evropianët të angazhohen më aktivisht në luftën e SHBA‑së dhe Izraelit kundër Iranit. "Ende nuk e dimë se çfarë lloj kërcënimi po bën presidenti ndaj NATO‑s dhe si do ta realizonte atë. Por ai po bën gjithçka që mundet për të ushtruar presion ndaj vendeve që dëshiron t'i përfshijë në konflikt.”

Trump u ka bërë thirrje sidomos Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar që t'i bashkohen përpjekjes, por Hecker tha se asnjëra prej tyre nuk ka gjasa të përfshihet sa kohë që luftimet po vazhdojnë.

"Ata nuk janë gati t'u bashkohen përpjekjeve ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Ngushticën e Hormuzit dhe me shumë gjasë nuk do të jenë as në të ardhmen e afërt,” shtoi ai.

Dhe jo vetëm sepse kjo do t'i shndërronte në objektiva për Iranin, por edhe sepse ata nuk e kanë të qartë objektivin dhe strategjinë e SHBA‑së dhe Izraelit në këtë luftë.

Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, u tha gazetarëve se ai nuk sheh asnjë rol për NATO‑n në sigurimin e ngushticës dhe shtoi se ai pret që evropianët të informohen nga SHBA dhe Izraeli për objektivat dhe planet e tyre.

"Nuk shoh që NATO ka marrë ndonjë vendim në këtë drejtim apo që mund të marrë përgjegjësi për Ngushticën e Hormuzit. Nëse do të ishte kështu, atëherë organet e NATO‑s do ta trajtonin këtë çështje siç duhet,” tha Wadephul përpara takimit të ministrave të BE‑së.

Franca, megjithatë, është shprehur më fleksibile. Presidenti francez Emmanuel Macron tha se vendi i tij do të ishte i gatshëm të ndihmonte në sigurimin e ngushticës "pasi të ketë përfunduar faza më e nxehtë e konfliktit.”

Evropa e goditur nga rritja e çmimeve të energjisë

BE‑ja tashmë po goditet rëndë nga kostot ekonomike të bllokadës. "Që nga fillimi i konfliktit, çmimet e gazit janë rritur me 50 për qind dhe çmimet e naftës me 27 për qind," tha presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në vetëm 10 ditë lufte në Iran, taksapaguesit evropianë kanë paguar 3 miliardë euro shtesë për importet e karburanteve fosile, u tha ajo anëtarëve të Parlamentit Evropian.

"Evropa nuk është as prodhuese nafte, as prodhuese gazi. Për karburantet fosile jemi plotësisht të varur nga importe të shtrenjta dhe të paqëndrueshme, gjë që na vendos në një disavantazh strukturor ndaj rajoneve të tjera,” shtoi ajo.

"Kriza aktuale në Lindjen e Mesme na kujton qartë se sa të cenueshëm jemi për këtë arsye.”

Për të ulur çmimet e energjisë, vendet evropiane — përfshirë Francën, Gjermaninë, Italinë dhe Mbretërinë e Bashkuar — mbështetën vendimin për të liruar miliona fuçi nafte, së bashku me anëtarët e tjerë të G7‑s. Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë ka bërë thirrje për lirimin e 400 milionë fuçive nafte nga rezervat e emergjencës. 

A është Rusia përfituesja më e madhe nga  lufta e Iranit?

Ndërsa Irani lëshoi raketa dhe dronë drejt hoteleve, aeroporteve dhe madje rafinerive të naftës në Gjirin Persik, dhe bllokoi Ngushticën e Hormuzit, Rusia ishte gati të përfitonte.

Kur çmimet e naftës u rritën në 87,20 € (100 dollarë), niveli më i lartë që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Moska e paraqiti naftën dhe gazin e saj si një mundësi për blerësit e dëshpëruar.

"Rusia ka qenë dhe vazhdon të jetë një furnizuese e besueshme si e naftës ashtu edhe e gazit,” tha Dmitry Peskov, zëdhënësi i presidentit rus Vladimir Putin, ndërsa këshilltari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, kritikoi vendimin e Evropës për t'u shkëputur nga energjia ruse, duke e quajtur atë një gabim strategjik.

Për të frenuar rritjen e çmimeve, Trump pezulloi përkohësisht disa sanksione për blerjen e naftës ruse, përfshirë një përjashtim 30‑ditor për Indinë.

Evropianët janë të shqetësuar se një rritje e fortë e çmimeve të energjisë do të rrisë të ardhurat e Rusisë dhe do t'i mundësojë asaj ta zgjasë ose madje ta intensifikojë luftën kundër Ukrainës.

Një shqetësim shtesë është se pajisjet kyçe të mbrojtjes që i duhen Ukrainës – si raketat Patriot, të cilat Evropa shpesh i blen nga SHBA për t'ia dërguar Ukrainës – mund të devijohen tani drejt Gjirit.

Kallas ka theksuar se ekziston një "ndikim i drejtpërdrejtë” i luftës në Iran ndaj Ukrainës, pasi "kapacitetet mbrojtëse që i duhen Ukrainës” tani po "shkojnë drejt Lindjes së Mesme.”

Sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky, vendet e Gjirit kanë përdorur më shumë raketa Patriot në ditët e para të sulmeve iraniane sesa Ukraina gjatë katër viteve të luftës që nga sulmi i Rusisë.

Ukraina u ka ofruar vendeve të Gjirit teknologjinë e saj kundër dronëve, me shpresën se ato do të përdorin dronët kundër‑sulmues të zhvilluar në Ukrainë dhe të ruajnë sistemet Patriot vetëm për sulmet me raketa.

"Ukraina ka vite të tëra përvoje në ndalimin e dronëve rusë të tipit Shahed — të njëjtit që Irani po i përdor kundër fqinjëve të tij. Industria ukrainase e mbrojtjes ka zhvilluar gjithashtu sisteme anti‑dronë të testuara në betejë, të cilat po ua ofron vendeve të Gjirit,” tha për DW Rafael Loss, ekspert i Këshillit Evropian për Marrëdhënie me Jashtë.

Qëllimi është të "ulet kërkesa për raketa mbrojtësë Patriot në Gjirin Persik, në mënyrë që Ukraina të mund të marrë më shumë në të ardhmen,” tha Loss. / DW

Trump: Sulmet ndaj Iranit shmangën një luftë bërthamore

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi nga Shtëpia e Bardhë se veprimet ushtarake kundër Iranit kanë parandaluar, sipas tij, një përshkallëzim të rrezikshëm që mund të çonte në një luftë bërthamore.

Duke folur në Zyra Ovale, Trump fillimisht kritikoi kongresmenen Ilhan Omar, përpara se të ndalej te konflikti me Iranin.

Ai pretendoi se nëse SHBA nuk do të kishte goditur programin bërthamor iranian, Teherani do të kishte zhvilluar një armë bërthamore brenda një muaji. Sipas Trump, një armë e tillë do të ishte përdorur fillimisht kundër Izraelit dhe më pas në rajonin e Lindjes së Mesme.

“Do të ishte një luftë bërthamore që mund të evoluonte në Luftën e Tretë Botërore, një luftë nga e cila nuk do të mbetej asgjë,” tha Trump, duke shtuar se ndërhyrja amerikane ishte “një gjë e madhe për botën”.

Presidenti amerikan theksoi gjithashtu se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore dhe pretendoi se vendi nuk ka kapacitete të mjaftueshme ushtarake. Ai shtoi se një nga sfidat kryesore është mungesa e qartësisë se kush përfaqëson aktualisht udhëheqjen iraniane në bisedime.

“Problemi im më i madh është se nuk e di me kë po flasim, sepse askush nuk ka dëgjuar për këta njerëz,” tha Trump.

Sulmohet ambasada amerikane në Irak

Raketa dhe të paktën pesë dronë u qëlluan drejt ambasadës amerikane në Bagdad të martën nga një zonë përreth qytetit, thanë burime irakiane të sigurisë, duke e përshkruar sulmin si më intensivin që nga fillimi i luftës SHBA-Izrael me Iranin.

Reuters raportoi se një person i paidentifikuar pa të paktën tre dronë që po shkonin drejt ambasadës dhe se sistemi i mbrojtjes ajrore C-RAM rrëzoi dy prej tyre, ndërsa i treti goditi brenda kompleksit të ambasadës, nga i cili mund të shiheshin zjarr dhe tym. Një dëshmitar tjetër konfirmoi se një shpërthim u dëgjua në kryeqytetin irakian.

Reuters u përpoq të merrte konfirmim nga ambasada amerikane, por telefonat celularë ishin të fikur. Grupet militante të mbështetura nga Irani kanë sulmuar objektiva amerikane në Irak në hakmarrje për sulmet ajrore SHBA-Izrael që filluan më 28 shkurt.

Të hënën, grupi Kataib Hezbollah njoftoi vdekjen e komandantit të tij të lartë dhe zëdhënësit, dhe Forcat e Mobilizimit Popullor thanë se sulmet ajrore vranë të paktën tetë luftëtarë të tij në qytetin irakian Al-Qaim, pranë Sirisë.

Forcat irakiane të sigurisë janë vendosur në pjesë të kryeqytetit dhe kanë mbyllur Zonën e Gjelbër të fortifikuar të Bagdadit, e cila strehon ndërtesa qeveritare dhe misione diplomatike, përfshirë ambasadën amerikane.

SHBA kërkon veprim të përbashkët kundër Iranit dhe grupeve të lidhura me të

Administrata e Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u ka kërkuar diplomatëve amerikanë jashtë vendit që t’u bëjnë thirrje aleatëve të klasifikojnë Gardën Revolucionare të Iranit dhe Hezbollahun me bazë në Liban si grupe terroriste, duke përmendur një rrezik në rritje të sulmeve, raportoi Reuters.

Direktiva e brendshme e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, iu dërgua të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullore të SHBA-së në mbarë botën. Ajo u kërkon diplomatëve amerikanë që t’ua përcjellin mesazhin homologëve të tyre “në nivelin më të lartë të përshtatshëm” deri më 20 mars, duke shtuar se përpjekjet për të avokuar për futjen në listën e zezë të këtyre grupeve duhet të koordinohen me homologët izraelitë.

Administrata Trump po përpiqet të mbledhë aleatët e pavendosur — shumë prej të cilëve nuk ishin të informuar para luftës ajrore SHBA–Izrael, e cila filloi dy javë më parë — për të mbështetur operacionin e saj ushtarak.

Disa aleatë të SHBA-së thanë se nuk kishin plane të menjëhershme për të dërguar anije për të ndihmuar forcat amerikane në zhbllokimin e Ngushticës së Hormuzit, duke hedhur poshtë thirrjen e Trump për të mbajtur hapur këtë rrugë ujore jetike për naftën.

“Me rritjen e rrezikut të sulmeve nga Irani dhe partnerët apo përfaqësuesit e tij, të gjitha qeveritë duhet të veprojnë shpejt për të zvogëluar aftësinë e Iranit dhe grupeve terroriste të lidhura me të për të sulmuar kombet dhe qytetarët tanë”, thuhej në një nga pikat e kabllogramit.

Garda Revolucionare e Iranit është një forcë ushtarake elitare, që ka për qëllim mbrojtjen e qeverisë klerikale shiite të Iranit dhe kontrollon gjithashtu pjesë të mëdha të ekonomisë së vendit. Si Garda Revolucionare, ashtu edhe grupi i armatosur shiit me bazë në Liban, Hezbollahu, janë përcaktuar tashmë si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të tjera.

Kabllogrami nuk jepte detaje për rrezikun në rritje, por përmendte shembuj të Teheranit që sulmon fqinjët e tij në Lindjen e Mesme dhe kërkonte veprime të përbashkëta.

“Ne vlerësojmë se regjimi iranian është më i ndjeshëm ndaj veprimeve kolektive sesa ndaj atyre të njëanshme dhe se presioni i përbashkët ka më shumë gjasa ta detyrojë regjimin të ndryshojë sjelljen e tij sesa veprimet individuale”, thuhej në mesazh.

Ai shtoi se përcaktime të tilla do të rrisnin presionin mbi Iranin dhe do të kufizonin aftësinë e tij për të “sponsorizuar aktivitete terroriste në të gjithë botën”.

“Presidenti Trump është i përqendruar në sigurimin e paqes në Lindjen e Mesme. Garda Revolucionare, Hezbollahu dhe ndërmjetës të tjerë të mbështetur nga Irani po destabilizojnë qeveritë dhe po minojnë paqen rajonale”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit të SHBA-së.

Zëvendëspresidenti i SHBA: I besoj Trumpit se “do ta kryejë punën” në Iran

Nënpresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, deklaroi se i beson presidentit Donald Trump për mënyrën se si po trajton situatën me Iranin.

Duke folur para gazetarëve në Shtëpia e Bardhë, Vance tha se beson që Trump “do ta kryejë punën”.

“Ne kemi një president të zgjuar, ndërsa në të kaluarën kemi pasur presidentë budallenj, dhe unë i besoj Presidentit Trump se do ta kryejë punën,” u shpreh ai.

Komentet e Vance konsiderohen të rralla, pasi ai në të kaluarën ka shprehur vazhdimisht kundërshtimin ndaj ndërhyrjeve ushtarake të SHBA-së jashtë vendit.

Ambasadori izraelit në OKB i thotë Libanit: Ndërhyni dhe shpërbëjeni Hezbollahun

Ambasadori i Izraelit në OKB i ka bërë thirrje Libanit të bëjë më shumë në përballimin e kërcënimit të Hezbollahut brenda vendit të tij.

Që nga 2 marsi, janë shkëmbyer sulme midis Izraelit dhe grupit ushtarak të mbështetur nga Irani.

"Mesazhi ynë për qeverinë libaneze është i thjeshtë - ndërhyni, ndërhyni", tha Danny Danon në një konferencë për shtyp në Nju Jork.

"Që nga armëpushimi në nëntor 2024, qeveria libaneze nuk ka bërë atë që duhej të bënte për të shpërbërë Hezbollahun.

"Libani duhet ta frenojë Hezbollahun tani, ose ne do ta bëjmë."

Katari raporton valën e dytë të sulmeve me raketa nga Irani

Katari thotë se ka kapur një valë të dytë raketash nga Irani pas një sulmi më herët këtë pasdite.

Prezantuesja kryesore e BBC-së, Maryam Moshiri, raportoi më parë se kishte dëgjuar katër shpërthime pas lëshimit të mbrojtjes ajrore të Katarit pas këtij sulmi të parë.

Ministria e Mbrojtjes e Katarit thotë se vala e dytë është kapur "me sukses".

Ministri irakian i Naftës: Tubacioni Kirkuk-Turqi do të jetë gati brenda një jave

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Naftës i Irakut, Hayyan Abdul Ghani tha sot se po përgatiten plane alternative eksporti për shkak të ndalimit të eksporteve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit dhe se tubacioni i naftës Kirkuk-Turqi mund të vihet përsëri në funksion "brenda një jave" pa kaluar nëpër territorin e Qeverisë Rajonale Kurde të Irakut (KRG).

Sipas Anadoly Agency, ministri vuri në dukje se prodhimi i naftës bruto të Irakut është rreth 4.4 milionë fuçi në ditë sipas kuotës së OPEC-ut.

Megjithatë, ai tha se disa ditë pas fillimit të luftës, eksportet e naftës së Irakut u ndalën për shkak të zhvillimeve ushtarake në Gjirin Persik dhe mbylljes së Ngushticës së Hormuzit.

Ai tha se Iraku më parë ka eksportuar rreth 3.4 milionë fuçi naftë në ditë, kryesisht përmes porteve jugore, veçanërisht Terminalit të Naftës së Basrës.

Por, pas mbylljes së Ngushticës së Hormuzit, Ministria e Naftës u detyrua të zvogëlonte prodhimin në fushat e naftës.

Si kanë reaguar vendet deri më tani ndaj thirrjes së Trump për të ndihmuar në hapjen e Ngushticës së Hormuzit

"Prodhimi i naftës tani është reduktuar në 1.5-1.6 milionë fuçi në ditë për të përmbushur nevojat e rafinerive dhe termocentraleve. Rafineritë aktualisht po operojnë në nivelin më të lartë të kapaciteteve të tyre të projektuara, duke vazhduar të prodhojnë benzinë, naftë, produkte të bardha të naftës dhe LPG (gaz të lëngshëm nafte). Përveç kësaj, një sasi e caktuar stoku po mbahet për emergjenca", shtoi ministri irakian i Naftës.

Abdul Ghani theksoi se Iraku po vlerëson dërgesën e naftës përmes portit Ceyhan në Turqi për të rifilluar eksportet.

Ai shtoi se janë hapur edhe tenderë për eksporte përmes portit Baniyas në Siri dhe përmes rrugës së tubacionit Aqaba.

Ai tregoi se tubacioni Irak-Turqi, i cili transporton naftën e Kirkukut në Turqi, ka kapacitet prej 200 mijë deri në 250 mijë fuçi naftë në ditë dhe se testimi përfundimtar dhe puna e mirëmbajtjes janë aktualisht në vazhdim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat